LAJMI I FUNDIT:

Komuniteti i biznesit ndihmon Shkodrën

Komuniteti i biznesit ndihmon Shkodrën

Përfaqësuesit e biznesit nga Kosova dhe Shqipëria, në takimin e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës kanë vlerësua bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve dhe komunitetit të biznesit. Ata janë pajtuar që të ofrojnë ndihma për zonat e përmbytura në rrethin e Shkodrës.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gerxhaliu, tha se me rastin e përmbytjeve në Shqipëri, Kosova duhet të tregon se mundet dhe duhet t’i shtrinë dorën Shqipërisë. “Ne nuk duhet të kënaqemi vetëm me kontributin e Qeverisë e cila e ka kryer të vetën, por edhe ne sipas kushteve dhe mundësive duhet të mendoj dhe kujtoj se Shqipëria ka nevojë për ndihmë”, tha Gërgjaliu.

Ai gjithashtu u angazhua për tejkalimin e problemeve me të cilat ballafaqohen bizneset në të dy anët e kufirit dhe heqjen e barrierave të panevojshme në shkëmbimin tregtar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, duke formuar zonën e lirë të bashkëpunimit ekonomik.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë së Shqipërisë, Ilir Meta e vlerësoi lartë angazhimin dhe solidaritetin e Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës që e kanë treguar që në ditët e para të një përmbytje të jashtëzakonshme që ka ndodhur në zonën e Shkodrës.


“Dua të falënderoj Qeverinë e Kosovës për kontributin e saj prej 1 milion euro, Forcat e Sigurisë së Kosovës të cilat kanë kontribuar me ekipe shembullore në teren në ndihmë të banorëve në zonat e përmbytura. Dua të falënderoj të gjithë ata sipërmarrës dhe biznesmen të cilët kanë kontribuar që në ditët e para të kësaj situata të vështirë me të cilën ne jemi ballafaquar”, tha Meta.

Ndërkaq, Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, tha se qëllimi i këtij takimi nuk është vetëm çështja e ndihmave për regjionin e Shkodrës të përmbytur nga një katastrofë natyrore, por edhe për bashkëpunimin në mes të dy asociacioneve më të mëdha të biznesit në Shqipëri dhe Kosovë.

Gjatë takimit përfaqësuesit e biznesit nga Kosova shprehën gatishmërinë që të japin ndihmë konkrete për qytetarët nga viset e goditura nga vërshimet e rënda dhe njëkohësisht kërkuan që qeveritë e dy vendeve në kuadër të bashkëpunimit ndërqeveritar ti kanë parasysh dhe zgjidhin dhe largojnë barrierat e panevojshme dhe krijojnë mundësi për zgjerim shumë më të madh të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve. /Telegrafi/