LAJMI I FUNDIT:

Komisia Letrare e Shkodrës dhe shqipja standarde

Komisia Letrare e Shkodrës dhe shqipja standarde
Ilustrim

Nga: Xhevat Lloshi

Për veprimtarinë historike të Komisisë Letrare të Shkodrës janë botuar mjaft shkrime, si dhe kanë dalë dy libra: Shekulli i Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918) nga Tomor Osmani, botimi i fundit më 2016, një punim i gjerë dhe me dokumentim të plotë, si dhe një libër më i vogël nga Sheremet Krasniqi me titullin Komisia Letrare e Shkodrës (1916-1918) më 2004. Prandaj, është e panevojshme të përsëris gjërat e përgjithshme tashmë të njohura.

E para gjë që e vlen të vihet në dukje është se puna e Komisisë Letrare ishte vazhdimi i drejtpërdrejtë i Kongresit të Manastirit, jo thjesht sepse u bë vetëm pak vite pas tij. Thelbi i kësaj vazhdimësie është se këto dy ngjarje madhore kishin të bënin me faktorin qenësor të jetës së një kombi: me ngritjen dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Kongresi i Manastirit përcaktoi se me çfarë shkronjash do të shkruhej Shpallja e Pavarësisë, kjo ishte një zgjidhje themelvënëse për njësinë e kombit, sepse përndryshe me çfarë shkronjash do të shkruhej ai dokument, apo që në hapin e parë ai shtet do të ishte i përçarë, domethënë i paqëndrueshëm, domethënë edhe në arenën ndërkombëtare i dyshimtë?


Edhe Komisia Letrare u mblodh në një periudhë krize ndërkombëtare, prej së cilës rrezikohej pikërisht shteti i posaformuar shqiptar. E kam theksuar edhe herë të tjera, se fare shkurt mund të thuhet që shteti është shkresë. Në kohën kur territori i shtetit të cunguar shqiptar, të vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve më 1913, ishte pushtuar nga forcat ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore, duke shkelur gjithë ligjet e shkruara e të pashkruara ndërkombëtare, mbledhja e kësaj Komisie për të vendosur se si do të shkruheshin shkresat e këtij shteti ishte simboli më domethënës, që shteti shqiptar nuk kishte rënë, se cilido të ishte përfundimi i asaj kasaphane botërore, shteti shqiptar ekzistonte dhe do të ekzistonte.

Nuk mund të mbyllen sytë përpara një fakti të qartë: Shkodra ishte nën pushtimin austriak. Si pajtohet ky fakt me mëtimin për një shtet shqiptar? Autorët e shkrimeve për këtë temë e kanë anashkaluar këtë, duke u zgjeruar për traditat e Shkodrës, për faktorët historikë, social-kulturorë dhe arsimorë e kështu më tej. Pa u zgjatur në këtë temë për historinë e Shqipërisë, dëshiroj të vë në dukje dy gjëra:

– E para, kishte qenë Austro-Hungaria në Konferencën e Londrës që kishte mbrojtur më fort krijimin e shtetit shqiptar dhe, duke shpresuar fitoren që nuk e arriti, do të mbante të njëjtën vijë pas lufte, në kundërshtim të plotë, për shembull me Italinë, e cila kishte nënshkruar gjithashtu për shtetin shqiptar, por në vitin e dytë të luftës kishte lidhur një traktat të fshehtë pikërisht për ta shkatërruar shtetin shqiptar. Pa ardhjen e austriakëve në Shkodër, të gjithë ata faktorë të mësipërm  nuk do ta prodhonin vetvetiu këtë zhvillim.

– E dyta, në të dy herët, më 1908 dhe 1916 na del emri i të njëjtit austriak, konsullit August Kral. E kam dokumentuar hollësisht veprimtarinë e tij për Kongresin e Manastirit në librin për Gjergj Qiriazin, por më lejoni të përsëris, se ai pagoi udhëtimin e grupit nga Shkodra në Manastir dhe pa këtë mbështetje ata nuk do të shkonin, domethënë edhe Kongresi mund të mos ishte bërë. Ai ka bërë diçka tjetër, që nuk mund të mos e përsëris: ai jo vetëm më 1901 kishte shkruar, se brezi i ri shqiptarëve do të mund të pranonte ndryshime të alfabetit vetëm nëse alfabeti i përbashkët do të vendosej në një kuvend atdhetarësh të shquar, me delegatë të dërguar prej tyre vetë, jo vetëm ishte interesuar për botimin e trashëgimisë së K. Kristoforidhit, por edhe që më 1906 kishte blerë kopje të librave toskërisht që të hynin mes gegëve, për t’ua dhënë shkollave dhe letrarëve  në Shkodër me qëllimin që të nxitej të kuptuarit nga të dyja anët dhe të arrihej një afrim ose të ngjallej interesimi i njërës anë për tjetrën.

Me këto qëndrime të qarta ishte A. Krali edhe kur erdhi në Shkodër në prill 1916 si Komisar civil pranë komandës austriake. Ai ishte nismëtari për Komisinë Letrare dhe në personin e tij ishte vazhdimësia e drejtpërdrejtë nga Kongresi i Manastirit. Ka vërtet dokumente të Komandës ushtarake austriake, por ato kanë qenë prej A. Kralit, sepse ata ushtarakë nuk kishin  asnjë thërrime të krahasuar me A. Kralin për njohjen e historisë dhe të gjendjes së gjuhës shqipe. Edhe Gj. Pekmezin si kryetar e sollën dhe e vendosën austriakët.

Për ta mbyllur këtë argumentim do të shtoj se në Komisinë Letrare nga anëtarët që bënin pjesë, gjysma kishin qenë pjesëmarrës të Kongresit të Manastirit (nuk mund të quhen anëtarë të Komisisë R. Nahtigali dhe disa të tjerë të ftuar) dhe për shumicën e këtyre dikur e kishte paguar udhëtimin A. Krali.

Studimet e deritanishme nuk e kanë shqyrtuar imtësisht evoluimin e punës së saj. Në fillim Komisia besonte se do të merrej me drejtshkrimin. Qëllimi ishte “Të ndrequnit e drejtë e t’arësyshëm t’orthografis, për sa mundet, për të dy djalektet shqyptare“. Ky qëllim u formulua edhe si vendim, që nuk u zbatua.

Natyrisht, drejtshkrimi nuk ka të bëjë me dialektet, ai ka të bëjë me variantin e shkruar të gjuhës. Kuptohet këtu se puna në fillim kishte të bënte me dy variante dhe jo me “gjuhën e përbashkme“. Sotir Peci e tha shkoqur më 21 nëntor 1916: “sot për sot të shkruem janë vetëm djalekti i Shkodrës dhe i Toskënis“. Kështu varianti i shkruar i Gropës së Shkodrës në fillim ishte paraqitur si varianti i shkruar i gjithë gegërishtes kundrejt variantit të toskërishtes.

Mirëpo, K. Kristoforidhi tashmë kishte përpunuar tri variante letrare të shqipes, duke arritur përgjithësimet e para të dobishme, domethënë duke zbatuar një drejtshkrim jo sa më afër shqiptimit, por sa më sistemor, për të dëshmuar se dialektet e shqipes nuk ishin shumë larg njëri-tjetrit. Komisia Letrare e Shkodrës për këtë arsye u ndesh me praninë e tri varianteve të shkruara.

Atëherë me të drejtë u pa se në radhë të parë shtrohej çështja e variantit të shkruar, për të cilin do të vlenin rregullat e drejtshkrimit. Nga Komisia Letrare u pranua të përpunohej një drejtshkrim sa më tepër i përbashkët për të dy dialektet. Mirëpo, në të vërtetë vendimet e saj nuk nuk kanë të bëjnë me të dy dialektet. Ishte një frymë rilindëse e shëndoshë, që dha disa rezultate, por ecuria historike ka qenë tjetër. U gjet që të merrej për bazë dialekti i Elbasanit, meqë ishte një urë në mes të dy kryedialekteve. Kjo formulë romantike rilindëse, me qëllime atdhetare, ka qenë vetëm një figurë, sepse asnjë urë nuk u ndërtua. E folmja e Elbasanit është e folme e gegërishtes, unë nuk e shoh se çfarë ure ka qenë ajo për toskërishten. 55 vjet më vonë kjo figurë u zëvendësua me nocionet po aq tërheqëse kombëtare të bashkëveprimit e të konvergjerncës. Rrjedhimisht, nga “të dy djalektet shqyptare“ u kalua vetëm te njëri.

Kur Gj. Pekmezi pyeti se cila rrugë duhej zgjedhur, L. Gurakuqi u përgjigj, se Komisia kishte nevojë të zgjidhej: “nji dialekt, qi të jetë si urë në mes të dy djalekteve.“ Mirëpo Gj. Fishta e rroku drejt, se këtu nuk ishte puna për të zgjedhur ndërmjet dialekteve reale, të folura, por ndërmjet varianteve të shkruara dhe tha: “Për në pastë djalekti i Elbasanit nji literatyrë, asht gadi të bashkohet në kët mendim.“ Kur Gurakuqi përmendin Kristoforidhin, Fishta u pajtua plotësisht. Vijoi më pas diskutimi për natyrën e gjuhës së shkruar prej Kristoforidhit.

E megjithatë përfundimisht, ndonëse pas disa diskutimesh, marrimn vesh se: “Në mbarim vendohet me shumicë të zaneve, qi mbas shtatutit komisia ka për qëllim e detyrë të bajë nji gjuhë administrate.“ Jo rastësisht u përpunuan disa terma për gjyqet e administratën, si dhe disa terma të gramatikës, domethënë grupe leksikore, që nuk kanë ndonjë lidhje as me gjuhën e folur, as me dialektet. Më konkretisht, puna e Komisisë kishte të bënte me gjuhën zyrtare, me shkollën dhe me fenë, por jo me letërsinë. Ishte nisur puna për drejtshkrimin, por përfundoi te gjuha e administratës: “Më 21 të Nandorit 1916 të parën herë u lidh çashtja e orthografis së përbashkme me çashtjen e gjuhës së përbashkme administrate.“ Ishte nisur për drejtshkrimin, por “Nuk ka dyshim… se nuk mund të jetë sot për sot qellimi i yn i parë orthografija, po pa dyshim nji gjuh‘ e përbashkme.“ Ishte nisur puna për drejtshkrimin, por u kalua te dialektet e shkruara: “Prandaj u vendue, m’u bazue në të përbamit t’orthografis mbi djalektet qi janë të shkruem.“ E quaj të domosdoshme këtu ta përpikësoj, se fjala është për variante të gjuhës së shkruar mbi ndonjë bazë dialektore dhe jo për dialekte.

Megjithatë, kryesorja është se doli në pah që çështja kërkonte përcaktimin dhe ndjekjen e parimeve. Aty u pohua: “Orthografija e gjuhës do të jetë fonetike, d.m.th. gjuha do të shkruhet ashtu si flitet sot prej popullit. Si themel i orthografis do të mirret djalekti i Elbasanit me disa ndryshime.“

Këtu janë së bashku tri gjëra: parimi fonetik, gjuha e popullit dhe dialekti i Elbasanit. Janë tri gjëra që nuk përputhen, për të mos thënë në kundërshtim njëra me tjetrën. Janë mishëruar synimet idealiste atdhetare për të pajtuar kërkesat objektive të kohës me traditat e ndryshme, me mendësinë krahinore dhe me mitet kombëtare. Për ta thënë shkurt, vazhdimisht jemi përpara përpjekjeve për të përputhur realitetin me ideologjinë. Për këto koncepte kanë qarkulluar dhe qarkullojnë interpretime të ndryshme ideologjike, romantike dhe kombëtare. Çfarë do të thotë gjuha e popullit? Natyrisht, gjuha shqipe është gjuha e popullit shqiptar, por kur vjen puna për drejtshkrimin detyra përballet me praninë e varianteve të ndryshme të kësaj gjuhe të popullit, domethënë me variantet historike, krahinore, të shkruara dhe deri të qarqeve të ndryshme kulturore e fetare, deri te parapëlqimet vetjake e deri te rropatjet për protagonizëm individual. Sami Frashëri e kishte shprehur qartë, se shumë gjuhëra e dialekte sjellin ndarje e mërgim, e me këtë unë nënkuptoj se ai thoshte një të vërtetë: ishin realisht të pranishme variante të ndryshme, të cilat po të nguliteshin përfundimisht, do të sillnin përçarje kombëtare.

Komisia Letrare njohu dy parime, duke e parë se nuk mjaftonte parimit fonetik, domethënë “të shkruhet ashtu si flitet sot prej popullit“ dhe përmendi një parim etimologjik: “Veç kësaj, n‘orthografi të gjuhës do të hyjnë edhe disa ndryshime typike, d.m.th.  ndryshime qi u përkasin formavet etymologjike të fjalvet të ruejtuna ma fort në djalektin toskënisht.“ Me sa duket, këtu janë bashkuar parimi morfologjik me parimin historik. Në Kongresin e Drejtshkrimit u rendit si parim i tretë: “Parimi historik-tradicional do të pranohet në pak raste, kur në gjuhën letrare, ka një traditë shkrimi të vjetër, të ngulitur prej kohësh.“ Në rast se do ta vështrojmë në gjerësinë e tij leksikun e gjuhës letrare sot, do të bindemi se është e kundërta, domethënë është parimi historik që ka një zbatim shumë të gjerë.

Më duhet ta formuloj në një mënyrë të prerë (ndonëse në realitet proceset nuk kanë qenë kështu kaq të prera), se Komisi Letrare vendosi kështu, që gjuha e shkrimit të ngulitej mbi një variant të shkruar të gegërishtes. Ky variant u pranua nga Kongresi i Lushnjes më 1922 dhe shërbeu si gjuhë zyrtare, e administratës dhe e një pjese të shkollës gjatë gjithë periudhës së mëpastajme. Pas vitit 1950 hap pas hapi ky variant pushoi së funksionuari për një varg arsyesh, por edhe sepse gjuha zyrtare e periudhës së Pavarësisë deri në mesin e shek. XX, ndonëse ishte mbi bazën e një të folmeje të gegërishtes, nuk gjeti mbështetjen e plotë as në të gjitha sferat funksionale të një gjuhe të shkruar, as nga autorët më të shquar toskë të kohës, as nga tërësia e shtypit, por edhe as nga vetë autorët gegë të kohës. Gjatë viteve deri më 1968 ai variant mbizotëroi te shqiptarët në Kosovë dhe në këtë sfond shquhet me shkëlqim Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e cila e hapi rrugën drejt Kongresit të Drejtshkrimit.

Varianti mbi bazën e gegërishtes nuk ka qenë ndonjë prodhim i të ashtuquajturit konvergjim, ai është lëvruar për të qenë gjithashtu një sistem i mëvetësishëm, i cili në rrethana të tjera gjithashtu mund të ishte në rolin e standardit dhe përkohësisht e luajti rolin e gjuhës zyrtare, në të cilën nuk gjej ndonjë bashkëveprim ose konvergjencë. Autorët, si mbështetësit e standardit, edhe kundërshtarët e tij, i kanë rrahur gjerësisht arsyet gjuhësore dhe jashtëgjuhësore për mbizotërimin e variantit mbi bazën jugore. Ai evoluoi, u zhvillua, u pasurua e u lëvrua për t’u bërë një sistem i mëvetësishëm, të cilin sot e quajmë shkurt standardi pas Kongresit të Drejtshkrimit.

Ura ndërmjet dy dialekteve, bashkëveprim ndërdialektor, zhvillimi konvergjent janë dëshira të mira romantike e kombëtare, por sot pengojnë vështrimin shkencor të pavarur. Ato pika të dobëta, pa dyshim plotësisht të përligjura  për kohën, të cilat ishin shfaqur në evoluimin e punimeve të Komisisë Letrare mbetën pjesërisht edhe kur u vendos norma e gjuhës standarde më 1972 dhe ato janë shfrytëzuar edhe më pas për të kritikuar zgjedhjen e standardit. Ndër këto çështja themelore është vendosja e parimit fonetik si të tërëfuqishëm, temë të cilën e kam trajtuar hollësisht në librin e fundit të këtij viti.

Merita e parë e Komisisë Letrare është se ajo e nxori në pah, që gjuha standarde është në krye të radhës gjuhë për shtetin, gjuha zyrtare. Idealistët, sidomos letrarët, kur kanë folur për gjuhën letrare, kanë nënkuptuar më së pari gjuhën e letërsisë artistike. Ky ngatërrim nocionesh ka përftuar edhe idenë, se një gjuhë letrare e themelon një shkrimtar i shquar kombëtar. Dikur për këtë sillej shembulli i italishtes me Dante Aligierin. Nuk do të zgjatem për këtë, mjafton të them, që gjuhëtari i njohur italian G. Devotoja, ka treguar se deri para Luftës I Botërore italishten standarde e njihte vetë 2,5 % e popullsisë dhe vepra e Dantes sot nuk mund të lexohet pa një mori shpjegimesh. Për shqipen e sotme standarde kërkesa kryesore është që pikërisht gjuha zyrtare të jetë e paqortueshme dhe të mos ketë shkresa nga ata ose ato që nuk dinë as si ta shkruajnë shkronjën “ë“ në kompjuter.

Meritë e Komisisë është se, pavarësisht prej formulimeve, të cilat edhe më vonë janë përdorur për t’i kaluar anash zgjidhjes objektive, e pranoi që si gjuhë e përbashkët do të ishte një variant i shkruar, i mbështetur te një bazë dialektore dhe me këtë ajo ishte vazhdimi i kërkesës së shprehur që më 1909 në pikën 11 të Vendimeve në Kongresin e Elbasanit: “Kongresi dorëzon gjith shkrimtarët shqipëtarë që të përdorin ndë shkrimet e tyne, me sa t’u mundet dialektin e Elbasanit sepse është dialekt që kuptohet me gjith anët e Shqipnisë“. R. Nahtigali në “Promemorien“ e tij më 1917 theksonte: “Apriori duhet hedhur poshtë ideja për të krjiuar një produkt artificial fonetiko-gramatikor duke përzier fjalë të toskërishtes bashkë me fjalë të gegërishtes.“ Edhe kur fliste, duke u mbështetur te praktika e K. Kristoforidhit, se si zgjidhje mund të pranohej që të dy dialektet letrare të ekzistonin paralelisht dhe të pritej se cili dialekt do të zhvillohej më shpejt dhe më mirë, ai nënkuptonte një dialekt letrar mbi një bazë dialektore. Nuk është nevoja të përsëris edhe fjalët e A. Xhuvanit qysh më 1905, ndërkohë që ai ka qenë edhe në Komisinë Letrare. Qenësisht ideja për zhvillimin paralel të dy varianteve do të thotë evoluim i tyre në konkurrencë  dhe jo në bashkëveprim. Gj. Pekmezi si kryetar iu përgjigj pyetjes së L. Gurakuqit: “pelqen ma tepër me mbajtë sot për sot të dy djalektet.“

Merita tjetër është se Komisia objektivisht tregoi, që varianti standard ndërtohet mbi bazën e një varianti të shkruar. Drejtshkrimi mbështetet mbi parime dhe mbi traditën e gjuhës së shkruar, duke u përpjekur që ato të jenë sa më afër gjuhës së folur, por më tej ai nuk mund të vijojë të jetë pasqyrë e gjuhës së folur. Ata që duan ta kthejnë mbrapsht drejtshkrimin te përputhja me të folurit janë në kundërshtim jo vetëm me zgjidhjet e Kongresit të Drejtshkrimit, por edhe me Komisinë Letrare.

Ishte Komisia Letrare që e sanksionoi alfabetin e Manastirit, sepse nuk pranoi shenjat diakritike për zanoret.

Merita pasuese është se Komisia vendosi, që standardi t’i vërë ledh ecurisë gërryese të gjuhës së folur në trajtën e dialekteve. Te “Parimet e rregullat“ janë dhënë përcaktime, të cilat sanksionojnë zgjidhjet e Kristoforidhit (me përjashtim të shënimit të sasisë së zanoreve), i cili i kishte zbatuar ato pikërisht për gegërishten dhe jo sepse i shërbenin ndonjë “ure“. Për të mos u zgjatur do të marr vetëm një pikë. Paragrafi 4 thotë: “Tufat e bashkzanorevet mb nd do të shkruhen në formën e vjetër të ruejtun në djalektin tosknisht.“ E vërteta është se toskërishtja nuk ka përse të përmendet këtu, sepse që te Frang Bardhi kemi: “seminare Me mbielle.“ dhe “etsi Ndonësse“.

Merita e radhës është se ajo ngulmoi, që përpara sesa të merren vendime, është e nevojshme të bëhen studime të mëtejshme duke e njohur gjendjen e gjuhës drejtpërdrejt dhe dërgoi në Elbasan një grup të rëndësishëm studiuesish. Megjithatë, edhe përfundimet e këtij grupi nuk ishin që vendimet të mbështeteshin te vëzhgimet në terren, përkundrazi. R. Nahtigali në përfundimet e tij e theksonte, se mjaftonte gjuha e Shqipërisë së Mesme, por sipas shembullit të Dhaskal Todrit dhe të K. Kristoforidhit, domethënë sipas një tradite të shkruar. Edhe shënimet e veta R. Nahtigali i mbyllte me kërkesën, që si program i thjeshtë, por në fillim mjaft i pasur dhe i vlefshëm, të ishin përkthimet nga Bibla, një gramatikë dhe një fjalor, e kështu nënkuptohej puna e shkruar e Kristoforidhit. Standardi i sotëm, i cili në asnjë mënyrë nuk e përjashton studimin e gjuhës së gjallë, sërish zgjidhjet për problemet e reja do t’i gjejë duke hulumtuar përdorimet në gjuhën e shkruar.

Meritë e pamohueshme e saj është, se tregoi që probleme të tilla madhore shqyrtohen e zgjidhen nga grupe njerëzish me kualifikim në këtë fushë, nga një elitë dhe jo nga përfytyrime të gabuara, se për këtë duhen dëgjuar gjithfarë mendimesh e sidomos, që dëshmoi se këtu nuk kanë punë sasia, numri, shumica, domethënë populizmi demagogjik.

Dhe e fundit nga radha, por jo nga rëndësia, Komisia Letrare e shtroi rrugën për të ecur më tej standardizimi i shqipes; ajo na shfaqet sot si hallka e pamënjanueshmne nga Kongresi i Manastirit dhe Kongresi i Elbasanit te Kongresi i Lushnjes, te Konsulta Gjuhësore e Prishtinës dhe te Kongresi i Drejtshkrimit. Është fryma e përgjithshme e punës së saj që është e mishëruar në standardin e shqipes, frymë e cila e kapërcen diskutimin sot të panevojshëm (historia le të merret me diskutime të tilla), se cila ishte baza dialektore e standardit, sepse cilado të ishte ajo bazë, standardi pikërisht në atë rrugë do të ngulitej përfundimisht. Dhe kjo rrugë na bën që t’i përkujtojmë përvjetoret, si ky i 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, me bindjen por dhe me kënaqësinë, se shqipja e lëvruar ka ecur në rrugë të drejtë dhe e ka të ardhmen të sigurt përpara.