LAJMI I FUNDIT:

Kolonizimi serb i fshatrave: Leqina e pamposhtur

Kolonizimi serb  i fshatrave: Leqina e pamposhtur
Ilustrim

Fshati Leqinë është shembull qëndrese e heroizmi, guximi, pune e sakrifice përballë kolonizimit serb.

Pas kolonizimit të fshatit Banjë, ku jetonin kryesisht familja e madhe Çitaku, shqiptarët duhej të zgjidhnin e të gjenin metoda të reja jete aty, në trojet stërgjyshore, ose të zhdukeshin përfundimisht që andej. Sa për ikje nuk po mendonte askush. Kolonët, pa vonuar filluan zbatimin e projektit të kolonizimit me metoda të papara të dhunës. Ata sulmonin shqiptarët në orët e vona të natës. Me kalimin e kohës u shtua numri i rasteve të rrahjeve, sidomos të barinjve shqiptarë. Përditë e më shumë kolonët filluan t’i pengojnë dhe t’i përzënë shqiptarët nga livadhet e shumta të tyre në bjeshkën që shtrihej mbi fshat. I frikësonin natën vonë, sidomos familjet e pasura e të vendosura për të mos u larguar. Kolonët lëviznin në grupe dhe zakonisht ishin të armatosur.


Shqiptarët kryesisht jetonin nga blegtoria dhe bujqësia. Ara të punueshme kishin hapur jo më shumë se u duhej për të siguruar bukën e vitit. Mbanin shumë bagëti të imëta, kryesisht dhi, dele, e më pak lopë. Pak kush mbante ndonjë kalë apo gomar.

Edhe emri i fshatit Banjë dëshmon për burimin e ujit të ngrohtë, që është aty edhe sot. Kolonët e ardhur u vendosen përreth burimit, në pjesët me të përshtatshme për jetë. Me shekuj gratë shqiptare kishin pastruar rrobat verë e dimër në ujin e ngrohtë, ndërsa pas vendosjes së kolonëve ato nuk lanin më aty. Banja kishte tokë të mirë dhe një pjesë e saj mund të ujitej gjatë verës.

Çitakët ishin punëtorë e blegtorë të mirë. Përveç drithërave të bukës kultivonin edhe perime të ndryshme nëpër kopshte, të cilat vaditeshin sa herë kishte nevojë. Mbi rrënojat e kishës se dikurshme katolike mes fshatit, kolonët pa vonuar ndërtuan kishën e re ortodokse që është edhe sot. Të vërtetën për themelet e saj e dinë mirë. Në anën veriore është bjeshka e Banjës me burime të shumta uji, me livadhe dhe kullosa të pasura pa fund. Malet e dendura shtrihen gjithandej.

Shqiptarët natë e ditë largoheshin nga fqinjët e rinj kolon dhe vendoseshin tutje disa kilometra larg, pa menduar se as atje nuk do të jenë të sigurt. Në Banjë mbeten edhe katër familje shqiptare. Shumica e popullatës së fshatit edhe sot janë kolonë serbë. Shqiptarët, në dy raste kanë sulmuar kolonët e vendosur në Banjë, pas vrasjeve të njëpasnjëshme të bashkëkombëseve të tyre. Në luftën e fundit ky fshat nuk është prekur.

Një natë, i zoti i familjes Çitaku iu drejtua burrave të shtëpisë me fjalët: “Nuk kam çka t’ju them. Nuk do t’ju flas shumë. Keni parë e po shihni natë e ditë çka po ndodhë në katundin tonë. Mos bëni panik. Keni parë ku po vendosën kolonët? Afër Burimi të ujit të ngrohtë, më nuk kanë pse dalin gratë tona. Edhe livadhet që kishim në bjeshkë na i morën. Të zhvendosemi në Lugun e Dardhave. Atje kemi një stan të vogël dhe vathin e deleve. Zhvendosja e familjeve të mëdha është e vështirë, por do ta bëjmë hap pas hapi. Mu për këtë edhe këta kolonët që erdhën pikësynim të parë na kanë neve. Nëse ne ikim, familjet më me pak anëtarë dhe më të varfër nuk do të dalin gjallë në pranverën tjetër. Nuk është njëjtë si të kesh pesë e gjashtë burra për punë të rënda, si të jesh i vetëm. Mbani mend: Nimani i Këstrecit kur u vendos aty në tokën e Begollit të Pejës, të cilën e bleu, kishte gjashtë djem të rritur. Edhe atij ia kanë marrë shumicën e tokës dhe të pasurisë. Secili burrë i aftë i asaj familjeje ishte i ngarkuar me nga një detyrë nga i zoti i shtëpisë. Dema, djali i madh i Nimanit kryente punët e tregut dhe jepte llogari për çdo mungesë në familje, pasi plaku qëndronte zakonisht në odë për t’u përgjigjur nëse thërret dikush. Aliu ruante delet. Dhitë i ruante Sadria. Seferi ishte mjeshtër i zoti për ndërtim. Idrizi e Feka kryenin punë të bujqësisë.

Ju e dini se shumë bagëti e pasuri na mbetet pas, në mëshirën dhe duart e kolonëve. Vetëm për të kaluar një natë jashtë në shi e borë, është sprovë, e cila bëhet aq më e rëndë kur qanë ndonjë fëmijë për bukë, ujë apo për gjumë. Tash e tutje, strehë do ta kemi malin të cilin e njohim mirë me dekada, pëllëmbë për pëllëmbë. Lugun e lajthisë e njohim mirë. Ka atje lëndina të vogla dhe shtigje të ngushta dhish. Për të kaluar verën me bagëti, andej ka edhe kullosa të pasura. Lugun e Thanave e kemi afër. Që Nga Mali i Çitakëve e deri në lugun e Dervishit është mal i dendur bungishte përplot fieri. Andej, posa shtrihesh në tokë, nuk të sheh njeri, as një hap para syve. Për të hapur ndonjë parcelë are është më lehtë deri të malet e Mirushës. Ka shumë lëndina të vogla dhe ato i lëvrojmë lehtë, pasi shumica janë mellinë dhe i qëndrojnë shumë edhe thatësisë. Nuk ka aq shumë kroje, por edhe ato gjenden aty këtu. Caktojmë burrat më të zot për të sjellë ujë në rast rreziku. Fundi i fundit nuk kemi ku shkojmë përtej tokave dhe vendlindjes sonë. Këtu, njohim çdo pëllëmbë mali e lëndine. Do ta shihni se këto janë përparësi që armiku nuk i njeh si na.

Ju e dini se si kemi vrapuar nëpër mal edhe me sy mbyllur. Sa herë kemi lozur e jemi rrokur, secili nga ne, me shpinë e kemi provuar sa është toka e butë apo e fortë. Për të jetuar këtu tutje, duhet të jemi të gatshëm edhe të vdesim. Më mirë të vdesim këtu se në vend të huaj ku trupi ynë nuk do të gjej qetësi as pas vdekjes. Njohim këtu çdo shkurre e lis mali, njohim edhe aq shumë pemë të egra me të cilat kemi shuar urinë shumë herë. E di që i dini të gjitha, por tash na pret punë e dyfishtë. Nuk do të bëjmë as gjumin rehat asnjëherë. Edhe qëndresën për gjumë do ta kemi armë në kohë të duhur. Kemi numër të mirë bagëtish dhe për një kohë do zvogëlojmë numrin e tyre, duke u përpjekur për të mos pësuar askush nga uria”.

Besnikëria mes fshatarëve të Leqinës nuk u shkel kurrë. Edhe pas vdekjes apo vrasjes së njërit burrë besnik, nuk është kuptuar emri i të dytit. Asnjëherë nuk është kuptuar çka kanë biseduar dy veta. Vetëm kështu ruhej sekreti i veprimtarisë së armatosur nga çdo dekonspirim.

Në këtë territor po operonte çeta e parë kryengritëse, të cilën e përbënin Shaqir Smaka nga Kostërci, Sinan Çitaku nga Banja, Azem Bejta, Xhemë Gllareva, Mal Ozdrimi, Sadri Shala, Sinan Shala e ndonjë tjetër. Që në fillim çetës iu kishte bashkuar i vëllai i Shaban Çitakut, Sinani. Shaqir Smaka ishte arratisur së pari nga burgu i Shkupit e pastaj u arratis edhe nga burgu i Deviçit. Shaqir Smaka u vra nga austro-hungarezët në kullën e një koloni serb, në fshatin Banjë, ku bëri rezistencë tri ditë e tri net. Natën që u vra Shaqiri, Azem Bejta me shokë, të rraskapitur dhe pa ngrënë, dolën nga rrethimi dhe darkuan në Kosterc në orët e vona të natës së tretë, në odën e Tafë Halitit. Për këtë nuk ka kuptuar deri vonë as familja e vet Sinanit, përpos të zotit të shtëpisë. Këtë e dëshmon një foto tepër e rrallë e çetës së Azem Bejtes, e bërë në Shqipëri, në të cilën janë pesë luftëtarë të armatosur. Aty njihen mirë Sinani, Shaqiri e Azemi.

Çitakët e Banjës u vendosën hiq më shumë se tre kilometra nga qendra e Banjës. Edhe sot, i tërë ky fshat është i banuar nga kjo familje e madhe atdhetare. Nuk shkoi shumë kohë dhe rruga Pejë- Mitrovicë, të cilën e ndërtuan austro-hungarezet, përshkoi tej për tej fshatin duke krijuar njëfarë ndarje nga Banja. Pasi Çitakët ishin shumë familje dhe me shumë anëtarë, një pjesë e madhe e tyre u vendos edhe në Leqinë, ku jetojnë edhe sot.

Leqina shtrihet katër- pesë-gjashtë kilometra në thellësi, larg rrugës magjistrale Mitrovicë-Pejë dhe zgjatët deri në Mirushë (Belicë).

Fshatarët e larguar nga trojet e vjetra, u ballafaquan me vështirësi të reja. Përparësi e tyre ishte njohja e mirë e terrenit ku po vendoseshin. Ata dinin të zgjidhnin edhe pjesët më pjellore të tokave që mund t’i shndërronin më lehtë në ara buke. Për pak vjet populluan një pjesë të madhe të fshatit Leqinë, që gjatë pushtimit osman i përkiste Kazasë së Pejës, dhe trajtohej pronë e Begollëve.

Shumë të meta kishte sistemi i organizimit dhe posedimit të tokave me tapi turke. Tapi për tokën kishin vetëm bejlerët dhe shërbyesit e administratës turke, dhe ata që kishin ndonjë titull a mirënjohje osmane. Meqenëse Turqia ishte larguar, bejlerët kishin humbur shumë privilegje. Kolonët serbë po i vendoste pushteti i tyre nëpër toka pa asnjë rezistencë, pasi shumë nga bejlerët as nuk e kanë ditur kurrë sa kanë tokë, madje as deri ku shtrihej ajo. Bejlerët dukeshin andej vetëm për të dhjetat që ua merrnin çifçinjve të tyre. Padishahu, bejlerëve, shumë herë iu kishte dhuruar fshatra të tëra. Pakkush nga familjet e mëdha shqiptare, të mos flitet për familjet e vogla e të varfër, kishte tapi për tokën e tij. Pronë me tapi kishte rastësisht ndonjë “miftar” katundi apo “spahi”. Ky fakt mund të vërtetohet edhe nga dokumentet ruajtura e të mbetura nëpër xhepa edhe sot. Shumica e popullatës që merreshin me bujqësi e blegtori ishin çifçinj, pa dokument pronësie. Kjo gjë po i ndihmonte shumë edhe komisionit agrar të krajlit serb për të vendosur kolon pa asnjë kufizim, duke iu dhuruar tokë, male e livadhe aq sa dëshironin dhe duke i pajisur menjëherë me dokumente serbe.

Shqiptarët e Banjës ishin islamizuar shumë më herët se të tjerët. Duke jetuar aty me shekuj, njihnin shumë mirë edhe çdo mal, burim apo kullosë dhe ku shtriheshin ato. Shndërrimi i lëndinave në ara buke ishte më i lehtë se i malit. Kthimi i një pjese mali në arë zgjaste së paku dy e tre vjet. Kush kishte bagëti më shumë, ia dilte më lehtë edhe ta plehëronte arën e tij. Zakonisht, sipërfaqet e plehëruara me pleh bagëtish mbilleshin me elb të hershëm dhe kështu sigurohej buka e re, dy tre javë pas Shëngjergjit. Kjo mënyrë pune e jetese, shumë herë i ka shpëtuar prej vdekjes nga uria. Familjet e mëdha kishin edhe shumë rregulla të forta për jetë dhe punë. Detyrat i zbatonin të gjithë anëtarët e familjes, pa përjashtim, deri edhe fëmijët paksa më të rritur. Kështu ia dolën edhe të ndërtojnë shtëpi banimi për jetë në troje të reja.

Konstruktimi i historisë reale te kolonizimit të fshatrave të Runikut akoma është i mundshëm pasi, kujtimet janë ruajtur mirë nga dëshmitarë të kohës dhe janë trashëguar brez pas brezi.

Pasi u dëbuan nga Banja, Çitakët formuan fshatin e ri me po ketë emër, por që nuk kishte sipërfaqe të mjaftueshme të tokës, kështu që shumë prej tyre u vendosën edhe në Leqinë ku janë edhe sot tri lagje të mëdha, por tash kanë mbiemra të tjerë. Lagjet e sotme Haziraj, Mehmetaj, Dervishaj etj. janë të gjithë çitakë. Mbiemrin Çitaku e hasim edhe në Turqi, por edhe në Beograd, në Prishtinë e në Tiranë, gjë që dëshmon largimin e shumë njerëzve me këtë mbiemër dhe që janë me origjinë nga Banja. Dihet se shumë jetonin edhe në fshatin Bajçinë të Llapit. Në Banjë, deri vonë ka ekzistuar një kodër e tërë plot me varre shumë të vjetra të çitakëve, por atë e rrafshuan kolonët serb në kohen e ish Jugosllavisë, kinse për zgjerimin e rrugës, për të cilën nuk patën nevojë asnjëherë.

Leqina ka katër herë më shumë tokë se fshati i sotëm Çitak. Kolonët duke parë së shqiptarët hapën toka të reja dhe po bënin njëfarë jete, kjo i pengonte, pasi ata nuk po vdisnin nga uria e as nuk po shpërnguleshin. Pa kaluar pak vjet, serbët filluan edhe kolonizimin e Leqinës.

Më parë në atë fshat të bukur, ishin vendos edhe shqiptarë të fisit Kelmend, pastaj edhe shqiptarë të dëbuar nga Toplica, që nuk kishin ikur në Turqi apo i kishin shpëtuar masakrave serbe duke jetuar shumë ditë e net nëpër male.

Plani i Çubrilloviqit për shfarosjen e shqiptarëve, dëbimin apo vrasjen e tyre po zbatohej pikë për pikë në çdo fshat. As Leqina nuk bënte përjashtim. Gjithçka varej nga vendosmëria e shqiptarëve vendas. Të jetosh duke ikur apo duke ndërruar vendbanimin vjet për vjet nuk ishte lehtë. Edhe familjet e mëdha tashmë po ballafaqoheshin me vështirësi nga më të ndryshmet, deri te shfarosja. Familjet e varfra shumë herë vareshin edhe nga një okë miell për të kaluar gjallë edhe një ditë. Sa më shumë shtohej dhuna nga pushteti serb përmes kolonizimit, aq më shumë shtohej solidariteti mes shqiptarëve, dhe kjo dukuri, nuk ishte paraparë as për së afërmi nga pushteti serb. Dihet saktësisht se në Leqinë, në një përudhë patën kaluar dy e tre dimra edhe shumë shqiptarë të Radishëvës pasi ketë fshat e dogjën serbët disa herë dhe atje sollën grupe kolonësh të cilët i vendosën afër njeri tjetrit për siguri të tyre por edhe për veprime kriminale të planifikuara kundër shqiptarëve siç ndodhi shumë herë që nga viti 1912 e deri në luftën e fundit më 1998-99.

Lagja Dragaj e Leqinës me shumë pjesëtarë të ndjekur nga Draga e Peshterit ndërtuan ca shtëpi kasolle afër njeri tjetrit dhe hapen toka të reja. Tej tyre, Lagja Qelaj me shumë anëtarë, mezi po ia dilte të mbijetojë. Sipas të gjitha dëshmive, këta morën mbiemrin Qelaj mu nga hapja e tokave të reja që njihet si “njerëz që qelin mal për ta bërë arë”. Ishin të gjithë njerëz të ndershëm, punëtorë, e trima, por edhe shumë të zhvilluar fizikisht-malësor tipik. Mbi të gjitha ata mbanin fjalën për çdo punë dhe ndihmonin njeri tjetrin në çdo rast. Paralel aty po jetonin edhe lagjet Shala, Konjuhi, Prokshi, Kodra e Muhaxhiri.

Abdyl Uka (Dragaj) ishte familje e madhe, e ndershme, e fortë e punëtore. Mbante shumë dele, dhi e lopë, por edhe dy kuaj. Një natë të zezë, kuajt nuk kthehen në kohën e duhur dhe djali 11-vjeçar i Abdylit, nisët t’i kërkojë dhe vonohet shumë. Derisa nata kishte kapluar fshatin, Fazliu i vogël nuk u kthye. Familja e Abdyl Ukës nuk fjeti kurrë duke kërkuar djalin. Gdhiu edhe dita tjetër, por Fazliun nuk e gjenin. Tek pas tri ditësh e gjejnë me kokë të prerë në fyt e trup të mbuluar me degë. Zia kaploi familjen e Abdylit, por nuk e theu. Shqiptarët bashkëpunonin e ndihmonin mirë njëri-tjetrin dhe me muaj u përpoqën të kuptojnë se kush ua vrau djalin. Si ekspertë të vërtetë, jo pak pleq të urtë përshkruanin tiparet e vrasëseve të mundshëm dhe ndiqnin me vëmendje lëvizjen e tyre. Për të ngushëlluar Abdyl Ukën për djalë, erdhën njerëz nga fshatra të largëta. Krahas burrave të urtë, andej erdhën edhe njerëz të pushkës. Abdylin, në besim dhe fshehtësi të plotë e vizitonin edhe kaçakët që vepronin aso kohe: Xhemë Glareva, Nak Berisha, Mal Ozdrimi e ndonjë tjetër. Çdo synim i armikut për të zbuluar këto kontakte mbeti vetëm ëndërr. Ata që nuk ishin besnikë, as që kishin rast të kuptojnë se kush po punonte seriozisht për hakmarrje për djalin e Abdylit. Bashkëpunonin mirë njerëzit më të besueshëm edhe shumë larg përtej Leqinës. Të gjithë ata që kuptonin zhvillimet tragjike që po ndodhnin çdo ditë, mësuan të dallonin çdo fjalë a veprim të armikut.

Naku e Xhema filluan të kuptojnë në fshehtësi kush është vrasës nga kolonët. Gjithçka zhvillohej sipas planit të pashkruar. Kishte asokohe, edhe spekulime, por askush nga trimat që ishin të gatshëm për hakmarrje nuk ra pre e tyre. Fshati Kostërc gjithmonë ka pasur miq në Leqinë, por edhe Leqina në Kostërc. Të gjithë besnikët po punonin, ndërsa kolonët duke parë se nuk po ndodhë asgjë e rrezikshme, pas shumë ditësh filluan të qarkullonin lirshëm. Shumë nga ta shkuan për ngushëllime te vet Abdyl Uka. Po te Abdyli nuk shkoi koloni për të cilin dyshohej se është vet vrasësi. Qetësia e shqiptarëve kolonët dhe pushtetin serb i frikësonte më shumë se krismat e pushkëve. Shqiptarët kuptuan shumë gjëra për serbët. Shqiptarët kuptuan se vrasësit nuk kanë aq shumë përkrahje nga kolonët tjerë. Pas shumë ditësh, katër serb harambashë ishin piketuar si vrasës të mundshëm, jo vetëm të djalit të Abdyl Ukës, por edhe të shumë shqiptarëve tjerë. Njerëz të besueshëm po ndiqnin nga afër çdo lëvizje të tyre. Madje, ka dëshmi të forta se për eliminimin e tyre kanë ndihmuar edhe ndonjë kolon, të cilit ia kishin sjellë shpirtin në hundë po këta katër kriminelë që zakonisht shëtisnin bashkë në uniforma ushtarake, të liruar nga çdo përgjegjësi për të vrarë shqiptar.

Punët e mëdha dhe kontaktet e besueshme bëheshin në fshehtësi të plotë. Xhemë Gllareva, Nak Berisha, Sadri Shala, pasi kuptuan mirë, kohën, shtigjet e lëvizjes së paramilitarëve çetnikë serb, dhe ku hanë bukë, zgjodhën edhe ditën e goditjes. Toca, Todosia, Spasa e Dimitria, me uniforma ushtarake dhe armë lëviznin të lirë. Ditët kalonin, por edhe trimat shqiptar punonin strategjinë e goditjes. Ishin të vendosur për të mos dështuar prita e armatosur. Caku dihej. Emri i Sadri Shalës mësohet vetëm në ditën e vrasjes së bandës çetnike. Sa shqiptarë ishin kur zunë pritën të kryqet e Belicës, nuk do të mësohet kurrë, sepse ata ishin besnikë që nuk thyhen. Thuhet se ishte edhe Shaqir Smaka i Kostërcit, Sinan Çitaku nga Banja, Mal Ozdrimi, por edhe Sinan Shala nga Leqina. Theksohet se ishte edhe Azem Bejta me të vëllain e tij Bajramin. Të gjithë këta ishin emra të njohur kryengritësish. Për t’u përputhur saktë shkrimi me kohën e ngjarjeve, mosha e luftëtarëve ndoshta përjashton ndonjë emër. As kjo nuk është me rëndësi sa fakti se Nak Berisha ishte bërë luftëtar i njohur asokohe, ashtu si Xhemë Gllareva e Mal Ozdrimi. Ata operonin sipas nevojave, pikërisht atje ku vërehej rrezik më i madh për popullatën e pambrojtur shqiptare.

Vargjet që i këndoi rapsodi asaj lufte nuk zbehen kurrë: “Krisi pushka në Belicë (Mirushë) të kisha/ Po lufton o Nak Berisha/ Lufton Naku me Sadrinë/ E vranë Tocen e Todosinë/ E vranë Spasen e Dimitrinë/ Dimitria ish kanë kapetan/ Dul po u lyp shqiptarëve mejdan/ Sadri Shala ish kanë azgan/ Si ke ratë u que në kambë/ Dyt ma vrajshin o shoqi-shojnë”

Naku kishte organizuar mirë çetën në pritë. As zogu i malit nuk mund të shpëtonte. Nga tri prita goditi së pari në cak prita e mesme. Ashtu siç ishin të vendosur e të mllefosur shqiptarët për të marrë hak për djalin e Abdylit, po aq ishin të vendosur edhe çetnikët për të vrarë shqiptarë.

Naku kishte porositur luftëtarët që mos dalin nga istikamet, pa komandën e tij. Çeta shqiptare goditi përnjëherë me sukses të plotë, por njëri nga harambashët serbë, Dimitrije, me gradë kapiteni, kishte mbetur i plagosur. Ai thërret hapur shqiptarët: kush është trim le të dali nga prita! Meqenëse ishte plagosur rëndë, mendohej se është i rrezikshëm dhe qëllon cakun me siguri. Sadri Shala nuk respekton udhëzimet e Nakut dhe ngritët në këmbë. Dimitrije shtie me pushkë dhe vret në vend Sadri Shalën. Krejt fjalët tjera mbeten të parëndësishme pasi dihet mirë kush u vra aty. Katër paramilitarët serbë mbetën të vdekur në vend, por edhe Sadri Shala të cilin e tërhoqën shokët dhe e varrosën sipas zakonit.

Territorin e Leqinës e kontrollonte xhandarmëria e stacionit të Runikut, ndërsa Mirushën (Belicën) Xhandarmëria e stacionit të Rakoshit. Disa vjet më vonë, po këtu në Mirushë (Belicë), Azemi do të kthehej si kryetrim me çetën e tij, që shumë herë kishte edhe 50 deri 100 luftëtarë të armatosur.  Komandanti i xhandarmërisë së Rakoshit kupton se Azemi jo një herë ka bërë konak dhe ka ngrënë darkë në Belicë te kolonët dhe mllefoset shumë. Një ditë kryexhandari serb i Rakoshit pyet kolonët se ku ka darkuar Azemi, por asnjëri nuk guxon t’i tregojë. Kjo ishte fatale për kryexhandarin, por edhe për kolonët të cilëve zullumi do iu vinte tash edhe nga xhandarmëria serbe.

Kolonët ishin mes dy zjarresh. Azemit duhej t’i shërbenin mirë, por edhe kryexhandarit të Rakoshit. Komandanti i xhandarmërisë, krejt hapur kërkon të kuptojë kur vjen serish Azemi në Belicë(Mirushë). Kolonët i tregojnë edhe ditën, kur Azemi vjen për darkë atje. Komandanti i xhandarmërisë së Rakoshit i zë pritën mirë afër udhëkryqit të Mirushës edhe sot vendi të Kryqet e Mirushës (Belicës) ka gjurmë të të ashtuquajturve bunare të Azem Galicës ku është zhvilluar kjo përballje). Në këtë periudhë Azemi kishte bërë përvojë të madhe lufte. Sa herë merrte udhë diku, dërgonte përpara çetës dy vëzhgues kalorës. Atë ditë korriku të vitit 1920, në orët e pasdites gjithçka ishte gati në pritën e organizuar për vrasjen e Azemit. Vëzhguesit vigjilent hetojnë me kohë pritën e organizuar nga xhandarët në pyll dhe shkrepin nga një fishek. Azem Bejta jep kushtrimin që mos të lenë gjallë asnjë xhandar. Kështu, te Kryqet e Belicës u vra komandanti i xhandarmërisë së Rakoshit me 12 xhandarë, ndërsa nga shokët e Azemit nuk u plagos as nuk u vra asnjë prej tyre. Krismat e armëve dhe luftimet kanë zgjatur me orë të tëra derisa ka rënë terri, dhe janë dëgjuar në gjithë Leqinën, deri në Kostërc. Pleqtë kanë konfirmuar saktë çdo detaj. Ishte kohë e shirjes së grurit. Kur fillonte flladi i mbrëmjes, hidhej drithi. Atëherë kanë filluar krismat. Jehona e tyre është përshkruar me vite dhe nuk është harruar asnjëherë deri sot.

Mungesa e shënimeve të shkruara të kohës, mund të kompensohet vetëm nga ata njerëz që kanë lexuar planin e Çubrilloviqit për shfarosjen e shqiptarëve. Çdo zhvillim tragjik gjatë vendosjes së kolonëve dhe pas vendosjes se tyre përputhet germë për germë me planin e njohur serb për shfarosjen e shqiptarëve.

Nuk ka njeri që nuk e di rastin e Sinan Shales që vrau kolonin paramilitar serb dhe të cilin e tërhoqën falangat serbe natën duke ia dërguan në oborr serbit demokrat, Maksim Tomasheviqit, në Suhogerllë, nëntë kilometra larg dhe duke ia lënë fajin atij. Po në Leqinë, Hysen Shala, shumë më vonë në kohën e Jugosllavisë së Titos, kasapiti me sopatë katër serbë të Belicës, të armatosur deri në dhemb, të cilët ishin bërë gati ta masakrojnë Hysenin. Shumica e kolonëve të vendosur në Mirushë (Belicë) manipuloheshin nga pushteti serb dhe ndërseheshin kundër shqiptarëve. Çdo zullum a vrasje e shqiptarëve nga kolonët bëhej me porosi.

Disa vjet pas duelit të Hysen Shales, çetnikët zunë në mal Sylë Nimanin nga Kosterci i cili kishte shkuar për dru. Syla dhe shumë fshatarë të Kostërcit kanë prerë dru në Mirushë, thuaja gjatë gjithë një shekulli. Sylën e kidnapojnë serbët me kije e me qerre dhe e mbajnë më shumë se një muaj duke e detyruar të punojë në ara dhe çdo punë tjetër, krahas dhunës së pandërprerë. Pasi qe zhdukur Syla, një kohë të gjatë, për rastin njoftohet edhe policia në Runik, Skenderaj dhe në Mitrovicë. Serbët e Belicës kuptojnë se për kidnapimin e Sylës është njoftuar policia, dhe nga frika e zbulimit e lirojnë dhe ai kthehet në Kostërc. Asokohe, zullumi serb ishte i madh. Megjithëse të gjithë e kuptuan ngjarjen, Syla nuk ka rrëfyer kurrë se çka ndodhi me te gjatë kohës sa ishte i kidnapuar( autori e ka pasur axhë Sylë Nimanin dhe vet e ka njoftuar policinë në Mitrovicë).

Komandanti i xhandarmërisë së Runikut në çdo raport për Naçallnikun e Zveçanit shkruante atë që po zbatonte në terren, por edhe për të gjitha ekseset mes kolonëve dhe arnautëve. Ai dinte shkrim lexim, ndërsa shqiptarët pa shkollë kishin vetëm një mundësi; të mos harrojnë dhunën serbe që po zbatohej mbi kurrizin e tyre. Kolonizimi i Leqinës lidhej në tërësi me Mirushën(Belicën) e cila i përkiste sektorit të përgjegjësisë së stacionit të xhandarmerisë serbe të Rakoshit. Kështu, kryexhandarët, raportet i shkruanin ndaras dhe ato shumë herë nuk përputheshin, qoftë edhe për të njëjtën vrasje apo krim të pa zbuluar.

Zbatimi i planit të Çubrilloviqit për vrasjen, dëbimin dhe shfarosjen e shqiptarëve, për të dy kryexhandarët ishte i përbashkët. Nuk ka dallim të madh dosja gojore e shqiptarëve me atë të komandantit të xhandarmërisë serbe. Për të parë të vërtetën faktet mund të krahasohen me vëmendje dhe gjithçka duket e qartë për dhunën sistematike që po ushtronte çdo ditë pushtuesi serb. Zakonisht të dyja palët akuzonin njëra tjetrën për dhunë apo vrasje, por kolonët ishin të porositur dhe të armatosur, gjë që nuk ishte rast me shqiptarët. Derisa serbët kishin plan shfarosjen e shqiptarëve, shqiptarët kishin vendosmërinë për të mos u larguar me asnjë çmim nga atdheu. Derisa serbët ua merrnin me dhunë arat, malet, livadhet, krojet, madje edhe çdo rezervë ushqimore nga hambari deri te rrobat e trupit, shqiptarët vepronin me dijen dhe vendosmërinë e tyre për të mbetur gjallë aty me çdo kusht..

Shqiptarët thjesht ishin venë jashtë ligji dhe ndaj tyre nuk ishte e ndaluar asnjë dhunë deri te vrasja.

Pushteti serb pasi mashtroi kolonët që i solli aty, si në shumë fshatra të Runikut, shumicën e tyre i la në mal, në lëndina, apo në ndonjë shtëpi shqiptarësh pa asnjë kusht për ekzistencë. Politika serbe, atyre ua mësoi vetëm dhunën dhe për ta nuk ndërtoi kurrë as shtëpitë, as rrugët as shkollat. Edhe kolonët jetonin zi e më zi ashtu si edhe vete shqiptarët, të cilët nuk kishin pse të shpresojnë dhe iu duhej vet të kujdesen për vetveten.

Pozita gjeografike dhe mbi të gjitha pasuritë natyrore, fshatin Leqinë e bënin tërheqës edhe për kolon. Dikujt i duket e panevojshme se ku gjendet fshati, por mu aty qëndronte fuqia e shqiptarëve vendas. Ata njihnin çdo pëllëmbë toke, jo vetëm të fshatit për të gjithë rrethinës, e kjo i bënte më të fuqishëm për të zbatuar gjithë atë që e shihnin të nevojshme për të mos u dorëzuar, apo për të mos u larguar prej andej. Leqina edhe sot ka shumë tokë pjellore. Është ajo tokë që nuk i la pa bukë leqinaket edhe në kushtet më të egra atmosferike. Ajo tokë nuk i la të uritur edhe kur jetuan shumë kohë, thjeshtë në male a kaçuba shkurresh. Nuk ka lloje peme e egër që nuk rritët në Leqinë. Duke e njohur këtë fakt, ata shartuan me dekada pemë të gjitha llojeve, një pjesë e të cilave mund të shihet edhe sot. Tregonte Bajram Ajeti nga Leqina sesi, që nga rinia e hershme, nga i ati kishte mësuar shartimin dhe atë e kultivoi deri në vdekje.

Njerëzit e Leqinës i karakterizon urtësia e pashoqe. Ata njihen si punëtor të zot, por edhe të guximshëm sa herë e do nevoja. Për habi, për këto gjera është shkruar rrallë apo fare. Leqinakët megjithëse kanë origjinë nga shumë fise, ata gjeten gjuhë të përbashkët dhe kaluan mirë mes tyre si të ishin vëllezër. Tash më shumë se një shekull, askush nuk mban mend ndonjë ngatërresë apo vrasje mes shqiptarëve të Leqinës. Për shkak të territorit të gjerë dhe numrit të duhur të nxënësve në Leqinë, aty me dakada punuan dy shkolla fillore. Dikur në shkollën “Ali Kelmendi” vijonin mësimet edhe mbi 700 nxënës, sot numri i tyre është gati simbolik, ndërsa shkolla tjetër është para mbylljes.

Një dukuri e përbashkët i ka shoqëruar jo vetëm fshatarët e Leqinës por edhe ata të fshatrave përreth. Megjithëse ishin nga fise të ndryshme, brenda fshatit nuk lidhnin miqësi martesash, dhe ashtu me kohë u vëllazëruan plotësisht.

Duke hulumtuar fakte dhe dëshmi të gjalla të kohës, del se rapsodët kanë ruajtur me besnikëri shumë ngjarje të mëdha që nuk harrohen. Leqina është ndër fshatrat që ka pasur rapsod të njohur edhe gjatë pushtimit osman. Aty me dekada kanë kënduar me lahutë Ajet e Shaban Dervishi. Këngën e mësuan e trashëguan edhe bijtë e tyre. Sot, rapsodinë e nisur e vazhdon Isuf Dervishi me djem. Moti është bërë i njohur në të katër anët edhe Rifat Dragaj. Këndojnë e iu bien instrumenteve edhe shumë emra nga Qelajt, Prokshët, Shaljanët dhe Konjuhët. Kështu përmes këngës, janë ruajtur në kujtesë edhe krimet rrëqethëse që kanë bërë serbët kolon në Leqinë.

Bajram Ajet Dervishi ka ditur përmendësh këngën e Betejës së Kosovës dhe shumë këngë kreshnikësh që i këndoi deri në vdekje. Vargu i atyre këngëve ishte i pakrahasueshëm për bukuri e madhështi, por edhe për rimë e ritëm. Mungesa e çfarëdo shënimi ka zhdukur shumicën e teksteve të këngëve, që po të ruheshin do të ishin një thesar i vërtetë.

Shumë vonë janë gjetur fakte për bashkëpunimin mes Selman Kadri Spahiut, Kamer Loshit, Sinan Shalës e Shaqir Smakës. Frika nga dekonspirimi kishte ekzistuar çdo herë, dhe mu për këtë bashkëpunimi i tyre nuk u zbulua deri pas vdekjes. Jo pak herë, pjesëmarrjen në luftë të një burri të caktuar, nuk e ka ditur as familja e tij. Trashëgimtarët e Abdyl Ukës, rastin e vrasjes Fazliut 11-vjeçar dhe hakmarrjen për të e mbajnë mend mirë akoma. Ka pika të përbashkëta të dëshmive, por numri i te vrarëve për hakmarrje ndryshon sipas rrëfimet anësore.

Familja e Abdylit ndoqi me vite e dekada gjurmët e krimit duke përcaktuar saktë se kush e vrau të birin e tyre, Fazliun. Në ditarin e tij, Rrahman Dragaj, arsimtar, trashëgimtar i familjes së Abdyl Ukës, që punon në Gjermani, përshkruan shumë detaje të afërta me zhvillimin e ngjarjeve, me data edhe me emër e mbiemër. Ndër të tjera ai shkruan: “Fazliun 11-vjeçar, kolonët e kanë prerë me thikë në fyt dhe kufoma e tij është gjetur në një mezhdë arash, në vendin e quajtur ‘të Plepat’, mbuluar me rremba shkurresh. Nga rrëfimet e mbijetuara, djalin e Abdyl Ukës e ka masakruar Gal Milenku me grupin e tij, diku 1500 metra larg shtëpisë se Abdyl Ukës. Gal Milenku ka qenë kolon në Leqinë dhe tezak i Miliq Kërstës. Kur është hapur e pamja për djalin e Abdylit, kishin ardhur për ngushëllime shumë njerëz nga të katër anët e Kosovë, por edhe vet kryeplaku shqiptar nga Kijeva, Ramadan Shabani. Ai e pyet Abdylin: a kanë ardhur për ngushëllime kolonët serb? Abdyli i tregon se kanë qenë të gjithë përpos Gal Milenkut. Sipas dëshmitarëve të kohës, Ramadani i kishte thënë Abdylit: koloni serb që ta ka vra djalin nuk mund të dal para syve. Tek ai kërkoje hakun! Të nesërmen, vet Abyli i zë pritë Gal Milenkut, në lagjen e e Jankoviqëve, por nuk kishte qëlluar Gali. Më atë rast ka vrarë një tjetër serb para dyerve të Latë Muhaxherit. Nga ajo ditë Jankoviqët ikin nga Leqina dhe vendosen në Belicë (variant i njohur). Vetëm pas këtyre zhvillimeve, një ditë në konak të Abdylit vjen Azem Bejta dhe e pyet Abdylin se në cilin kolon po i qanë zemra? Abdyl Uka dyshonte fort në Gal Milenkun. Azemi me shokë, pas përgatitjeve të gjata organizon djegien e Belicës dhe të Kërrninës.

Luftën e njohur të Kërrninës e mbajnë mend edhe shumë dëshmitar të tjerë. Sipas rrëfimit të të parëve të Rrahmanit, të kryqet e Belicës ka mbet i vrarë edhe vëllai i Azem Bejtës, Bajrami. Meqenëse vrasësi i vërtetë, Gal Milenku, nuk po gjendej dot, bëhet shkas një dasmë në Kopiliq për të kuptuar ku fshihet ai. Mal Ozdrimi, që kishte qenë në atë dasmë, dëgjon dy burra duke folur që po punonin në Istog dhe me ta ishte një mjeshtër serb nga Leqina. Mal Ozdrimi interesohet se cili ishte ai kolon serb mjeshtër, që punon në Istog dhe vërteton se ai ishte Gali. Në rrëfimet e familjarëve të Abdyl Dragës, janë ruajtur edhe detaje nga prita që kanë organizuar Mal Ozdrimi dhe Xhemë Gllareva për të vrarë Gal Milenkun.

Në fshatin Bellopojë të Istogut, dy luftëtarët e njohur të asaj kohe, Mala e Xhema merren vesh që Xhemë Gllareva të dal në rrugë dhe të flas me kolonin serb, pasi dyshonte fort se ai e njeh dhe nuk dyshon. Kur ia shtrijnë dorën njeri tjetrit, Xhema synon ta rrëzojë menjëherë kolonin, por ai kishte qenë shumë i fuqishëm dhe rrezikon ta rrëzojë vet Xhemën. Duke parë veten në rrezik, Xhema e thërret për ndihmë Malën që ishte fshehur në pritë. Mala del shpejt dhe aty vret Gal Milenkun. Mal Ozdrimi personalisht shkon e njofton Abdylin për likuidimin e Gal Milenkut, pasi më parë ia kishte dhënë besën për këtë hakmarrje”.

Abdyl Uka ka pasur dy djem e dy vajza. Që të katër janë vrarë nga serbët. Fazlia në moshën 11-vjeçare në vitin 1912/13. Ceni, i lindur më 1920, djali i dytë i Abdylit, babai i Rrahmanit, u vra nga serbët në Izbicë më 1999. Hava, e bija e Abyl Ukës, e martuar në Kostërc për Bajram Isuf Nimanin, akoma konsiderohet e zhdukur në luftëm e fundit, në vitin 1999. Shota, e bija e Abdylit e martuar në Gjurgjevik të Vogël, në moshë të shtyrë, po ashtu është vrarë nga serbët në vitin 1999. Nga këto dëshmi del se asnjë vrasje apo masakër serbe në Kosovë nuk ka ndodhur rastësisht.

Shqiptarët bënin jetë paralele me kolonët, të cilët nuk kishin asnjë ndalesë për të vrarë shqiptarë. Në anën tjetër, ballafaqimi i shqiptarëve për jetë a vdekje me kolonët serbë, që u vendosën në tokat e tyre, vazhdoi çdo ditë, plot një shekull.

Masakrimi i 147 shqiptarëve në Izbicë, në luftën e fundit në vitin 1999 u krye nga dora e paramilitarëve serbë të drejtuar nga kolonë të njohur të Leqinës dhe të Belicës, sepse ata e kanë njohur mirë terrenin. Numër i madh i të pushkatuarve në Izbicë janë fshatarë të Leqinës të cilët dihen me emër e mbiemër. Dihet se terrenin e fshatit e njihnin si duhet vetëm kolonët serbë që kanë jetuar aty kohë të gjatë. Ata kanë njohur mirë edhe çdo fqinj të tyre shqiptarë.

Kisha Ortodokse Serbe, si askush tjetër dinë saktë për çdo vrasje dhe çdo vrasës dhe ajo ishte dirigjent i krimeve të shumta në Kosovë, pikërisht nëpër ato vendbanime ku kishte pasur çdo herë rezistencë të madhe kundër kolonizimit serb. Frika nga dekonspirimi i planeve vrastare ekzistonte te dy palët, edhe të shqiptarët edhe te serbët. Kështu me dekada, për vrasjet mes tyre nuk ka biseduar hapur askush, në asnjë rast, kur ishte prezent një i tretë. Shumë më vonë, rrethi mësonte ndonjë detaj, por të pa konfirmuar, apo çdo herë me dyshim. Njerëzit vriteshin, varret hapeshin por vrasësit nuk i kërkonte askush, pasi realisht shqiptarët qenë vënë jashtë çdo ligji, plot një shekull.

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

La Liga
Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Ndërkombëtare
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Kalo në kategori