LAJMI I FUNDIT:

Kjo gjë donte të më zhbënte: Mark Lanegan për koronavirusin dhe luftën e gjatë për mbijetesë

Kjo gjë donte të më zhbënte: Mark Lanegan për koronavirusin dhe luftën e gjatë për mbijetesë
Mark Lanegan

Në kujtimet e botuara rishtazi, me titullin “Djalli në komë”, rokeri Mark Lanegan rrëfen se si koronavirusi e mbajti për disa muaj të shtrirë në spital, duke ia shkaktuar një mori problemesh e halucionacionesh. Një pjesë të kujtimeve të publikuar në ditoren “The Guardian”, Telegrafi e sjell si më poshtë.

… Për disa ditë ndihesha i dobët dhe i sëmurë. Pastaj, një mëngjes u zgjova i shurdhër. Ekuilibri po lëkundej, ndërsa mendja ime ishte në një gjendje ëndrrash surreale psikodelike.


Më rrëshqiti këmba në maje të shkallëve. Kokë e këmbë rashë deri te pragu i dritares, meqë u rrëzova nga shkallët e ngushta të shtëpisë time. Gruaja ime ishte jashtë, duke kalëruar atë ditë. U kthjella disa orë më vonë, pa mundur të dëgjoja gjë, i paaftë për të lëvizur, me dy gërvishtje të mëdha të hapura në kokën time dhe gjurin që nuk mbante asnjë peshë.

Dy ditë u mundova të shkoja përmes shkallëve në shtrat, por pa sukses. Nuk mund të lëvizja, e as gruaja nuk mund ta mbante trupin tim prej 91 kilogramëve, kështu që shtrova disa batanije në dyshemenë e fortë. Brinjët ishin plasaritur, shtylla kurrizore e mavijosur, e rënduar dhe e lënduar, ndërsa gjuri tashmë i çrregulluar kronikisht, shkoi prapë për lesh – ndoshta pse tendinat ishin këputur ose ndonjë ligament ishte prerë. Këmba ishte e padobishme. Çdo përpjekje për të marrë frymë ishte betejë, pa marrë parasysh se sa fort u përpoqa të merrja frymë në mënyrë natyrale.

Ndonëse nuk pranova të shkoj në spital, gruaja e thirri një ambulancë, pa e ditur unë, dhe ata më nxorën jashtë përmes rrotave. Përfundova në kujdesin intensiv, në pamundësi për të marrë oksigjen. U diagnostikova me një lloj të ri ekzotik të koronavirusit për të cilin, natyrisht, nuk kishte kurë. Më vunë rashë në komën e shkaktuar nga mjekësia, por asgjë nga këto nuk i mbaj mend.

Një muaj më vonë – kur s’u vizitova nga asgjë tjetër veçse ëndrrave bizare, vizioneve të çuditshme, errësirës në hije, kujtimeve të pabesueshme dhe halucinacioneve të përsëritura, e që të gjitha këto shenja dalluese të përvojave afër vdekjes – isha përsëri i vetëdijshëm. Ende në kujdesin intensiv, me kateterin në maje të penisit. Çdo tentim për të marrë frymë thellë – qoftë edhe një gogësimë – haste në ndjesinë e padëshiruar, thuajse të përplasjes për gjoksin tim të çekanit dhjetë kilogramësh. Me sa duket, drita ime ishte fikur përgjithmonë, më shumë se një herë. Kjo gjithnjë sipas mjekëve dhe infermierëve.

Më pyesnin tri herë në ditë nëse e dija se ku isha dhe rrallëherë jepja përgjigje të saktë. Ndonjëherë udhëtoja me kilometra të tërë për t’ia dorëzuar drogën dikujt, në një qytet tjetër, ose çmontoja një makinë të vjedhur, pas mesnate, për t’ia shitur nesër pjesët. Ndonjëherë paketoja patate dhe i grumbulloja në paleta në fabrikë ose përdorja grepa metalikë për ta hedhur sanën mbi një traktor nën diellin e fortë të verës së Uashingtonit lindor; ose gatuaja si i dehur petullat dhe mëngjeset me vezë në një restorant të mbushur, pas pirjes dhe dehjes gjatë gjithë natës. Ishin këto  disa nga aktivitetet – mes shumë të tjerave – që i kisha bërë në rininë time. Ndonjëherë ndjeja se isha në një autobus turistik në ShBA ose në Britani të Madhe, dhe mbaj mend se më dukej se isha në një tren duke udhëtuar nëpër Australi, për një kohë të gjatë. Kina, Lindja e Mesme, fushat e Kanadasë dhe vendi ku isha rritur në Paqësorin Veriperëndimor, ishin këto të gjitha vendet që i imagjinoja e ku isha në qendër të vëmendjes në mes të mallkuarve. Nuk e kisha idenë se nga erdhën këto deluzione, por ishin gjithmonë të pranishme.

Isha paksa më i vetëdijshëm kur arrita të kuptoja se isha i lidhur me pajisjet mjekësore, por m’u duk sikur dhomat ku shtrihesha ishin gjithmonë të ndryshme, gjithnjë duke ndryshuar. Një shtëpi, një prapaskenë diku, dhe teksa dhomat ishin përgjithmonë të ndryshme, pamja nga dritarja ishte gjithmonë e njëjtë. Në fakt, isha në spitalin që është 20 minuta larg shtëpisë sime në Kontenë Keri në Irlandë, dhe nuk e kuptoja se pamja në ëndrrën time ishte pamja nga dritarja e dhomës së spitalit.

Një natë ëndërrova se po jetoja në një apartament të madh, pa dritare, në bodrumin e lagtë të rrugës kryesore në Sijetël, me disa nga ish të dashurat dhe ish-gruan e mia, shumë prej të cilave më urrenin në jetën reale e që të gjithat ishin në harmoni me njëra-tjetrën. Ndjeva sikur një paqe më pushtoi. Një natë tjetër ëndërrova se isha kthyer në shtëpinë time të mëparshme në Kaliforni, një vend që gjithmonë betohesha se nuk do ta braktisja, duke fluturuar si me magji mbi pemët frutore, me qenin tim të vogël në krahë, duke i kap mollët aromatike nga majat e pemëve dhe duke e ushqyer qenin me to teksa ma lëpiu fytyrën, ashtu siç bëri ditën kur ngordhi dhe ma theu zemrën. U zgjova nga kjo duke qarë, me këmishën e lagur nga lotët e dëshpërimit.

Që nga momenti që më nxorën nga gjumi i shkaktuar nga kimikatet dhe më thanë se çfarë kishte ndodhur dhe se ku kisha qenë, isha i përcaktuar ta mbijetoja këtë makthi, edhe pse kisha shumë pak për të thënë. Në fakt, nuk kisha fjalë për këtë punë dhe zero municion për të luftuar me të.

Gjashtë javë më vonë, ende në intensive, në orën 3.30 të mëngjesit, i zgjuar si hut, i këputur, luftoja për ajër. I kapitur nga pagjumësia e rëndë dhe nga goditjet e dyfishta të virusit dhe lëndimeve, nisa të doja të jem ende në errësirën mjekësore. Dukej ashiqare se sa më shumë e doja një harresë të përkohshme, sasitë mjerisht të pamjaftueshme të pilulave Seroquel, Xanax dhe OxyContin, që m’i jepnin ata, nuk më mbanin aty për më shumë se disa minuta – ndoshta sepse me vite të tëra kam marrë doza sa për një elefant, të të njëjtit mut. Për mua ishte e natyrshme t’i përpija pilulat si karamelet dhe e bëja këtë për në kohë të gjatë saqë kisha harruar se si reagonin ato, përveç nëse isha një kohë pa to e pastaj ia nisja përsëri. Dhe, sigurisht, nuk më kishte shkuar kurrë në mendje se mund të vinte momenti kur do të kisha nevojë legale për disa nga to.

Teksa nisa ta kthej ngadalë mendjen time të shkatërruar, dështoi marrëveshja që bëra me një mjek një natë, për ilaçet shtesë: as nuk i mora ilaçet që m’i kishin premtuar, as nuk m’u dha liria për të pirë duhan në dritare, para se të fikeshin dritat.

Gjithçka dukej si diçka që po ndodhte përsëri, një dezha vy e padëshiruar, me rezultatin përfundimtar të paracaktuar. Nostradamusi papak brenda meje ka qenë shpeshherë korrekt në aspektin mitik sa i përket disa rezultateve të mundshme në ndonjë situatë të caktuar, por ajo që mendja ime vetëshkatërruese thoshte këtu ishte krejt diçka tjetër. Megjithatë, e kisha të pamundur t’i ndalja këto mendime të padëshiruara që të ma pushtonin kokën për 50 herë në ditë.

Isha aq i zemëruar nga privimi i cigares që ma kishin premtuar, saqë ndërpreva komunikimet me stafin – për një javë ose më shumë. Një torturë e panevojshme.

Gjithnjë e më shumë kjo ma kujtonte shtrirjen e pafundme në burgun e qarkut nga i cili nuk mund të ikja, me datën e gjyqit qëllimisht të pacaktuar, duke lëvizur të tjerët vazhdimisht përreth meje, vetëm e vetëm për të më mbajtur brenda. Çfarëdo që ishte brenda këtij vagoni muti ku isha mbërthyer për të lëvizur me të, kjo nuk ishte fare shaka.

E mora hisen e merituar të goditjeve, përgjatë viteve, por kjo gjë po përpiqej të ma shpërbënte trupin dhe mendjen, e unë nuk mund ta shihja fundin e kësaj.

Pesë e tridhjetë e mëngjesit, dritat ndizen dhe fiken, infermieret tashmë qeshin dhe nisin të punojnë nëpër korridor; nuk mund të flija as pesë minuta, po të doja, e në fakt doja aq shumë. Më duhej të dilja nga këtu, kjo ishte kryesorja.

Një nga efektet anësore simpatike të koronavirusit ishte humbja e nuhatjes dhe e shijes, duke bërë që gjithçka që provoja të haja të dukej sikur ishte gatuar në një kuti për mace. Sa më shumë që mjekët vazhdonin ta theksonin rëndësinë e të ngrënit dhe ta shtynin pafund ushqimin para, aq më pak ishin gjasat që unë ta fusja në gojë. Pas një seance tjetër torturuese të tentimit për të ma marrë gjakun, refuzova fuqishëm të jem jastëk gjilpërash, duke shkaktuar probleme gjatë gjithë kohës sa isha i vetëdijshëm.

Thuhej se veshkat dështuan dhe se teksa isha në komë isha edhe në dializë, me mjekët që parashikonin çdo ditë vdekjen dhe errësirën, duke e përgatitur gruan time dhe rrethin e ngushtë të miqve për zhbërjen time të afërt, për dializën e përjetshme ose transplantin. I thanë gruas sime se e mbaj rekordin e qëndrimit më të gjatë në këtë gjendje të mbijetesës, në këtë institucion.

E dija se ku fshiheshin venat e mia të mbetura dhe se do të kishin qasje te to po të lejoheshin, por gjëja e fundit që një mjek dëshiron për pacientin është të bëjë diçka që nuk mundet. U përpoqën ta arrinin një marrëveshje me mua: le të përpiqen të nxjerrin nga një arterie një herë ose të përpiqen pesë herë për të gjetur një venë më të përshtatshme. Menjëherë vura veton ndaj këtij plani. Do të isha i mallkuar para se ta lija ndonjë mjek ose dikë tjetër të më fuste diçka në arterie, një punë kjo me probleme të dhimbshme. Më parë e futa aksidentalisht heroinën dhe kujtimi nga ajo përvojë e mjerë nuk ka ikur kurrë. Por, as pesë përpjekjet tjera për të gjetur një venë normale nuk do të funksiononin për mua.

U kërkova që të shkonin te vena e qafës dhe të mbaronin punë, por mjeku i ri u tremb nga kjo, se nuk ia ka marrë kujt dikur gjakun nga qafa. Diku në fund të mendjes time e dija gjithmonë se ato venat e mbetura për një moment do të ishin të vlefshme … /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Grave

Grave

Fjala+
Historia e marigonave të Kosovës: Qëndisën flamuj edhe kur ishte e ndaluar

Historia e marigonave të Kosovës: Qëndisën flamuj edhe kur ishte e ndaluar

Kulture
PËRDHUNIMI

PËRDHUNIMI

Fjala+
PËRKORJE

PËRKORJE

Poezi
SHTËPIA E RE

SHTËPIA E RE

Poezi
MBRETI I TULËS

MBRETI I TULËS

Poezi
Kalo në kategori