LAJMI I FUNDIT:

Kjo është gruaja, lokomotivë e ekonomisë nigeriane: Në 20 vitet e ardhshme, do të jemi në G-20!

Kjo është gruaja, lokomotivë e ekonomisë nigeriane: Në 20 vitet e ardhshme, do të jemi në G-20!

Elegante, e arsimuar në Universitetin e Oxfordit, Amy Jadesimi, nuk është aq larg të qenit një princeshë nigeriane: Babai i saj, shefi Oladipo Jadesimi, themeloi një kompani masive logjistike të cilën ajo e udhëheqë – ambiciet e saja janë që kompania të shtrihet në të gjithë vendin e saj.

Në telefon ajo flet zgjuar dhe shpejtë, dhe me pak nevojë për të mbledhur frymën e saj: “Në 20 vitet e ardhshme, Nigeria do të mund të jetë në G-20”, thotë ajo.

Hyrja në G-20 nuk është aspak një qëllim i pamundur. Përkundër kërcënimeve nga Boko Haram dhe një krize politike kanosëse, Nigeria është në mes të një bumi të naftës dhe gazit dhe të ardhurat nga këto burime arrijnë një të tretën e Bruto Prodhimit Vendor të vendit – pranverën e kaluar, ekonomia e këtij vendi u bë zyrtarisht ekonomia më e madhe Afrikës.


Dhe në shumë mënyra, Jadesimi, 39-vjeçare, përfaqëson më së miri Nigerinë në rritje, transmeton Telegrafi.

Si drejtore menaxhuese e Lagos Deep Offshore Logistics Base (LADOL), Jadesimi synon që firmën e saj ta kthejë në vende pune për vendasit. “Rreth 50 mijë”, thotë ajo.

Siç edhe qëndron, dollarët e naftës rrallë arrijnë tek nigerianët që jetojnë në varfëri – pothuajse gjysma e popullsisë. Shkalla e papunësisë është 24 për qind.

Lëvizshmëria sociale praktikisht nuk ekziston, dhe Jadesemi, ofron disa dëshmi: Babai i saj është një biznesmen i shquar, me aksione të mëdha në Niger Delta Oil Company, dhe një partner themelues i Arthur Andersen Nigeri. Ai themeloi LADOL-in në 2001, dhe ajo iu bashkua kompanisë në 2004 pasi kishte fituar një kualifikim në Stanford.

Jadesimi këmbëngul se ajo kurrë nuk do të ketë pranuar punën në fjalë nëse nuk do të ishte e bindur se është personi më adekuat.

Duke gjykuar nga përkushtimi i saj për kompaninë, ka të ngjarë të ketë të drejtë.

“Ne nuk jemi një dyqan i vogël”, thotë ajo me një theks britanik, që e kishte mësuar gjatë shkollimit të saj në Britani të Madhe.

“Ne jemi një korporatë dhe trashëgimia e babait tim shkon përtej familjes së tij”.

Thirrjet e saja të pafund për konferenca dhe vizita në bazën në det kanë një qëllim kryesor: për të pakësuar varësinë e vendit të saj për të holla të huaja dhe stimuluar investimet vendore në infrastrukturë.

Nëse Nigeria shkon përtej eksporteve të papërpunuara të naftës dhe gazit, sikurse që mund të jenë prodhimet, ajo mund të bëjë shumë më shumë miliarda.

Ajo është tani duke investuar 300 milionë dollarë së bashku me Samsung Heavy Industries, për të zgjeruar bazën e saj në det të hapur dhe të ndërtojnë portin më të madh të vendit.

Kjo do të mundësojë ndërtimin e anijeve me kontrata miliarda dollarëshe, të cilat kompanitë e naftës që operojnë në Nigeri zakonisht i kanë porositur nga vende si Japonia.

Nga 2016, Jadesimi thotë se projekti do të mund të krijojë 50.000 vende pune, shumica e të cilave do të kërkonin personel të kualifikuar për dy apo tre vjet, kohë që duhet për të ndërtuar një varkë.

“Për të realizuar potencialin e këtij vendi, thjesht duhet të krijojmë vende pune, dhe për të krijuar vende pune kemi nevojë për të zgjidhur disa çështje kritike të infrastrukturës”, thotë ajo.

Në 10 vjet, ajo dëshiron që kompania të cilën ajo menaxhon, LADOL, të punësojë vetëm vendasit.

Diversifikimi përtej produkteve të papërpunuara duket një domosdoshmëri për zhvillimin e Nigerisë.

Produktet e papërpunuara janë privilegj i disave, përfitim nga lidhjet e mira me qeverinë.

Dhe interesante, gratë janë duke u bërë gjithnjë e më prezente në tregun e naftës në Nigeri: gruaja më e pasur me ngjyrë në botë është një tjetër manjate nigeriane, Folorunsho Alakija, një dizajnere mode e cila dikur vishte ish-zonjën e parë dhe që së bashku me një pjesë të vogël të të tjerëve, duke qenë afër presidentit, mori një licencë për kërkimet e naftës.

“Ato janë shembuj të rëndësishëm sepse pa marrë parasysh se si ato arritën deri atje, duhet të punojnë shumë”, thotë Moremi Onabolu, menaxher i programit në WimBiz, një program që nxit gratë në menaxhim të biznesit dhe të shërbimit publik.

Megjithatë, është qartë e largët se plani infrastrukturor i Jadesimi mund të jetë i mjaftueshëm për të sjellë përfitime për shumë nigerianë.

Shërbimet e naftës dhe ato të lidhura me të përbëjnë një përqindje shumë të vogël të fuqisë punëtore të vendit – larg prapa bujqësisë, peshkimit,… shpesh kërkojnë aftësi të cilat vendi nuk i ka, transmeton Telegrafi.

Pastaj, kohëve të fundit ka edhe rënie në çmimet e naftës globale. Kjo është arsyeja pse “investitorët nigerianë duhet të jetë në kërkim për të zhvilluar bujqësinë dhe industrinë e tekstilit përsëri, në vend të naftës, sepse kjo është ajo ku shumica e punëve mund të krijohen në afat të gjatë”, argumenton John Campbell, nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë dhe autori i “Nigeria: Duke vallëzuar në margjina”.

Jadesimi e din që nafta nuk do të zgjasë pafundësisht, gjithsesi, dhe insiston se nuk do t’i vendosë të gjitha që ka në atë “shportë”.

Ajo planifikon që në objektet e ndërtuara, përveç depozitave të naftës dhe gazit, të mund të ndërtohen edhe anije mallrash dhe vepra artizanale të përdorura në industri të tjera.

Për të “LADOL” i saj nuk është vetëm i naftës dhe gazit; kjo është “një kompani infrastrukture”.

Dhe kështu, rritja infrastrukturore e Nigerisë është duke marrë rrugën e shpejtë. Tani pyetja është, a do të ndihmojë kjo, shumicën, për të ecur përpara, apo do t’i lejë ata edhe më prapa? /Telegrafi/