LAJMI I FUNDIT:

Kina nuk ka qenë kaq keq qe 25 vjet

Kina nuk ka qenë kaq keq qe 25 vjet

Kryeministri kinez, Li Keqiang ka thënë se ekonomia e dytë më e madhe botërore do të synojë këtë vit një rritje prej vetëm 7 për qind, duke dhënë shenja për një rritje më të ulët në çerekshekullin e fundit.

Në fjalën e përgatitur për hapjen e takimit vjetor parlamentar të Kinës në Pekin, Li u zotua të luftojë korrupsionin dhe ndotjen, dhe theksoi nevojën për reforma “të dhimbshme” për të mbështetur ekonominë në afat më të gjatë.

Kryeministri ka thënë se Kina këtë vit do të ballafaqohet me sfida më të mëdha ekonomike se sa në vitin 2014, transmeton Telegrafi.


“Presioni për rënie të ekonomisë së Kinës është intensifikuar”, ka thënë Li.

“Problemet e rrënjosura thellë në zhvillimin ekonomik të vendit janë duke u bërë më të dukshme. Vështirësitë me të cilat përballemi këtë vit mund të jenë më të mëdha se vitin e kaluar. Viti i ri është një vit vendimtar për thellimin e të gjithë reformave”, citohet të ketë thënë kryeministri kinez.

Ekonomia e Kinës u rrit 7,4 për qind vitin e kaluar, e përafërt me parashikimet e institucioneve atje, parashikim që shkonte deri në 7,5 për qind – rritje kjo më e vogla në 24 vitet e fundit. /Telegrafi/