LAJMI I FUNDIT:

Këshilla për prindërit e fëmijëve me autizëm, përgatitja për vizitë tek dentisti!

Këshilla për prindërit e fëmijëve me autizëm, përgatitja për vizitë tek dentisti!

Dr. Dardan Bekteshi
Specialist i Pedodoncisë dhe Stomatologjisë Preventive

Autizmi është një çrregullim i zhvillimit të fëmijës që zakonisht shfaqet gjatë tre viteve të para të jetës dhe përfshin një spektër të gjerë sjelljesh. Por tiparet kryesore janë keqfunksionimi i ndërveprimeve sociale, aftësive komunikuese, dhe sjelljeve të kufizuara e përsëritëse.


Një fëmijë autik përshkruhet nga familjarët si një fëmijë që duket sikur jeton në botën e tij, duke treguar interes të pakët për praninë e të tjerëve dhe ndërveprimin me ta.

Afërsisht 15-20 nga 10.000 fëmijë të lindur, më vonë diagnostikohen me autizëm.

Një shëndet i mirë oral është një element esencial për shëndetin dhe mirëqenien e secilit prej nesh. Ndonjëherë nuk është e lehtë të bindësh vogëlushët që të respektojnë rregullat bazë për të mbajtur dhëmbët dhe gingivat të shëndetshme dhe situata komplikohet edhe më shumë kur fëmijët vuajnë nga autizmi.

Fëmijët autik janë fëmijë shumë rutinor, e duan rutinën dhe vetëm ideja që duhet ta ndryshojnë për të shkuar te dentisti në vend se, për shembull në shkollë ose në qendrën e rehabilitimit, paraqet një stres shumë të madh.

Një vizitë tek dentisti me një fëmijë autik mund të jetë traumatik. Jo vetëm ka frikë të zakonshme që lidhen me të huajt që vënë duart në gojën tuaj, ka tinguj të çuditshëm, shije dhe ndjesi, drita të ndritshme dhe dhimbje të rastit.

A është fëmija im më shumë i prekur nga kariesi sepse vuan nga autizmi?

Të gjithë dhëmbët janë të rrezikuar nga prishja nëse u ekspozohen ushqimeve dhe pijeve të sheqerosura në veçanti dhëmbët e qumështit për shkak të shtresës së hollë të zmaltit.

Hulumtimet e fundit tregojnë se fëmijët me autizëm, nuk janë më të prekur nga kariesi se sa fëmijët e tjerë.

Sidoqoftë, disa medikamente që mund t’i përdorin këta fëmijë mund të shkaktojë tharje të gojës që rritë mundësin e shfaqjes së kariesit.

Fillimi i mbarë, çelësi suksesit!

Kariesi është pothuajse gjithmonë i parandalueshëm, nëse i kushtojmë kujdes higjienës orale me kohë. Tek fëmijët autik mirëmbajta e higjienës orale është dyfishë më e rëndësishme se sa tek fëmijët e tjerë, sepse kështu mund t’i shmangemi trajtimit të dhëmbëve, e që për këta fëmijë mund të jetë procedurë shumëherë më e vështirë. Gjithashtu është me rëndësi krijimi i shprehive të mira që nga mosha e re, se sa të provojmë më vonë t’ua ndryshojmë këto shprehi të këqija.

Është e rëndësishme që posa fëmijës t’i shfaqet dhëmbi i parë në gojë dhe para ditëlindjes së parë, të bëjë vizitën e parë tek dentisti.

Përgatitja e pacientëve autikë për vizitë tek dentisti!

Fëmijët me autizëm kërkojnë përkushtim të veçantë të prindërve dhe dentistit për ta realizuar vizitën e parë. Preferohen disa takime njoftuese mbi shëndetin e gojës para se të fillojmë me ekzaminim. Është e rëndësishme për pacientin që në këto takime bisede ta takojë të njëjtin dentist dhe asistente dentare me qëllim që të njoftohet me personelin dhe njëkohësisht të fitojë besim tek ata.

Nëse klinika dentare është e njoftuar se kemi të bëjmë me një fëmijë autik, preferohet ta marr në telefon familjen para se të vijë në klinikë. Qëllimi i bisedës është të marrim sa më shumë informata mbi pacientin… çfarë gjërash i pëlqejnë, cilat dhurata i preferon, a i ka bezdi zhurmat, dritën, etj. Shpeshherë këta fëmijë dinë të jenë më të ndjeshëm ndaj zhurmave, dritës, erërave, etj.

Preferohet gjithashtu që prindërit ta vizitojnë klinikën pa fëmijën, që të njoftohen me ambientin, ku është parkingu, dera hyrëse, kush do t’i pres tek recepcioni, etj.

Ekzaminimin mund ta fillojmë disa ditë pasi t’i kemi kryer takimet, bisedat njoftuese. Vizita e parë duhet të jetë e këndshme për pacientin, andaj kryejmë kontrollin me pasqyrë/sondë, eventualisht pastrimin e dhëmbëve dhe fluorizimin. Mbushja e dhëmbit, apo grafia zakonisht nuk preferohet në seancën e parë, shpeshherë për këto trajtime duhet dhënë edhe sedacion apo anestezion të përgjithshëm.

Fëmijët me autizëm parapëlqejnë të përdorin dhe fotografitë si ndihmesë në komunikim. Sot, teknologjia e re na ka lehtësuar shumë realizimin e këtyre fotografive, që na lehtësojnë shumë komunikimin me këta pacient. Preferohet t’i nxjerrim fotot e stafit të klinikës, hapësirave në klinikë. Gjithashtu një foto me gojë të hapur që simbolizon “hape gojën”, fotografia e brushës së dhëmbëve, karriges stomatologjike, llambës etj. Këto foto mund të përdoren edhe në shtëpi me qëllim përgatitjen, njoftimin me ambientin para se të vijë në klinikë.

Komunikimit me këta fëmijë duhet kushtuar rëndësi të veçantë duke përzgjedhë fjalorin me qellim që të jetë sa më i kuptueshëm për ta.

Për çfarë keni nevojë?

▪ Fotografitë e një vizite tek dentisti
▪ Video të preferuara të fëmijës suaj
▪ Syze dielli dhe dëgjuese për vesh nëse është e nevojshme
▪ Pastë dhëmbësh dhe pije në shijet e preferuara të fëmijës suaj
▪ Një ndjenjë humori dhe gatishmëri për të punuar së bashku me dentistin e fëmijës suaj

Pastrimi i dhëmbëve në shtëpi – Roli i prindërve

Pastrimi i dhëmbëve me brushë në shtëpi është më së i domosdoshëm me qëllim të mirëmbajtjes së higjienës së gojës. Sidoqoftë, shumë fëmijë me autizëm e kanë të vështirë pastrimin e dhëmbëve me brushë dhe mund të jetë një betejë e vërtetë për ta! Realisht, pastrimi i dhëmbëve duhet të fillojë posa të del dhembi i parë, në mënyrë që të bëhet pjesë e rutinës ditore të tyre.

Rekomandohet që të gjithë fëmijët kanë nevojë për ndihmë, asistencë në larjen e dhëmbëve deri rreth moshës 7-vjeçare deri sa ata nuk i kanë aftësitë e duhura motorike të dorës për larjen efektive të dhëmbëve. Fëmijët autik mund të kenë nevojë për ndihmë më gjatë se kaq. Larjen mund ta lehtësojë edhe prania e dy brushave – njërën për ju që ta mbani edhe një për fëmijën tuaj, kjo do t’ju ndihmojë atyre që ta ndjejë që e kanë në kontroll procesin.

Cila është mënyra më e mirë për t’i pastruar dhëmbët e fëmijës tuaj?

Qëndroni në këmbë ose ulur pas dhe sipër fëmijës tënd, që ju të mund të shikoni se cilën sipërfaqe jeni duke e pastruar, njëkohësisht ta mbështetësh kokën e fëmijës tuaj. Dentisti, higjienisti ose terapisti juaj duhet të rekomandojë pozicionet dhe strategjitë.

Kur duhet pastruar dhëmbët?

Ideale do ishte dy herë në ditë – para gjumit dhe në një kohë tjetër gjatë ditës. Para gjumit është më e rëndësishme sepse fluori i pastës do të qëndrojë në dhëmbë derisa fëmija është në gjumë. Mbajeni në mend që ta inkurajoni fëmijën tuaj që të pështyjë tepricat e pastës. Dekurajoni shpëlarjen pas larjes së dhëmbëve në mënyrë që benefitet e fluorit të zgjasin.

Cilën pastë duhet ta përdorim?

Disa fëmijëve nuk u pëlqen shija dhe pamja e pastave dhe mund të preferojnë brende të cilat nuk përmbajnë flour apo më pak shkumëzues. Nëse me të vërtetë jeni në telashe, provoni së pari të pastroni dhëmbët me ujë, pastaj shpëlani brushën dhe vendosni pak paste flouroide përreth dhëmbëve. Pyeteni dentistin rreth llojeve të ndryshme të pastave që janë në treg. Gjëja më e rëndësishme është përmbajtja e fluorit.

A duhet të blej një brushë elektrike?

Dhëmbët e fëmijëve mund të pastrohen në mënyrë të përkryer me një brushë normale (manuale), në fakt për disa fëmijë autik një brushë elektrike mund të jetë shumë e bezdisshme. Nëse fëmija ndien kënaqësi, mund ta përdorë edhe brushën elektrike. Fëmijët më të rritur që vuajnë nga displaxia, brusha elektrike ua lehtëson shumë pastrimin e dhëmbëve.

Për shkak se është më i vështirë pastrimi, gjegjësisht mbajtja e higjienës orale, prezenca e pllakut është më e madhe tek këta fëmijë dhe kjo do të shkaktojë skuqje të mishrave, inflamim dhe mundësi të gjakosjes. Por, me pastrimin e rregullt, gjakosja do të ndalet dhe mishrat do të marrin ngjyrë normale e të shëndetshme.

Ushqimi dhe shëndeti oral

Prishja e dhëmbit shkaktohet nga sheqernat që i marrim me anë të ushqimit. Është sfidë për prindërit të përzgjedhin ushqimin që përmban më pak sasi të sheqernave.

Është shumë me rëndësi që të limitohet marrja e pijeve dhe ushqimeve që përmbajnë sheqer gjate ditës, duke e lëne mundësinë për përdorimin e tyre vetëm gjatë shujtës kryesore.

Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm se jo të gjithë dentistët kanë dëshirë të punojnë me fëmijë të spektrit autik. Puna me këta fëmijë kërkon përkushtim, dëshirë, humanizëm, dhembshuri dhe dije. Dentistët pediatër mund të jenë një zgjedhje e mirë, prandaj ju rekomandoj ta kërkoni një specialist të pedodoncisë.

Të jetosh … nuk do të thotë të numërosh fatkeqësitë, humbjet apo zhgënjimet nga ngjarjet e jetës. Të jetosh do të thotë të mësosh të notosh në ujëra të qeta e të trazuara me po aq madhështi dhe të ndjesh bekimin edhe në ditët më të vështira.” – Leisa Hammett. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori