LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet promovimi i punës së grave në bujqësi

Kërkohet promovimi i punës së grave në bujqësi

Në kuadër të projektit “Sired”, është organizuar tryeza e rrumbullakët me temën “Roli i mediave në promovimin e agrobizneseve të grave në sektorin e përpunimit të frutave dhe perimeve”.

Drejtori i Shoqatës së Përpunimit të Pemëve dhe Perimeve, Hartim Gashi ka thënë se qasja në media e këtyre bizneseve është shumë e vështirë.


“Gjatë gjithë kohës kemi debate politike, rrallë ka debate për zhvillimin e bujqësisë. Eksportet e bujqësisë janë 150 milionë, bujqësia e Kosovës ka rritje signifikante prej vitit në vit. 2500 janë të punësuar vetëm në sektorin tonë”, ka theksuar ai.

Më tej, në këtë tryezë të organizuar u tha se hapësira është e kufizuar dhe është e domosdoshme që të promovohet puna e vështirë e grave në këtë sektor.

Daniela Çoçaj nga “Ecokos Women” kërkoi që tu jepet hapësirë grave në zona rurale, të cilat po punojnë me mund dhe sakrificë.

“Me trajnime të ndryshme po mundohemi të ngrisim vetëdijen e grave për punën dhe pronat. Ju nevojitet ndihma përmes donacioneve të ndryshme. Kemi shumë gra punëtore, të cilat janë të gatshme të punojnë. Por puna e tyre nuk po shihet askund”, ka shtuar ajo.