LAJMI I FUNDIT:

Kërkim-dorëheqja “teatrale” në teatrin e akademive

Një lajm befasues dhe i papritur për disa zyrtarë dhe “analistë” të rrjedhave të teatrit në Kosovë! Drejtori i Teatrit, Ariani “i vogël”, paska dhënë dorëheqje! Arsyetimi, sado i shkurtër, ishte bindës. Megjithatë, ka mbetur të hënën të dalë më i gjerë dhe më konkret.

Arian Krasniqi, me veprimit e tij, e bëri një gjest madhështie, pavarësisht se dorëheqjet e parevokueshme, shpeshherë edhe nuk realizohen deri në skenimin përfundimtar. Ngushtimi i hapësirës për veprim të mëtutjeshëm, ndërhyrjet politike dhe presioni burokratik i zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës janë arsyet e para për të cilat ai vendos për dorëheqje me letër. Reagimi i parë nga zyrtarët e Ministrisë ishte i dyanshëm: çmohet dhe vlerësohet puna e tij, ndërkaq konsiderohet veprim i nxituar!


Në fillim të vitit, kur kishte pak muaj që ishte emëruar, udhëheqësit e Teatrit për Ekzekutivin qeverisës në Kosovë e postojnë një letër të hapur vetëm për mbështetje! Ata kërkuan nga Qeveria paga më të dinjitetshme për aktorët.

Atëherë shkruam për tri dilemat e teatrit si tempull i njohjes, si krijim i veprës dramaturgjike dhe si “eksperiment” për stafin menaxhues e drejtuesit e teatrit:
1. Shikuesi i dekadave të mëparshme si shikues i emancipimit dhe njohjes së tempullit të dijes, siç është teatri!
2. Shikuesi i paraluftës si shikues për të hyrë në teatër në njohjen e tematikës dramaturgjike dhe ngritjen e shkollës së teatrit vendor!
3. Shikuesi i pasluftës, për çka shikues?!

Në të gjitha këto dilema gjatë dekadave, si është trajtuar lindja dhe kulminacioni i një vepre skenike gjatë viteve të paraluftës, si qëndron sakrifica për të mbijetuar dhe a kemi arritur gjatë viteve të pasluftës në një lodër në lojën e krizës së publikut dhe veprës skenike?!

Teatri, ky tempull i ardhur nga thellësitë më të “errëta” të njerëzimit! Një log në të cilin shpërfaqen të gjitha artet e mundshme “tradicionale”. Aty ku komunikohet më drejtpërdrejt! Aty ku edhe mund të lëndohesh e të gëzohesh. Aty ku hyhet lehtë, por nga dilet vështirë! Aty ku edhe mund vetëm ta rikujtosh kohën tjetër! Aty ku përplaset shpirtërorja dhe “fizikja” në art! Aty ku edhe mund të “shijosh”, edhe të “prekësh” në thellësitë e universumit të artit të një shpirti, në të gjitha dimensionet dhe “trajtat” krijuese! Aty ku edhe mund të zgjohesh! Teatri, një “objekt” nga mund edhe të nisesh!

Dhe, Kosova, një “periferi” dhe “provincë” e zhvillimeve teatrore, edhe pse “nuk e patëm larg” as Apoloninë, as Butrintin etj., apo ishim mu “në të”, edhe pse në të kundërtën e “së parës” jemi “zhvilluar” tepër vonë, në “krahasime” të tilla e ka pasur rrugëtimin, sa të vështirë e të rëndë, aq edhe krenar.

Arian Krasniqi e përmbyll veprimtarinë e drejtorllëkut me vetëm një letër dorëheqjeje! Po dilema tjetër e teatrit të akademive?! Ndoshta bëri përpjekje, por nuk ia doli t’i ndalë!

Për një drejtor që pranohet se e ka rritur praninë e shikuesve në teatër, ka vënë në repertor më shumë premiera se në vitet paraprake, tani thuhet se ka bërë veprim të nxituar, e në të kundërtën dihet se ka ardhur si drejtor, pas një odisejade dhe “përplasje” të gjatë mëdyshjeje, se arsyetimet e Arianit janë të paqëndrueshme, se akti i dorëheqjes së Krasniqit është veprim i nxituar dhe në shpërputhje me veprimet dhe përpjekjet e përbashkëta të Ministrisë dhe të menaxhmentit të teatrit për të krijuar rend dhe rregull profesional në institucionin e TKK.

Të gjitha këto dhe të tjera sikur e krijojnë një dramë, e cila një ditë do të rivihet në skenë me gjestikulimet memece! Si zakonisht!