LAJMI I FUNDIT:

KEK: Nuk kemi falë asnjë borxh të konsumatorëve

KEK: Nuk kemi falë asnjë borxh të konsumatorëve

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) me anë të një njoftimi zyrtar ka sqaruar opinionin se nuk ka falur asnjë borxh të konsumatorëve deri sot, dhe nuk planifikon të falë as në të ardhmen asnjë borxh të tillë.

“Kohën e fundit kanë qarkulluar dezinformata, të cilat janë plasuar edhe nëpër media se kinse KEK-u ua paska falur borxhin këtij apo atij komuniteti. KEK demanton fuqishëm këto dezinformata, dhe sqaron se i konsideron të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë, pra nuk i ndanë në vija etnike, religjioze apo racore, dhe do të kërkojë nga të gjithë shlyerjen e borxhit deri në centin e fundit”, thuhet në njoftimin zyrtar të KEK-ut.

KEK tutje ka shtuar se, vendosmërisë së korporatës i janë përgjigjur një numër i madh i konsumatorëve, dhe po i përgjigjen gjithnjë e më tepër.

“Këtë e tregojnë edhe shifrat e inkasimit. Gjatë katërmujorit të parë të këtij viti inkasimi bruto ka arritur në 56 milionë euro, që është 40 për qind më i lartë se katërmujori i parë i vitit 2008, kur ishin inkasuar 40 milionë euro. Prodhimi i energjisë elektrike është rritur për 11.7 për qind, ndërsa situata e furnizimit me qymyr është jashtëzakonisht stabile, ku në deponitë e TC “Kosova A” dhe TC “Kosova B” rezervat nuk janë asnjëherë nën 400 mijë tonë”. /Telegrafi/