LAJMI I FUNDIT:

KEDS punëson 50 studentët e Akademisë së KEDS

KEDS punëson 50 studentët e Akademisë së KEDS

Pas përfundimit të programit të rregullt të trajnimit të ofruar nga Universiteti Bogazici dhe ekspertë të KEDS si dhe pjesës së praktikës në KEDS, 50 pjesëmarrësit e gjeneratës së parë të Akademisë do të pajisen me kontrata të rregullta të punës në KEDS.

“Nga data 15 tetor, kur edhe kontratat e përkohshme të punës praktike apo internshipeve skadojnë, të gjithë pjesëmarrësit e gjeneratës së parë të Akademisë së KEDS do të pajisen me kontrata të punës në KEDS.”, theksojnë zyrtarë të informimit në KEDS.

Programi i Akademisë së KEDS mblodhi në vete 50 pjesëmarrës nga Universiteti i Prishtinës dhe shkollat e mesme teknike dhe përgjatë vitit ofroi trajnime të certifikuara profesionale dhe punë praktike për pjesëmarrësit, me qëllim të zhvillimit profesional të pjesëmarrësve dhe të përgatitjes së kuadrove të reja në fushën e energjetikës.


“Ne besojmë që të gjithë pjesëmarrësit pas trajnimeve të ofruara nga Universiteti Bogazici dhe KEDS dhe pas këshillimit të vazhdueshëm nga ekspertë të KEDS tani më janë të gatshëm të kontribuojnë në zhvillimin e sektorit të energjisë dhe ofrimit të shërbimeve kualitative dhe profesionale për të gjithë konsumatorët e KEDS”, theksoi Mesut Serhat Dinc, anëtarë i Bordit Ekzekutiv të KEDS-it.

Organizuar nga Akademia e KEDS dhe KEDS, pjesëmarrësit më të mirë së fundmi vizituan institucione të distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike dhe pajisje moderne të së njëjtës lëmi në Turqi. “Me aktivitete të tilla qëllimi i Akademisë është të ofrojë njohuri për metoda dhe pajisje moderne në fushën e distribuimit, me qëllim që të njëjtat të aplikohen në një të ardhme të afërt edhe në Kosovë”, deklaruan tutje zyrtarë të KEDS.

Gjatë ditëve në vijim do të fillojnë aplikimet për gjeneratën e dytë të KEDS andaj inkurajohen të gjithë studentët të aplikojnë. Këtë vit, nga 50 studentë që do të certifikohen, 25 do të pajisen me kontrata të punës bazuar në rezultatet e arritura gjatë procesit.

Akademia e themeluar nga KEDS në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Universitetin e Prishtinës, Universitetin Bogazici në Turqi, dëshmon rëndësinë dhe suksesin e bashkëpunimit të sektorit privat me institucione publike dhe me institucione të arsimit, drejt ofrimit të alternativave për studentë dhe zvogëlimit të numrit të papunësisë në Kosovë.

Për punën e suksesshme dhe për të arriturat, Akademia KEDS u vlerësua me 4 çmime prestigjioze ndërkombëtare nga Stevie Awards. /Telegrafi/