LAJMI I FUNDIT:

KE mbikqyr ekonominë greke

KE mbikqyr ekonominë greke

Ekonomia greke ka hyrë në stadin paraprak të mbikqyrjes nga Komisioni Evropian (KE). Sipas komisionerit evropian për financat, ky vendim u mor sepse gjatë muajve të mëparshëm autoritetet nuk bënë punë eficente për uljen e deficitit buxhetor.

Athinë, 13 nëntor – Ekonomia greke ka hyrë në stadin paraprak të mbikqyrjes nga Komisioni Evropian (KE). Sipas komisionerit evropian për financat, ky vendim u mor sepse gjatë muajve të mëparshëm autoritetet nuk bënë punë eficente për uljen e deficitit buxhetor.

Komisioni sugjeroi kalimin e Greqisë në stadin e mbikqyrjes dhe në këtë kuadër qeveria greke, përveç buxhetit që do të paraqesë në Parlament, në janar të vitit të ardhshëm do t’i paraqesë Komisionit Evropian programin e ri të stabilitetit, bëri të ditur ministri grek i financave pas kthimit nga takimi i ECOFIN-it.

Ministri grek i financave shpresonte që të kthehej me të paktën një lajm të mirë, teksa ishte shprehur optimist që do t’i jepej një shtyrje në afatin e vendosur prej Komisionit për reduktimin e deficitit buxhetor, çka Greqisë i është thënë se duhet ta bëjë brenda vitit 2010.


Por komisioneri për financat, Joakim Almunia, tha se nuk ishte në gjendje të komunikonte tani afatin kohor që do t’i jepet Greqisë. Sipas tij, kjo mund të ndodhë në muajin e ardhshëm, në takimin e radhës të ECOFIN-it, dhe përderisa ministrat e financave të BE-së do të japin miratimin e tyre. Zoti Almunia theksoi se autoritetet greke duhet të bëjnë përpjekje ambicioze për të reformuar ekonominë, por edhe institucionet.

"Ekonomia greke ka nevojë për reforma të guximshme ndryshimesh strukturore, i duhet një strategji tepër ambicioze dhe e qëndrueshme e përmirësimit financiar, dhe reforma institucionale me rëndësi të veçantë," tha komisioneri evropian për financat.

Ai shtoi se nëse nuk bëhen këto reforma, mungesa e ekuilibrit financiar do të përkeqësohet edhe më, çka siç theksoi, nuk garanton të ardhmen e ekonomisë greke.