LAJMI I FUNDIT:

KE: Komision për financimin e projekteve në Ballkan

KE: Komision për financimin e projekteve në Ballkan

Komisioni Europian i ka dhënë dritën jeshile krijimit të një komisioni të posaçëm që do të koordinojë sistemin e investimeve në vendet e Ballkanit Perëndimor, një instrument financiar për kreditë dhe ndihmat, që do të financojë projektet prioritet në Shqipëri, Bosnie, Kosovë, Serbi, Maqedoni, Kroaci dhe Mal të Zi.

Pjesë e këtij komisioni janë Banka Europiane e Investimeve, Këshilli i Bankës Europiane për Zhvillim, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe BE.

Sipas Bankës Europiane të investimeve, objektimi është krijimi i një sistemi të vetëm për shpërndarjen e fondeve në rajon si dhe grumbullimi i burimeve ekzistuese financiare për projekte të tilla si infrastruktura, mbështetja për bizneset e vogla e të mesme, sistemi energjetik dhe sektorë të tjerë prioritarë për vendet.

Ashtu siç ishte lajmëruar në muajin Korrik, KE do të japë 87 milionë euro, në një kohë që Banka Europiane e investimeve, BERZH dhe Këshilli i Bankës Europiane për zhvillim do të japin 10 milionë euro, para këto, që do të shkojnë për asistencë teknike.


Po kështu, KE u bëri thirrje edhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian të japin kontributet e tyre në këtë projekt që do të menaxhohet në mënyrë të përbashkët nga Banka Europiane e investime dhe BERZH.

Instrumenti i përbashkët po ashtu do të financojnë dhe mbulojë kostot edhe në përgatitjen e projekteve që janë jetike për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Deri tani, BEI dhe BERZH, në mënyrë të ndarë kanë dhënë miliarda euro kredi në investime në rajonin e Ballkanit. Po kështu, Këshilli i Bankës për zhvillim është shprehur i gatshëm të rrisë edhe kreditë në ndihmë të projekteve sociale.