LAJMI I FUNDIT:

Kamerat: Pse KQZ-ja ra në provimin e parë?

E inspiruar nga zgjedhjet e fundit në Shqipëri, njëra nga partitë opozitare në Kosovë, Aleanca Kosova e Re (AKR) bëri një kërkesë në KQZ që edhe në zgjedhjet lokale në Kosovë të ketë kamera të vëzhgimit të procesit zgjedhor. Kërkesa e AKR-së ishte e bazuar në faktin se në zgjedhjet e kaluara kishin ndodhur parregullsi, të cilat më së shumti kishin dëmtuar partitë e vogla, që nuk kishin monitorues të mjaftueshëm, e edhe ata që i kishin nuk i kishin militant partiak që përnjëmend do të ishin të interesuar ta mbrojnë votën e partisë, por ishin njerëz të rekrutuar të cilat më shumë ishin të interesuar për mëditjen, të cilën ndoshta edhe akoma nuk e kanë marrë. Sidoqoftë, kjo është një temë e cila do një trajtim të veçantë.

Ti kthehemi çështjes së kamerave. Në kohën sa kërkesa zyrtare e AKR-së për vendosje të kamerave në zgjedhje ishte në pritje të shqyrtimit në KQZ, partitë politike filluan të japin mendimet e tyre në lidhje me këtë çështje. Përderisa, të gjitha partitë tjera politike ishin në favor, partia fituese e zgjedhjeve të kaluara, PDK, nuk pati ndonjë qëndrim të prerë përreth kësaj çështjeje. Nëse partitë tjera kanë akuzuar PDK-në se njerëzit e saj kanë manipuluar votat në zgjedhjet e kaluara, dhe nëse PDK ka argumentuar se votat nuk kanë qenë të manipuluara por ka qenë vetë vullneti i lirë i qytetarëve që PDK t’i fitoj këto zgjedhje, atëherë do të ishte pikërisht PDK, ajo që do të duhej të mbaj bajrakun në kërkim të vendosjes së kamerave, përndryshe argumenti i opozitës që votat në zgjedhjet e kaluara janë manipuluar, do të ishte më bindës.


Vendosja e kamerave për monitorim të zgjedhjeve ka qenë provimi i parë kryesor për KQZ-në, në të cilin fatkeqësisht ky organ ka rënë. Vendimi për mos vendosje të kamerave nuk do të ishte edhe aq dëshpërues, sa ka qenë dëshpërues mënyra e argumentimit se pse nuk janë vendosur kamerat. Në rend të parë, KQZ-ja nuk do të duhej ta mbyllte për media mbledhjen kur është vendosur për këtë çështje. Përkundrazi, do të ishte shumë e logjikshme që t’i bënte thirrje ndonjë mediumi që atë mbledhje ta transmetonte direkt në radio apo televizion. Në këtë mbledhje të hapur për media dhe publikun e gjerë, anëtarët e KQZ-së do të duhej të argumentonin ndryshe vendimin për mos-vendosje të kamerave, ta zëmë të tregonin se sa kompani i kanë kontaktuar për të shikuar koston e furnizimit, sa kohë do të duhej të pritej deri sa të arrinin kamerat, sa kohë do të duhej për trajnimin e personelit që do të merrej më kamera, sa kohë do të merrte prokurimi i tenderit, etj. Fatkeqësisht, asnjëra prej këtyre nuk u tregua, por vetëm na u tha pas mbledhjes së mbyllur se “vendosja e kamerave nuk do të ishte në dobi të procesit”, ose se “ato e dëmtojnë privatësinë e njerëzve” (nuk e di nëse e kanë pasur të qartë zyrtarët e KQZ-së që kamerat nuk do të vendoseshin në kabinat e votimit?).

Krejt në fund, AKR-ja i ka borxh publikut të gjerë një sqarim të qartë se pse përfaqësuesi i saj nuk mori pjesë në mbledhje, për të diskutuar për propozimin e dal nga vetë kjo parti?

(Autori është menaxher i Programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI). Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo-domosdoshmërish paraqesin ato të KDI-së)