LAJMI I FUNDIT:

Jepet me koncesion Hidrocentrali i Dikancës

Jepet me koncesion Hidrocentrali i Dikancës

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nënshkruar të martën kontratën për dhënien me koncesion të hidrocentralit të Dikancës me kompaninë Frigo Food Energy Invest nga Shqipëria.

Kontratat për qiradhënie dhe për shitblerje të energjisë elektrike u nënshkruan nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe nga presidenti i kompanisë Frigo Food Energy Invest, Sokol Meqemeja.

Bazuar në një njoftim zyrtar , kompania e kontraktuar nga KEK-u, kishte ofruar kushtet më të mira në tenderin e hapur nga korporata.

“Nga dhënia me koncesion e këtij hidrocentrali përfiton KEK-u, konsumatorët dhe investitori. Korporata do të inkasojë mjete nga qiraja, sikurse do të ketë në dispozicion më shumë energji alternative nga burimet hidrike, ndërsa krijon fleksibilitet në furnizim me energji elektrike prej nga përfitojnë konsumatorët”, ka deklaruar drejtori Gjukaj.


Investimi total arrin në 2.5 milionë euro, i ndarë në dy faza. Fillimisht kompania fituese do të bëjë rehabilitimin e kapaciteteve ekzistuese. Kjo sipas kontratës do të kryhet brenda gjashtë muajve. Ndërsa, në fazën e dytë parashihet zgjerimi deri në 2.66 megavatë/orë, që paraqet gati dyfishim të kapaciteteve. Ky investim në baza kontraktuale do të realizohet në 24 muajt në vijim.

HC “Dinaca” është dhënë me koncesion për 20 vjet.

Hidrocentrali i Dikancës është i treti me radhë që KEK e jep me koncesion. Më parë në këtë mënyrë janë dhënë Hidrocentrali i Lumbardhit dhe i Radavcit. Shumë shpejtë do të nënshkruhet kontrata edhe për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Burimi”, të cilin e ka fituar kompania Triangle General Contractors inc. me degë në Kosovë.

Dhënia e këtyre hidrocentraleve me koncesion po sjellë investime prej një investim prej afro 15 milionë eurosh, duke punësuar qindra punëtorë. Aktivizimi i tyre ndikon në ndryshimin e strukturës së prodhimit të energjisë elektrike, duke rritur në përqindje atë të prodhuar nga hidroenergjia në 5 për qind. /Telegrafi/