LAJMI I FUNDIT:

Jeff Koons: Bashkëbisedimi im me Pablo Picasson

Jeff Koons: Bashkëbisedimi im me Pablo Picasson
Jeff Koons dhe Bernard Ruiz-Picasso (nipi i Pablo Picassos) para “Tri Kariteve” (2016-‘22)

Nga: Helen Barrett / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Jeff Koons dhe Bernard Ruiz-Picasso, nipi i Pablos, po qëndrojnë në një oborr të pallatit Alhambra, në jug të Spanjës. Artisti multimilioner amerikan, mjeshtër i postmodernizmit dhe i pastishit, është i mahnitur nga mjedisi i shekullit XIII përreth tij. Ai fotografon me celularin e tij mermerët arabeskë të gdhendur dhe deklaron se janë “diçka e mrekullueshme”. Është vizita e parë e Koonsit në këtë vend të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i ndërtuar si një kështjellë dhe si një pallat mbretëror i mrekullueshëm për mbretërinë islamike Nasrid. Momenti më duket shumë i mirë për të mos e kaluar kot, kështu që bëj një foto fshehurazi të Koonsit dhe Ruiz-Picassos dhe ia dërgoj një miku, i cili më përgjigjet: “A po propozon Koonsi një Gernikë të mbushur me ajër dhe ngjyrë rozë si të neonit?”

Jo tamam. Por, tri vepra tipike dhe ironike të Koonsit tani po ekspozohen “në dialog” brenda kompleksit të Alhambras, me dy vepra të mëdha të Pablo Picassos – një bronz abstrakt dhe elegant, Koka e një luftëtari (1933), dhe një vizatim i madh me vaj dhe qymyr, Tri Karitet (1923). Ekspozita Reflektime: Picasso/Koons po zhvillohet në Muzeun e Arteve të Bukura të Granadës, 150 kilometra larg vendlindjes së Picassos në Malaga.


Lexo po ashtu:
Pse pikturat e burrave kushtojnë dhjetë herë më shumë se ato të grave?
Jeff Koonsi i ngjyrosur, me lule në flokë: Fotografia më e mirë e Martin Schoellerit

Ekspozita është e para në një seri të re ekspozitash të përbashkëta të Picassos me artistë bashkëkohorë, të planifikuara në vende ikonike të Spanjës. Ajo mbështetet te koleksioni i muzeut të porsahapur, Muzeu Picasso i Malagës, ku Bernard Ruiz-Picasso është administrator i përjetshëm.

“E njohim njëri-tjetrin prej dekadash”, thotë Koons për miqësinë e tij me Ruiz-Picasson. “Kemi një marrëdhënie shumë të veçantë, sepse është një dialog i bukur dhe poetik”. Ai shton: “Ai është aq afër sa mund të arrish Pablo Picasson”.

Të paraqitësh veprat e një artisti të madh “në dialog” me ato të një bashkëkohësi të gjallë, kjo është një prirje e re kuratoriale. Në vitin 2021, Akademia Mbretërore në Londër ekspozoi pikturat e Tracey Eminit përkrah atyre të idhullit të saj, Edvard Munch. Koons është dukshëm i entuziazmuar që ekspozon përkrah gjyshit të Ruiz-Picassos, një prej heronjve të tij artistikë.

Ekspozita është gjithashtu një provokim nga Koonsi, një artist i njohur në mbarë botën për riprodhimet e objekteve të zakonshme të ngritura në përmasa hyjnore, si balonat e tij gjigante në formë qensh, me ngjyra të ngopura, dhe skulpturat hiper-realiste në madhësi reale të tij dhe të ish-bashkëshortes së tij, La Cicciolina, në poza eksplicite erotike.

Koons ka thyer dy herë rekordin për çmimin më të lartë të paguar në ankand për një artist të gjallë. Një prej këtyre rekordeve u vendos në vitin 2013, kur një nga qentë-balona të tij u shit për 76 milionë dollarë. Edhe pse komercialisht i suksesshëm – dhe për pasojë, shumë i pasur – kritikët e tij, të cilët janë të shumtë, ankohen për sipërfaqësinë dhe kiçin e tij. Vetë Koons preferon termin “banal.”

Tri Karitet e Pablo Picassos (1923)

Tani, Koonsi po na kërkon të mendojmë për Jeff Koonsin përkrah kompleksitetit, produktivitetit dhe gjeniut të padiskutueshëm të artit perëndimor të shekullit XX, Pablo Picassos. Picasso vdiq në vitin 1973; ata nuk janë takuar kurrë. Si mendon, atëherë, Koonsi për reagimin e Picassos për këtë?

“E dini, Picasso ishte një artist shumë bujar”, thotë Koons. “Ai gjithashtu e bënte këtë për ne. Thoshte: ‘Shikoni, unë po e bëj këtë, edhe ju mund ta bëni. Mund ta përjetoni jetën në një nivel më të lartë’”.

Në moshën 69-vjeçare, Koonsi është vital dhe plot energji. Ai është veshur më shumë si një bankier sesa si një artist – kostum formal, një kravatë mëndafshi dhe një pallto elegante prej kashmiri, disi në stilin e rrobaqepësve elitarë të Londrës dhe aspak të Pensilvanisë rurale, prej nga ai vjen. Sjellja e tij është po aq e pazakontë për botën e artit: një magjepsje e lehtë dhe vetëbesim i dukshëm, gjithnjë optimist dhe me një prirje për gjuhën e psikologjisë popullore dhe të vetëndihmës. Vërej se ai nuk ndalon kurrë së buzëqeshuri.

Qeni balon (1994-2000) nga Jeff Koons

Megjithatë, intervista me Koonsin është sfiduese, sepse ai është i aftë të japë përgjigje të paqarta, plot pozitivitet evangjelistik, duke përdorur terma si “festime të mendimit të kujdesshëm”, “pjesëmarrje në gëzim” dhe – një term i preferuar – “poetika”.

Ekspozita mund të jetë e vogël, por është e nuancuar dhe shumë e këndshme. Në oborrin spektakolar italian të shekullit XVI, të rotondës së Pallatit të Karlit V, një pjesë tjetër e kompleksit të Alhambras, Koonsi ka vendosur versionin e tij të Tre Kariteve (2016-‘22): tri figura nudo, në përmasa reale, të krijuara nga çeliku që pasqyron të artën, duke valëvitur një kurorë lulesh.

Në shikim të parë, ato nuk ngjajnë aspak me interpretimin e Picassos për këtë motiv klasik alegorik: duken si një zbukurim i madh i lirë i Krishtlindjeve në këtë ambient elegant klasik, dhe pothuajse prisja që të ishin prej teneqeje. Por, skulptura peshon tre tonelata. Çeliku u jep trupave një efekt të lëngshëm, që do të thotë se shikuesi nuk mund t’i shpëtojë reflektimit të tij të shtrembëruar. Shikimi i tyre është si të shikosh në një pasqyrë të panaireve – një shaka vizuale tipike e Koonsit.

Duke përfshirë reflektimet tona në veprën e tij, Koons nënkupton se ne – shikuesit e tij – jemi po aq të rëndësishëm sa hyjnitë e Greqisë së lashtë. Sipërfaqja e tyre ndryshon vazhdimisht me imazhet tona dhe ato nuk duken kurrë njësoj dy herë. “Është metafizike … Një nga momentet më të mira është të pranosh këtë moment të jetës time”, thotë ai. “Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe që marr pjesë në këtë gëzim, dhe e pranoj jetën time, vdekjen time, gjithçka rreth këtij momenti të të qenit gjallë”. Ai dëshiron që ne të bëjmë të njëjtën gjë.

Koons ka thënë shpesh se qëllimi i tij është të demokratizojë artin, se me vepra të tilla, me përmasë të tillë, me një motiv nga historia klasike e kthyer në diçka të ndritshme dhe qesharake, ai po ekspozon elitizmin. Vepra e tij është padyshim e pëlqyer nga publiku dhe tërheq shumë njerëz. Pyetem nëse i interesojnë akuzat e kritikëve për banalitetin, por ai thotë se është më i interesuar për njerëzit e zakonshëm.

Topi që vështron (Gratë Sabine) i Jeff Koonsit (2015-16)

“Do të dëshiroja që kritikët, të cilët e shohin veprën time ndryshe, të hapeshin ndaj kontekstit”, thotë Koons me një ton tipik zen. “Ejani në Alhambra dhe ndjeni mbledhjen më të fuqishme të gjithë energjisë së universit në një vend të vetëm”.

Kritikët shpesh ankohen se Koonsi është thjesht një përpunues, që mbështetet te punëtoritë dhe ekipet e asistentëve për të krijuar veprat e tij, ndërsa roli i tij kufizohet në konceptualizim dhe kontroll cilësie. Picasso, nga ana tjetër, i krijonte pothuajse të gjitha veprat e tij vetë.

Por, Koonsi dhe Picasso kanë disa gjëra të përbashkëta. Picasso nuk kishte respekt për atë që quhej “shije e mirë”, duke e përshkruar atë si “diçka të tmerrshme” dhe “armik të krijimtarisë”. Të dy artistët kanë një magjepsje për erotizmin dhe përmbysin motivet klasike të artit.

Një tjetër aspekt i përbashkët është paraja: si Picasso, ashtu edhe Koonsi, ishin jashtëzakonisht të suksesshëm gjatë gjithë jetës. Sipas një raporti të Hiscox-it të vitit 2024, Koons ishte një nga artistët më fitimprurës në botë në vitin 2023 me shitje ankandesh prej 16 milionë dollarësh, ndërsa pasuria e tij neto është vlerësuar në 500 milionë dollarë. Picasso mbetet artisti më fitimprurës i të gjitha kohërave.

Koons e pranon pasurinë e tij të madhe, por gjithashtu distancohet prej saj. Ai thotë se e sheh paranë si “gjë dytësore” dhe “të ngulitur brenda fuqisë së artistit”. “Është e vështirë të flas për Picasson, por gjithmonë kam dashur thjesht të marr pjesë”, thotë ai, duke buzëqeshur.

Jeff Koons mbërrin në Alhambra për hapjen e ekspozitës Refleksione: Picasso/Koons

Një pjesë e mitit të Koonsit – dhe një tjetër arsye për dyshimet e kritikëve – është karriera e tij e hershme si agjent kapitalizmi, para se të arrinte suksesin artistik.

Koons lindi në një familje të klasës së mesme në Pensilvani, në vitin 1955 – ku ende jeton në një fermë me gruan e tij Justine dhe gjashtë fëmijët e tyre, më i vogli prej të cilëve është adoleshent (Koons ka edhe dy fëmijë të tjerë, përfshirë djalin e tij artist Ludwig Koons me gruan La Cicciolina).

Babai i Koonsit ishte dekorator i interierëve dhe zotëronte një dyqan mobiliesh, ku Jeffi i ri u magjeps për herë të parë nga produktet e gatshme dhe paraqitja e tyre e përsosur.

Ai studioi artin në Institutin Konservator të Artit në Mariland të Baltimorit, por kaloi në një kurs më avangardë në Çikago pasi pa veprën e pop-artistit amerikan, Ed Paschke, për të cilin Koons punoi më vonë si asistent.

Topi që vështron (Gruaja në këmbë) nga Jeff Koons (2014)

Koons punoi në recepsionin informativ në Muzeun e Artit Modern (MoMA) në Nju-Jork dhe për një kohë të shkurtër, thotë ai, si tregtar. Por, ai ishte një agjent i kapitalizmit vetëm për të financuar karrierën e tij artistike, teksa priste korrjen e suksesit. Si adoleshent, një herë telefonoi një tjetër hero të tij, Salvador Dalín, në dhomën e tij të hotelit dhe thjesht i kërkoi ta takonte. Surrealisti spanjoll pranoi dhe Koons dhe Dalí kaluan një pasdite në mes të viteve ‘70 të shekullit XX, duke shëtitur nëpër Nju-Jork. Nëse ka diçka që nuk i mungon atij, është guximi.

Koons do të mbushë 70 vjet në muajin e ardhshëm. Ai nuk ka frikë nga plakja, duke marrë forcë nga gjallëria e Picassos i cili punoi deri në të ‘90-at e tij. Koons gjithashtu po planifikon një “pushim kulturor” në Evropë, bashkë me familjen. “Do të shkojmë në Pragë, Vjenë, Venecie dhe do të shijojmë botën”. Tradita e tij për Vitin e Ri është të vizitojë një galeri diku në botë ku nuk ka qenë kurrë më parë.

Si të gjithë artistët e suksesshëm – qoftë komercialë apo jo – kurioziteti i Koonsit është i pashtershëm. “Një person duhet të hapet ndaj gjithçkaje”, thotë ai. “Nëse pranon gjithçka, atëherë gjithçka është në shërbimin tënd. Por, nëse veçon, nëse gjykon, e bën botën tënde më të vogël. E bën veten të vogël”.

Do të ishte e lehtë të refuzoje këtë si një formë të psikologjisë popullore. Por, jashtë, në oborrin e shekullit XV, një grup adoleshentësh po argëtohen para Tri Kariteve të tij, duke imituar pozat e tyre, duke bërë selfi dhe duke zgjatur imazhet e tyre në reflektimin e shkëlqyeshëm të artë. Kur vjen puna te elitarizmi në botën e artit, ndoshta Koons ka të drejtë. /Telegrafi/