LAJMI I FUNDIT:

Jeff Koons-i i ngjyrosur, me lule në flokë: Fotografia më e mirë e Martin Schoeller-it

Jeff Koons-i i ngjyrosur, me lule në flokë: Fotografia më e mirë e Martin Schoeller-it

Bashkëbisedimi i fotografit Graeme Green me fotografin Martin Schoeller / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Ishte viti 2013 dhe Jeff Koons-i sapo e kishte hapur një ekspozitë në Nju-Jork ku kishte skulptura allçie, që të gjithat të bardha, pothuajse klasike. Kështu, më lindi ideja për ta lyer me të bardhën, për ta kthyer në skulpturë. Ai ka përdorur po ashtu shumë lule në art. E kam fotografuar Jeff-in më parë. E kapa duke vrapuar në rrugë me një smoking të bardhë, duke mbajtur karavidhen që e përdorte në disa nga veprat e veta. Te ai ishte një cilësi e biznesmenit dhe i kishte 100 njerëz që punonin për të, në një moment, duke e krijuar artin e tij, kështu që më pëlqeu ideja që të ishte shumë formal dhe mirë i veshur (skulptura “Lepuri” e vitit 1986, më 2019 është shitur për 91.1 milionë dollarë – v.p.).

E donte fotografinë, ndaj më besoi. Por, u desh ende shumë kohë për ta bindur për këtë foto. M’u desh tri herë t’i kërkoja që ta lyente fytyrën me ngjyrë të bardhë. Në fund, e kam lyer fytyrën e asistentit tim me të bardhën dhe ai pa se sa mirë dukej, kështu që më në fund u pajtua. Grimi i artë rreth syve ishte gjithashtu ide e imja


Fotoja ishte për revistën “New York”, që e bënte një profil të madh për të. Kam pasur katër orë për të punuar me të. Ekziston një vijë e hollë midis një gjëje të mirë dhe një gjëje paksa të marrë, ose që ndihet si shumë e inskenuar. Por, më pëlqejnë fotot që janë të çuditshme. Kisha ide të tjera që nuk funksionuan aq mirë. I solla disa dele që i kam ngjyrosur, kështu që Jeff-i ecte në rrugë me pesë dele me ngjyra të ndryshme. Kisha gjithashtu balona me helium, me fytyrën e tij mbi to, kështu që mund të qëndronte në një cep të rrugës duke i mbajtur balonat. Ato u futën në revistë, por nuk ishin aq të forta sa ky imazh i thjeshtë grafik.

Jeff-i është i vështirë për t’u lexuar. Nuk është shumë i ngrohtë apo miqësor; është i rezervuar dhe strikt. E respektoj dhe e dua si artist, por ky ishte një takim shumë profesional. Flas teksa i fotografoj njerëzit, për t’i shpërqendruar dhe për të marrë një gamë shprehjesh. Por, jam gjithmonë i stresuar – ka kaq shumë gjëra që mund të shkojnë keq. Në këtë rast, nëse ai vetëm do t’i mbante lulet pa këtë ngjyrë të bardhë, ju nuk do ta shikonit tashti foton.

Njerëzit e njohur janë gjithmonë të shqetësuar për imazhin e vet. Dhe, në ditët e sotme nuk mund ta zhbëni fotografinë – çdo foto jeton përgjithmonë në internet. Shumicës së njerëzve u pëlqen të jenë të sigurt, kështu që ata nuk bëjnë asgjë konceptuale. Kur fillova me punën, 25 vjet më parë, njerëzit ishin më të gatshëm për të rrezikuar. Tashti të gjithë e shohin veten si markë që duhet mbrojtur, dhe kjo lloj fotografie është pothuajse e zhdukur.

Nga Gjermania erdha në Nju-Jork në vitin 1992, ku për tre vjet punova për Annie Leibovitz-in. Mësova kaq shumë: si të krijoj ide të çmendura, si ta organizoj një sesion fotografimi. Por, në fillim nuk kisha punë. Ishte epoka e Photoshop-it: gjithçka dukej perfekte, vendndodhjet ishin të mahnitshme, rrobat edhe më të mira, çdo defekt i mënjanuar. Ndërsa, fotot e mia të portreteve nuk janë retushuar. Në vitin 1999, një redaktor i fotografisë m’i dha 10 minuta me Vanessa Redgrave-in gjatë një konference shtypi. Kjo e krijoi një valë të madhe. Redaktorët e revistave tashmë kishin fotografi glamuroze, dhe tashti do të mund të kishin portrete të sinqerta, për së afërmi. Portreti im i hershëm i Christopher Walken-it i bëri njerëzit të thonë: “Uau, është e mahnitshme.” Jack Nicholson-i ishte tjetri që në moment i befasoi njerëzit. Kam fotografuar Angelina Jolie-in me një pikë gjaku në buzë. Shkova në Shtëpinë e Bardhë, për të gjithë presidentët në detyrë, përfshirë Barack Obama-n.

Gjithashtu, kam punuar në projekte personale për grupe njerëzish që më duken interesantë, gjë që nisi me bodibilderet femra. Kam fotografuar 300 njerëz pa strehim të përhershëm, në një cep rruge në Hollivudin perëndimor. Kam fotografuar gjithashtu 75 të mbijetuar të Holokaustit dhe të dënuar për vdekje – po përpiqem të ndihmoj në heqjen e dënimit me vdekje.

Nuk jam rrëmbyes i shpirtrave. Nuk mendoj se ndonjë fotografi e bën një person 100 për qind të saktë. Por, me kaq shumë fotografi nuk po bëhet fjalë më për personin. Në revistat e modës, personi në foto është i këmbyeshëm. Ata janë aq të retushuar sa që nuk ka rëndësi nëse është Natalie Portman apo Julia Roberts – do të ishte e njëjta fotografi. Mundohem të jem më i sinqertë.

***

CV-ja e Martin Schoeller-it

Viti dhe vendi i lindjes: Munih, Gjermani, 1968.

Trajnimi: Lette-Verein, Berlin.

Ndikimet: Bernd dhe Hilla Becher, Annie Leibovitz, August Sander.

Gjëja më me vlerë: Kam fotografuar një të ri në një cep rruge në Los Anxhelos. E postova foton e tij dhe historinë e tij të varësisë nga droga në Instagramin e revistës “National Geographic”. Nëna e tij më kontaktoi dhe më kërkoi ta ndihmoja të vinte në kontakt me të – kishte ikur tre vjet më parë. U kthye në shtëpi, shkoi në rehabilitim dhe u largua nga rruga.

Dështimi: I mora dy lloje të malaries kur fotografova një grup indigjenësh në Brazil. Të kesh malarie nuk është fare kënaqësi.

Këshilla: Të motivosh veten dhe gjithmonë të përpiqesh për ta rishpikur veten. Duhet ta duash fotografinë dhe të bësh fotografi me punë ose pa punë.