Dosja e ZPS-së: Si funksionoi Shërbimi i Inteligjencës dhe Policia në UÇK e në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës?

Në dosjen e saj përfundimtare në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Prokuroria e vë Kadri Veselin në krye të strukturës së inteligjencës në UÇK, si dhe në kohën e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (QPK), e pas saj deri në formimin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).
Prokuroria pretendon se që nga themelimi i UÇK-së ishte identifikuar nevoja për inteligjencë dhe se gjatë pranverës së 1998-ës, persona të ndryshëm po ngarkoheshin në mënyrë aktive me mbledhjen e informacioneve. Veç kësaj, thuhet se komunikatat shprehimisht e pranonin ekzistencën e një funksioni të inteligjencës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjatë atij viti, thuhet se u themelua Drejtoria e Inteligjencës nën drejtimin e Veselit, i cili gjatë gushtit të vitit 1998 pecifikohet se mbikëqyrte trajnimet për afërsisht 20 persona në këtë fushë të cilët më pas do të formonin bërthamën e shërbimit.
Prokuroria thotë se kjo pozitë e Veselit u rikonfirmua nga Shtabi i Përgjithshëm në nëntor të 1998-ës gjatë ristrukturimit.
Në dosje përmendet edhe rregullorja e shërbimeve të inteligjencës, për të cilën pretendohet se u shpërnda në zonat operative, e që për detyrë jepte zbulimin e personave të rëndësishëm për armikun brenda ose jashtë vendit, si dhe jepnin kompetenca për arrestimin ose vrasjen e tyre.
Për Veselin, Prokuroria thotë se ishte i pranishëm në terren në disa zona gjatë 1998-ës me qëllimin për të kryer hetime dhe për të trajtuar ankesa.
Duke folur për Zonën e Drenicës, Prokuroria thotë se ishte një njësi e inteligjencës e përbërë nga Sabit Geci dhe Ismet Haxha të cilët i raportonin drejtpërdrejt Kadri Veselit.
Për Gecin, Prokuroria thotë se e vazhdoi këtë rol edhe më 1999-ën në Shqipëri gjatë së cilës periudhë, sipas tyre, mori pjesë edhe në krime të tjera.
Prokuroria pretendon se brenda zonave, raportet e inteligjencës pranoheshin rregullisht dhe përpilohej nga shefi i inteligjencës në nivel zone, i cili më pas dërgohej tek komandanti i zonës si dhe te Shtabi i Përgjithshëm.
Prokuroria pretendon se sipas rregullave, Komandanti i Zonës kishte përgjegjësinë për t’ia përcjellë informacionin e inteligjencës Drejtorisë së Inteligjencës. Megjithatë, thuhet se në praktikë, raportimi i drejtpërdrejtë nga personeli i inteligjencës te Shtabi i Përgjithshëm gjithashtu ndodhte, veçanërisht për çështje të ndjeshme si kundërzbulimi.
Tutje, thuhet se një raportim i tillë paralel ishte veçanërisht i përhapur në Zonën e Pashtrikut, ku për një periudhë të caktuar, Komandanti i Zonës ishte një ushtarak profesionist që personeli i inteligjencës në nivel zone e konsideronte si person që “pengonte” punën e tyre.
Ndërsa, në nivel të Shtabit të Përgjithshëm, Prokuroria thotë se Drejtoria e Inteligjencës i raportonte Komandantit të Përgjithshëm (ose, sipas rastit, Zëvendëskomandantit) dhe Shefit të Shtabit. Megjithatë, sikurse në nivelet e tjera të sistemit të raportimit, herë pas here thuhet se raportet e inteligjencës e anashkalonin Bislim Zyrapin si Shef të Shtabit dhe i paraqiteshin vetëm Komandantit.
Sa i përket detyrave dhe përgjegjësive të kësaj strukture, sipas Prokurorisë, ato ishin të mblidhnin informacione për lëvizjet e forcave armike, të identifikonin “bashkëpunëtorët” brenda dhe jashtë UÇK-së dhe të ndërmerrnin “veprime konkrete në shërbim të luftës çlirimtare”.
Theksohet se në përputhje me rregulloret përkatëse, shërbimet e inteligjencës së UÇK-së bashkëpunonin ngushtë dhe mbështeteshin nga Policia Ushtarake dhe njësitë speciale në kryerjen e detyrave të tyre.
Ndërsa, gjatë 1998-ës kur Veseli ndodhej jashtë vendit, Prokuroria thotë se Ferat Shala ishte i vendosur pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe ushtronte funksione të inteligjencës.
Gjithashtu, thuhet se në fund të janarit 1999, para se të udhëtonte për në Rambuje, Veseli e solli Mensur Kasumin në Shtabin e Përgjithshëm ku edhe u caktua të ndihmonte Drejtorinë e Operacioneve në çështjet e inteligjencës, gjatë mungesës së Veselit.
Pas kthimit të tij në Kosovë, thuhet se Veseli ishte përsëri aktiv në terren duke përfshirë edhe në çështje që lidhen me ndalimet.
Ndërsa, në fund të marsit 1999, Prokuroria thekson se Veseli u emërua nga Thaçi në Qeverinë e Përkohshme në krye të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), i cili i raportonte drejtpërdrejt Thaçit.
Në atë kohë thuhet se gjithashtu u krijua një departament i inteligjencës brenda Ministrisë së Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme nën drejtimin e Abdullah Prapashticës.
Kështu, Prokuroria sqaron se G2-shi kishte mbetur term që formalisht i referohej Drejtorisë së Inteligjencës brenda Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ZKZ i referohej shërbimeve të inteligjencës në nivel Zone ose Brigade të UÇK-së, ndërsa SHIK i referohej organit shtetëror ose civil të inteligjencës të krijuar nën Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.
Kur u formua SHIK, Prokuroria pretendon se G-2 brenda UÇK-së vazhdoi të funksiononte paralelisht nën udhëheqjen e Mensur Kasumit e më pas të Fadil Kodrës.
“Edhe pse VESELI ka pretenduar se pas emërimit si drejtues i SHIK-ut ai nuk kishte më asnjë rol në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, në praktikë – dhe në përputhje me autoritetin e tij të vazhdueshëm si figurë udhëheqëse e UÇK-së/QPK-së, pavarësisht nga çdo rol formal – ai vazhdoi të paraqitej dhe të perceptohej në këtë cilësi, si dhe të vepronte si i tillë, njësoj si edhe anëtarë të tjerë të SHIK-ut. Në fakt, ekzistonte një mbivendosje e konsiderueshme ose transferim i personelit ndërmjet dy organizatave, ku VESELI konfirmoi se grupi fillestar i anëtarëve të UÇK-së që iu nënshtruan trajnimit të inteligjencës në vitin 1998 vazhdoi më pas të formonte “zemrën” e SHIK-ut”, thuhet në dosjen përfundimtare të Prokurorisë.
Deri në qershor të 1999-ës, sipas Prokurorisë, SHIK përbëheh nga 30 persona afërsisht dhe zëvendës i Veselit ishte Ilmi Reçica- i cili ishte angazhuar si shef i inteligjencës në Zonën e Nerodimës.
Përveç tij, si drejtor i Përgjithshëm në SHIK, Prokuroria pretendon se ishte Latif Gashi i cili më parë kishte qenë shef i inteligjencës në Zonën e Llapit.
Veç tjerash, thuhet se SHIK kishte katër drejtori tematike e që Ferat Shala ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Veselit.
Prokuroria pretendon se Veseli e mbikëqyrte personalisht rekrutimin e SHIK-ut dhe anëtarët potencial i nënshtroheshin një procesi të kujdesshëm të verifikimit.
“SHIK-u ishte një organizatë e lidhur ngushtë, ku VESELI i njihte të gjithë anëtarët, të cilët i raportonin atij dhe me të cilët kishte kontakte të rregullta”, thuhet tutje në dosjen e Prokurorisë.
Prokuroria pretendon se pas emërimit të tij si drejtues i SHIK-ut, Veseli ndër të tjera, zhvilloi takime me përfaqësues ndërkombëtarë dhe mori pjesë në negociatat për çmilitarizimin, si dhe mbajti lidhje me agjenci inteligjence të shteteve të tjera.
Më tej, thuhet se gjatë dhe në muajt pasues të periudhës së aktakuzës, anëtarët e SHIK-ut verifikonin punonjës publikë, mblidhnin informacione dhe monitoronin aktivitetet e forcave të RFJ-së dhe situatën e sigurisë, si dhe hetonin, merrnin në pyetje, keqtrajtonin dhe në mënyra të tjera shënjestronin kundërshtarët.
“Në të vërtetë, dokumentet e sekuestruara nga selia e SHIK-ut në Prishtinë në vitin 2002, në kohën kur VESELI dhe Latif GASHI mbanin zyra atje, konfirmojnë më tej shkallën e vazhdimësisë ndërmjet shërbimeve të inteligjencës së UÇK-së dhe SHIK-ut, si dhe fokusimin e vazhdueshëm të SHIK-ut ndaj Kundërshtarëve”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Tutje, theksohet se edhe pasi u shpërbë Qeveria e Përkohshme e Kosovës, SHIK vazhdoi të vepronte deri në vitin 2008 kur u krijua Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI).
Roli i Policisë Ushtarake dhe Ministrisë së Rendit Publik, sipas pretendimeve të Prokurorisë
Sa i përket Policisë Ushtarake, thuhet se u krijua nën mbikëqyrjen dhe drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm.
Kjo strukturë, sipas Prokurorisë, së bashku me sektorin juridik dhe Gjykatën Ushtarake e më vonë Ministrinë e Rendit Publik (MRP), luajtën rol në përpjekjet pë të justifikuar rrëmbimet dhe ndalimet para përfaqësuesve ndërkombëtarë nën petkun e legjitimitetit dhe garancive procedurale.
Prokuroria pretendon se Policia e UÇK-së dhe ajo e MRP-së ishin një mjet kyç për zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal përmes krimeve të ngarkuara.
Më 12 nëntor 1998, thuhet se Shtabi i Përgjithshëm emëroi zyrtarisht Fatmir Limajn si drejtor të Drejtorisë së Policisë Ushtarake, i cili ishte edhe anëtar i LPK-së e mik i Selimit.
Sipas Prokurorisë, Drejtoria e Policisë Ushtarake ishte gjithashtu e vendosur në Lladrovc, ndërsa Policia Ushtarake ruante në të njëjtin vend një qendër ndalimi të Shtabit të Përgjithshëm të destinuar për ushtarë dhe civilë të akuzuar për vepra të rënda penale.
Tujet, thuhet se strukturat e Policisë Ushtarake të Zonave ishin të varura nga Drejtoria e Policisë Ushtarake, dhe raportonin drejtpërdrejt ose përmes Komandantëve të Zonave te Limaj dhe Drejtoria e Policisë Ushtarake.
Në dosjen e saj përfundimtare, Prokuroria thekson se Drejtoria e Policisë Ushtarake ishte përgjegjëse për qendrat e ndalimit, rendin dhe disiplinën e brendshme, emërimet, logjistikën e Policisë Ushtarake- duke përfshirë uniformat, shenjat dalluese, armët, maskat dhe radiolidhjet; si dhe për trajnimin, inspektimin dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të Policisë Ushtarake të Zonave, si dhe për nxjerrjen e rregulloreve dhe sqarimeve.
Duke shpjeguar rolin e Limajt dhe të Policisë Ushtarake, Prokuroria përmend një takim që pretendohet se ka ndodhur më 9 mars 1999 me një përfaqësues të OSBE-së, e që në këtë takim si përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm, thuhet se refuzoi të lironte një të burgosur të ndaluar dhe më vonë të vrarë në Kleçkë.
Sa i përket veprimeve të Policisë Ushtarake, Prokuroria pretendon se më 2 dhe 3 dhjetor 1998, në dokumente të nënshkruara nga Krasniqi, Shtabi i Përgjithshëm udhëzoi Komandat e Zonave të nxirrnin urdhra që Policia Ushtarake “t’i arrestojë ata persona që, duke treguar besnikëri ndaj okupatorit, kanë veshur uniformën e policisë serbe”, duke theksuar se e njëjta gjë do të bëhej “në të ardhmen për çdo qytetar që përfshihet në çfarëdo force policore tjetër përveç formacionit të UÇK-së”.
Pas këtyre urdhrave, thuhet se policia dhe shërbimet e inteligjencës në Zonat Operative morën në pyetje, ndaluan, keqtrajtuan dhe vranë anëtarë të dyshuar të policisë lokale, të cilët nuk ishin pjesë e forcave të armatosura serbe, nën dyshimin se ishin spiunë dhe bashkëpunëtorë.
Ndërsa, në dosje thuhet se në fund të marsit 1999, Thaçi emëroi Selimin në pozitën Ministër të Rendit Publik e që nga prilli, ky i fundit mori pjesë në arrestimin, ndalimin, keqtrajtimin dhe lirimin e të ndaluarve në Kleçkë, kishte në dispozicion njësitë e Policisë Ushtarake dhe u fotografua me to i veshur me uniformë të zezë, përfshirë edhe në ditët pas Marrëveshjes së Kumanovës.
Prokuroria përmend një fotografi që pretendohet se është shkrepur më 16 qershor 1999, në të cilën Selimi është me uniformë të zezë, të shoqëruar nga Avdi Raci, Haxhi Shala dhe Sabit Shala në Malishevë.
Tutje, thuhet se rreth kësaj kohe, Kosovapress publikoi Komunikatën nr. 1 të Ministrisë së Rendit Publik (MRP), ku njoftohej se kthimi i popullsisë do të organizohej dhe shoqërohej nga Policia Ushtarake e UÇK-së, e konsideruar si baza e policisë së ardhshme të Kosovës. Gjithashtu, thuhej se forcat e rendit publik do të punonin për rivendosjen e rendit dhe qetësisë.
Sipas dosjes së Prokurorisë, kjo forcë policore përbëhej kryesisht nga anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të Policisë Ushtarake të UÇK-së. Pas tërheqjes së forcave serbe në qershor 1999, policia e UÇK-së/MRP-së mori shpejt detyrat policore, shpesh duke përdorur ish-stacionet e policisë serbe dhe duke vepruar pa procedura të rregullta ligjore.
Ndërsa, për Rexhepin thuhej se drejtonte një strukturë që përfshinte zëvendësministrin, komanda të ndryshme, drejtori, komisione dhe komandat policore të rretheve. Ai thuhet se zhvillonte takime për organizimin e policisë dhe kërkonte mjete financiare për funksionimin e saj.
Prokuroria pretendon se nga Selimi u sekuestruan dokumente të shumta që tregonin funksionimin e policisë së UÇK-së/MRP-së, përfshirë raporte policore nga Prishtina, Gjilani dhe Prizreni, dokumente financiare e të personelit, skema organizative, formularë regjistrimi, karta identifikimi dhe fotografi të pjesëtarëve të policisë.
Pretendim i Prokurorisë është se dokumentet tregojnë se personeli i MRP-së kryente detyra të ndryshme në terren, si: ruajtja e objekteve dhe sigurisë; patrullimet; marrja e deklaratave nga persona të ndryshëm.
Po ashtu, thuhet se në dokumentet e sekuestruara përmenden edhe disa persona që sipas aktakuzës lidhen me krimet e pretenduara, përfshirë Ilir Krasniqin (ish-ndërtesa e MUP-it në Prizren), Xhevat Krasniqin (Llapushnik), Selim Krasniqin (Drenoc), Hajdar Hoxhën (Kleçkë), Shaqir Shaqirin (Gjilan), Xheladin Gashin (Cahan dhe Kukës), Nuredin Ibishin (Llapashticë) dhe Lahi Brahimajn (Jabllanicë), të cilët paraqiten në pozita të ndryshme brenda strukturave të MRP-së.
Prokuroria thotë se gjatë verës dhe fillimit të vjeshtës së vitit 1999, njësitë policore i raportonin drejtpërdrejt Ministrisë së Rendit Publik për hetimet, arrestimet dhe marrjet në pyetje. Ndërsa, ka theksuar se përfaqësues ndërkombëtarë ngritën shqetësime para Hashim Thaçit, Rexhep Selimit dhe drejtuesve të tjerë të UÇK-së lidhur me arrestimet dhe ndalimet e paligjshme. Edhe pse në gusht 1999 Selimi kishte premtuar respektimin e marrëveshjes së demilitarizimit, sipas Prokurorisë, njësitë policore në terren vazhduan aktivitetet e tyre dhe raportonin për lëvizjet e KFOR-it, përfshirë bastisjet në vende ndalimi. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.








































