Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.P., i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, njofton Dukagjini.


Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushte ligjore për caktimin e kësaj mase, duke theksuar rrezikun e arratisjes dhe mundësinë e shmangies nga përgjegjësia penale nëse i pandehuri lihet në liri.

Po ashtu, në arsyetimin e saj, Gjykata ka potencuar se ekziston rreziku që i pandehuri mund të ndikojë në rrjedhën e procedurës penale, përfshirë asgjësimin, fshehjen apo falsifikimin e provave, si dhe ndikimin tek dëshmitarët.

Seanca dëgjimore është mbajtur para vendimit përfundimtar, pas së cilës është vlerësuar se paraburgimi është masa më adekuate në këtë fazë të procedurës.