LAJMI I FUNDIT:

Japonia me rekord të papunësh

Japonia me rekord të papunësh

Shifrat e fundit në Japoni tregojnë se papunësia u rrit në 5.7%. Kjo është shifra më e lartë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Papunësia në ekonominë e dytë më të madhe në botë ka shënuar rritje për nëntë muaj radhazi. Këto shifra u bënë publike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.

Gjendja e ekonomisë japoneze është çështja kryesore e fushatës zgjedhore në këtë vend.

Njoftimi se papunësia është në nivelin më të lartë që prej Luftës së Dytë Botërore, është një grusht i fortë për kryeministrin Taro Aso.


Sondazhet tregojnë se në zgjedhjet që do të zhvillohen të dielën, Partia Liberal Demokratike e kryeministrit Aso pritet të pësojë humbjen e dytë në më shumë se 50 vjet.

Shifrat e fundit për papunësinë treguan se në korrik numri i japonezëve të papunë ishte mbi 3 milionë e gjysmë, mbi një milion më shumë se një vit më parë.

Zyrtarisht Japonia ka dalë nga recesioni i egër, por familjet japoneze ende nuk po e ndiejnë këtë.

Shifrat e tjera të bëra publike në Tokio tregojnë se çmimet e mallrave kryesore të konsumit ranë 2.2% në muajin korrik në krahasim me një vit më parë.

Japonia u zhyt në një spirale deflacioni për disa vjet rresht dekadën e kaluar.

Situata atëherë u rëndua pasi konsumatorët hezitonin të blinin duke pritur që çmimet të uleshin edhe më shumë. /bbc/