LAJMI I FUNDIT:

Jakup Krasniqi i tregon Daçiqit ku ta kërkojë Serbia Jerusalemin e saj

Jakup Krasniqi i tregon Daçiqit ku ta kërkojë Serbia Jerusalemin e saj

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi i ka reaguar ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se “Kosova është Jerusalemi i Serbisë”.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka porositur Daçiqin se “Koha është që, secili komb në Evropë e Ballkan, Jerusalemin e vet duhet ta kërkojë aty ku e banojnë me njerëzit e tyre. Kosova denbabaden ka qenë e ka mbetur Jerusalem i shqiptarëve dhe bota demokratike e ka konfirmuar e njohur këtë fakt që askush më nuk mund ta kontestojë, e të mos flasim se këtë mund ta kontestojnë çapaçulët te gjenocidit serb!”

Postimi i plotë i Krasniqit:


“JERUSALEMËT KËRKONI ATY KU E POPULLONI, SE SHUMËKUSH KA JERUSALEMË TË HUMBUR!

Daçiqi ua paska thënë izraelitëve se Kosova është Jerusalemi i Daçiqit (i Serbisë)! Kjo thënie e Daçiqit, si Ministër i Jashtëm i Qeverisë së Serbisë, ndoshta edhe nuk është për t’u habitur shumë.

Pse?

Sepse Daçiqi ka qenë pjesë aktive e regjimit serb të Millosheviqit. Ai regjim ka bërë gjenocid në tri vende të ish-Jugosllavisë, në Bosnje e Hercegovinë, në Kroaci e pastaj edhe në Kosovë. Ky farë ministri goxha shkurtabiq, as edhe një herë në jetën e tij nuk është distancuar nga politikat e gjenocidit të shefit të tij politik. Është për të ardhur keq që as GJND-ja, nuk e dënoi Serbinë për gjenocidin e ushtruar tmerrësisht në Bosnjë. Ky fakt, ka kohë që është duke i trimëruar pjesëmarrësit e atij gjenocidi që sot ndodhen në udhëheqjen e Serbisë “demokratike”!

Sikur ky njeri, dje Presidenti i tij, së pari, po të ishin shkëputur nga politikat e Millosheviqit, së dyti, ta kishin bërë kërkimfaljen për gjenocidin e kryer në vendet e përmendura dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, nuk do ta kisha as një arsye t’ua përkujtoja të kaluarën kriminale. Por këta njerëz, sipas të gjitha deklaratave që i thonë që sa vite për Kosovën, pengesat që përpiqen t’ia bëjnë kësaj, konfirmojnë në mënyrë të pakontestueshme, se janë të ulur këmbëkryq në politikat e gjenocidit millosheviqian.

Këta njerëz duhet ta dinë se secili komb e sidomos shqiptarët i kanë Jerusalemët e tyre, që padrejtësisht kanë mbetur jashtë territorit shqiptar. Po ua përkujtoj, këtyre “demokratëve”, që për shpirt i kanë politikat e gjenocidit, se shqiptarët Jerusalemin e tyre e kanë në Shqipërinë e Toplicës, prej nga shovinistet serbë në vitet 1876/78 i kanë shpërngulur me dhun mbi 500 vendbanime shqiptare. Ai ishte edhe holokausti i parë serb mbi shqiptarët autoktonë, ndonëse jo edhe i fundit. Për të cilën gjë Kongresi i Berlinit i vitit 1878 i ka obliguar që t’i dëmshpërblejë. Një obligim të tillë pushteti serb nuk e ka përfillur kurrë. Nëse është e vërtetë, se krimi nuk vjetrohet, Serbia e sotme duhet t’ua kthejë, respektivisht t’ua dëmshpërblejë shqiptarëve, kudo që ata jetojnë sot. Daçiqi e Vuçiqi duhet ta dinë se edhe Pazari i Ri  (Novi-Pazari), Tutini e deri të Molla e kuqe (Nishi) janë Jerusalem i shqiptarëve. Madje edhe kryeqyteti i sotëm serb, Beogradi, dikur ishte një Jerusalem i hungarezëve. Qyteti i sotëm serb i Prilepit ishte Jerusalem i bullgarëve etj.

Koha është që, secili komb në Evropë e Ballkan, Jerusalemin e vet duhet ta kërkojë aty ku e banojnë me njerëzit e tyre. Kosova denbabaden ka qenë e ka mbetur Jerusalem i shqiptarëve dhe bota demokratike e ka konfirmuar e njohur këtë fakt që askush më nuk mund ta kontestojë, e të mos flasim se këtë mund ta kontestojnë çapaçulët te gjenocidit serb!

Është gjë e mirë që secili komb i Ballkanit ta ruajë atë që e ka nën kontrollin e vet!” (sic.), ka shkruar Krasniqi. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ushtria amerikane kryen lëshim ajror të trupave në veri - patrullim rutinor në kufirin me Serbinë

Ushtria amerikane kryen lëshim ajror të trupave në veri - patrullim rutinor në kufirin me Serbinë

Siguri
Arrestohen dy persona për shpëlarje parash në Graçanicë, sekuestrohen 55 mijë euro dhe dokumente

Arrestohen dy persona për shpëlarje parash në Graçanicë, sekuestrohen 55 mijë euro dhe dokumente

Kronika e Zezë
Rrahje mes katër personave në Pejë - dy prej tyre theren me thikë

Rrahje mes katër personave në Pejë - dy prej tyre theren me thikë

Kronika e Zezë
Rama: Rinumërimi i votave të pavlefshme nga votimi me postë, dëshmoi manipulimet e LDK-së

Rama: Rinumërimi i votave të pavlefshme nga votimi me postë, dëshmoi manipulimet e LDK-së

Lajme
Haradinaj flet për Limajn pasi kishte shprehur gatishmëri të bëjë koalicion me Vetëvendosjen

Haradinaj flet për Limajn pasi kishte shprehur gatishmëri të bëjë koalicion me Vetëvendosjen

Lajme
Ndotja e ajrit po na e shkurton jetën, Kosova kryeson listën e vendeve evropiane me më shumë vdekje të parakohshme

Ndotja e ajrit po na e shkurton jetën, Kosova kryeson listën e vendeve evropiane me më shumë vdekje të parakohshme

Lajme
Kalo në kategori