LAJMI I FUNDIT:

BE-ja mbështet punësimin e grupeve të cenueshme në Kosovë

BE-ja mbështet punësimin e grupeve të cenueshme në Kosovë

Hajrije Zeqiri është një grua e ve dhe nënë e gjashtë fëmijëve e cila jeton në Shipol të Mitrovicës. Pa punë dhe duke jetuar falë ndihmës së pakët sociale, ajo kishte nevojë të gjejë një mënyrë për të përmirësuar gjendjen e saj dhe për të siguruar një të ardhme për fëmijët e saj.

“Pas vdekjes së burrit tim, isha pa të ardhura, me ushqim të kufizuar dhe pa shpresë në jetë. Falë një iniciative të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Zyrës për Punësim dhe Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë, mora pjesë në trajnime dhe seminare ku përfaqësuesit folën në mënyrë aq bindëse dhe n’a inkurajuan për të pasur sukses në jetë. Fillova të merrja veten dhe jeta ime u ndryshua plotësisht. Fillova të shoh dritën në fund të tunelit”, thotë Hajrija.


Ajo është një nga shumë gra të veja që kanë përfituar nga projekti i financuar nga BE-ja për rritjen e punësimit të grupeve të cenueshme në Kosovë. Këto gra, që më parë kanë qenë përfituese të skemës sociale, janë trajnuar dhe pajisur me aftësi në ndërmarrësi dhe punësim dhe së paku 8 start-up biznese janë themeluar nga pjesëmarrëset e këtij programi. Hajrije Zeqiri është një nga ato që ka themeluar biznesin e saj. Me një grup të grave të veja ato tani kanë hapur bufe në shkolla fillore dhe të mesme në rajonin e Mitrovicës ku ofrojnë shërbimet e tyre. Biznesi krijon të hyra të qëndrueshme për 32 gra.

Menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, kjo iniciativë për të mbështetur gratë e veja është pjesë e një projekti më të gjerë për punësimin dhe përfshirjen sociale të grupeve më të pafavorizuara dhe të cenueshme me qëllim të mbështetjes të personave që marrin asistencë sociale dhe personave me aftësi të kufizuara. Projekti kontribuon në masat aktive të tregut të punës dhe përmirëson mundësitë për punësim dhe sipërmarrje. BE-ja ka ndarë rreth 3 milion euro për këtë iniciativë, e cila përfshin nëntë grante për organizatat lokale.

Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë ka përfituar 314 mijë euro. Ajo ka përdorur mjetet për të trajnuar mbi 100 gra për rritjen e aftësive të nevojshme për prodhimin e ushqimit. Me këto aftësi të reja, gratë tani janë më mirë të pajisura për t’u punësuar nga bizneset lokale. Gratë që morën pjesë ishin përfituese të skemës së ndihmës sociale dhe u përzgjodhën me ndihmën e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës dhe Qendrës Rajonale të Punësimit në Mitrovicë të cilët janë dy partnerët implementues që punojnë në projektin “Fuqizimi ekonomik dhe ngritja e kapaciteteve për gratë e veja” në Mitrovicë dhe rajonin e Prishtinës.

“Kemi filluar me vetëm një shkollë, e kam regjistruar biznesin dhe e kam menaxhuar me sukses. Tani e kemi zgjeruar biznesin dhe aktualisht po ofrojmë shërbime në dy shkolla të tjera, duke shërbyer edhe drekë. Fitimet e mia më lejojnë që tani të bëj disa përmirësime në shtëpi, kam blerë një makinë, dhe tani ka mundësi të shkoj në bregdet. Jeta ime sapo ka filluar. Do të shikoj përpara pa e kthyer kokën prapa, kurrë më. Falënderoj Bashkimin Evropian për këtë mundësi”.

Tranzicioni nga marrja e asistencës sociale, deri te bashkimi me tregun e punës për këto grupe të cenueshme, sidomos për personat me aftësi të kufizuara, është mjaft sfidues, thotë menaxherja e projektit Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë, Magbule Hyseni.

“Qëllimi dhe misioni i projektit është profesional dhe humanitar. Ne kemi arritur të krijojmë kushte të favorshme pune, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe zvogëluar papunësinë tek gratë, me qëllimin specifik për të rritur të ardhurat e të vejave në rajonin e Mitrovicës dhe Prishtinës. Sot, 118 gra janë trajnuar në teknikat e përgatitjes së ushqimit dhe 42 gra janë trajnuar me aftësi sipërmarrëse, duke rezultuar në themelimin e nëntë bufeve në shkolla”.

Historiku

Rritja e punësimit të grupeve të cenueshme është një projekt i financuar nga Komisioni Evropian dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Përafërsisht 30 milion euro janë ndarë për këtë iniciativë si pjesë e Instrumentit të Ndihmës së Para-anëtarësimit (IPA) 2012. Projekti u implementua nga “WYG International Ltd” gjatë periudhës janar 2014-janar 2016. Përmes projekteve nëntë grante i’u dhanë këtyre organizatave: Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë – IADK, Down Syndrome Kosova – DSK, Forumit për Iniciativa Qytetare-FIQ, Shoqatës Humanitare në Kosovë “Nëna Terezë”, Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve – ECMI, Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Fëmijëve të Paralizuar të Kosovës – HandiKOS, Personave në nevojë, Agjencisë Kosovare për Avokim dhe Zhvillim – KAAD dhe Centro Laici Italiani per le Missioni Associazione– CeLIM. /Telegrafi/