LAJMI I FUNDIT:

BE-ja e trazuar, Ballkani (pa) vullnet për integrim

BE-ja e trazuar, Ballkani (pa) vullnet për integrim

Pavarësisht që Bashkimi Evropian, në 60-vjetorin e themelimit të tij përballet me mjaft sfida, historia e këtyre gjashtë dekadave tregon se është projekti më i madh dhe më i suksesshëm i paqes dhe zhvillimit ekonomik, vlerësojnë njohësit e integrimeve Evropiane në Kosovë.

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë se për të kuptuar suksesin e projektit të quajtur Bashkimi Evropian, duhet hedhur shikimin në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.

“Për më pak se 31 vjet në kontinentin e Evropës kanë ndodhur dy luftëra botërore, të cilat i kanë shkaktuar rreth 70 milionë viktima. Që nga krijimi i Bashkimit Evropian e deri më sot, nuk ka pasur asnjë viktimë në kontinentin evropian, si rezultat i luftërave midis shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.


Projekti i quajtur Bashkimi Evropian i ka tejkaluar pritjet që kanë qenë synim fillestar, vlerëson Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane. Me traktatin e fundit, të Lisbonës, në vitin 2009, siç thotë profesor Ujkani, Bashkimi Evropian ka sqaruar pretendimin e tij, që në të drejtën ndërkombëtare njihet si subjektivitetet juridik.

“BE-ja duhet ta definojë veten qartë, për të marrë ingerencat përfundimtare të një federate, ashtu siç është synuar nga pjesë e shteteve anëtare, ose duhet të vazhdojë të mbetet një organizatë e karakterit vetëm ekonomik, ku shtetet bashkohen për interesa të karakterit ekonomik”, vlerëson Ujkani.

Ndeshja e këtyre dy qasjeve, sipas tij, ka sjell rritjen e atyre që janë të pakënaqur me një qasje të tillë në integrimin në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, Mazreku shpreh mendimin se shtetet e Evropës kanë kaluar sfidat e ndryshme, por në raport me integrimin evropian dhe idenë e Evropës së bashkuar, pas çdo krize, Bashkimi Evropian, përkatësisht, konteksti integrues i tij, ka dalë më i fuqishëm.

Por, në cilën pjesë të rrugës drejt integrimeve evropiane gjendet Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor?

Mazreku thotë se kjo identifikohet me shkallën e vullnetit politik të lidershipit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën. Por, Ujkani shpreh mendimin se pavarësisht hamendjeve që vendet anëtare të BE-së mund të kenë në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, vetë fakti që në mënyrë të vazhdueshme financojnë dhe investojnë për ngritjen e kapaciteteve të këtyre vendeve, që ato të jenë të gatshme për të qenë konkurruese në tregun e përbashkët, jep shpresë që këto vende, në të ardhmen, do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Sidoqoftë, me gjithë problemet që ka brenda Bashkimit Evropian, Kosova deri më tash asnjëherë nuk ka treguar shenja skepticizmi për integrimin e saj në këtë familje të madhe të vendeve evropiane. /REL/