LAJMI I FUNDIT:

Ishte në modë gjenocidi, a din?!

Ishte në modë gjenocidi, a din?!

Ishte në modë gjenocidi asokohe. Ti  kërkon të gjykojmë modën zotni?! Nuk gjykohet dhe nuk dënohet moda, a din?!

Fjala bie, është moda e atleteve shumëngjyrëshe dhe njerëzia i vesh kudo. A mund të gjykohet kjo modë?! Jo.


Edhe atëherë zotni ishte moda e gjenocidit.

Ishte moda e përdhunimeve në grup të vajzave dhe grave në Kosovë. Nuk e di se ç’kënaqësi ndienin ushtarët serbë kur e bënin këtë, por shpërtheu si modë.

Ishte moda e plaçkitjes, rrafshimit dhe përvëlimit. Pasi e plaçkisnin një shtëpi, më pas i vinin zjarrin, a din?!

Ushtarëve serbë iu pëlqenin flakët që lëpinin qiellin dhe në fund pshurrnin mbi hirin e një shtëpie të përvëluar.

Ishte moda e vrasjes së djemve nga e njëjta derë. A din?! Kishte raste që vdisnin të gjithë djemtë e shtëpisë dhe kjo quhej arritje. Modë e çuditshme kjo, por sikundër e thashë më lart zotni, moda duhet pranuar dhe nuk duhet gjykuar.

Ishte moda e fëmijëve që vdisnin dhe zhdukeshin. A din?! Ç’stilist i habitshëm duhet të ketë qenë ai që e shpiku këtë modë. Nejse zotni, unë stilistët nuk do t’i kuptoj kurrë. Ndaj them që moda është e vështirë për t’u kuptuar.

Ishte moda e pjekjes së kufomave. Kufomat futeshin në furrë dhe piqeshin ashtu si piqet një tortë me mollë të dielave.

Ishte moda e varreve masive dhe arkivolët nuk kishin të sosur. Nuk mund t’i numëroje se ngatërroheshe keq. Kam filluar t’i numëroja një herë dhe u ngatërrova. Pastaj fillova nga fillimi dhe u ngatërrova prapë. Pastaj i thashë vetes; E kujt i hyn në punë defteri i të vdekurve?!

Serbia vishej me modën e gjenocidit atëherë zotni. Nuk mund të gjykohet moda. Nuk mund të gjykohet një shtet nga rrobat që vesh. A din?!

Post Scriptum: Më dëgjo zotni! Mos u lodh me e kuptu modën. Thjesht pranoje.