LAJMI I FUNDIT:

Ishte ma shumë se vdekje

Diku kah mesi i muajit mars të këtij viti, agjenci të lajmeve dhe gazeta prestigjioze dhanë me pompozitet lajmin se shkencëtarët kanadezë më në fund pas shumë përpjekjesh mbinjerëzore dhe shpenzimeve të mëdha të parave dhe kohës, arritën ta zbulonin barin kundër kancerit. Krejt kjo kishte ndodhur si rezultat i një eksperimenti duke testuar nëpërmes një preparatit DCA ( Dykloracetatit) në qelizat njerëzore të injektuara në minj duke u krijuar efekte në shkatërrimin e qelizave të kancerit në disa organe vitale të njeriut.

Dhe një mik i imi qysh atëherë më kishte thënë në shaka “e sheh çfarë absurditeti, po ta krahasosh se për çfarë vdesin sot njerëzit në Kosovë, si në Malishevë, që ende rriqrat nuk po ngopen me jetë njeriu, ndërsa anekënd botës luftohet se si të mundet sëmundja misterioze kundër kancerit “.


Pamjet e para disa ditëve me arkivolin që e mbante hermetikisht të mbyllur trupin e vogëlushes gjashtëmbëdhjetë vjeçare të Albana Gashit nga Malisheva e Kosovës, dhe zbulimi i barit kundër kancerit nga shkencëtarët e Universitetit Alberta në qytetin Edmonton të bëjnë të nxjerrësh nga koka ide që i prodhon realiteti ynë paradoksal, se a janë vërtetë rriqrat e infektuara një shkaktar i panjohur apo një lloj “kanceri” i ri për të cilën epidemi sezonale, Kosova do të duhej t’i ftonte në një mision tepër urgjent humanitar mjekët e botës për ta zbuluar preparatin e ri që i jep fund vdekjes së pakuptimtë.

Nga paslufta e këndej u tha se para Albanes viktima të rriqrave kanë qenë dymbëdhjetë persona të tjerë. Raportet e mjekësore janë ironike dhe më shumë ngjajnë me raportet e gazetarëve nga tereni, të cilët japin të dhëna për emrin dhe mbiemrin e personit, vendbanimin, shkollimin dhe ecurinë e ngjarjes me pasojat eventuale, ndërsa si zakonisht të gjitha këto raporte mjekësore në përfundim sikur bashkohen në një pikë se përpjekjet e personelit mjekësor ishin tejet të mëdha sa gati lënë përshtypjen se ishin më shumë se titanike për ta shpëtuar të ndjerin/en nga gjakderdhja si pasojë e etheve hemorragjike.

Një pyetje e pathënë nga goja e Albanes me plotë ëndrra për të ardhmen mund të ishte, a janë rriqrat një fenomeni i vdekjes, të cilat e gjunjëzuan mjekësinë kosovare për një dekadë dhe a vazhdojnë të jenë institucionet komunale zë i plogësht në këtë mot të nxehtë, që në mungesë të një plani të detajuar deri në hollësi dhe të koordinuar nga institucionet qendrore nuk veprojnë në parandalimin dhe çrrënjosjen e rriqrave në Malishevë, e cila ka pak më shumë se 300 km2.

Një hapësirë kjo lehtë e kontrollueshme dhe një situatë që për kapacitetet ekzistuese e menaxhueshme, që në njëfarë mase po e teston fuqinë e institucioneve karshi këtij problemi me përmasa lokale. Mirë që rriqrat nuk i kemi kështu në nivel vendi, sepse nuk e di kush se në çmasë do të rrudheshin lëvizjet e qytetarëve apo do të vihemi në karantinë.

Vdekja e Albanes e heshti fenomenin e rriqrave qysh pas varrimit të saj, krejt çka mbetet është vazhdimi i pikëllimit të familjes, e cila asnjëherë nuk do ta mund ta ngushëllojë veten se vendi i tyre Malisheva e vogël është zonë rreziku për jetesë, ndërsa shteti i tyre nuk po mund të bëjë asgjë që ta parandalojë vdekjen e kobshme jo vetëm të Albanes.

Dikush mund të ngrihet për një këshillë për ju të nderuar qytetarë malishevas, në zgjedhjet lokale që po afrohen në vitin 2013, me shpresën se këtë vit nuk do të rritet ma tepër se në trembëdhjetë numrin e vdekjeve të pakuptimta, mos hezitoni që t’ua jepni notë të dobët partive politike, që gjithnjë në programet e tyre përveç se nuk ua zgjidhen problemin e ujit të pijshëm, asfaltimin e rrugëve, nuk përmbushin projektet e punësimit, së paku kërkoni prej tyre që sa më parë që është e mundur të krijojnë mundësi shpëtimi nga rriqrat e vogla, të cilat po ua marrin jetën e fëmijëve tuaj në mënyrë tinëzare, ndoshta, Albana mund të mos na fal mëkatet, tash në një botë tjetër pa ne, sepse në Malishevën e saj dhe Kosovën e lirë vdiset në mënyrën që vdekja e ka humbur kuptimin që moti.