LAJMI I FUNDIT:

IPKO edhe në Brezovicë

IPKO edhe në Brezovicë

Konsumatorët e operatorit të telefonisë mobile IPKO, tani do të kenë qasje në rrjetin mobil IPKO edhe në Brezovicë, Prevallë dhe Bogaj. Qytetarët e Kosovës mund të ndjekin “drejtpërdrejtë” nga shtëpitë e tyre zhvillimet në rajonin turistik dimërorë të Brezovicës, përmes disa kamerave të vendosura atje.

Bazuar në një njoftim zyrtar të IPKO-s, kompania tashmë ka shtrirë rrjetin e saj edhe në pikat kryesore turistike të vendit, duke iu mundësuar kështu komunikim me cilësi të lartë dhe të pandërprerë konsumatorëve të saj.

“Kompania e telekomunikimit IPKO ka ndërtuar rrjetin i cili mbulon me sinjal të telefonisë mobile 96 për qind të popullsisë në Kosovë, përkatësisht 88 për qind të territorit, duke u bërë kështu transmetuesi më i fuqishëm i sinjalit të telefonisë mobile në Kosovë, i cili është gjithnjë në rritje”, thuhet në njoftimin zyrtar të lëshuar nga Astrit Gashi, Menaxher në Departamentin e Marrëdhënieve me Publikun në IPKO.

IPKO po ashtu ka njoftuar se, kjo është shkalla më e lartë e mbulueshmërisë së një operatori me rrjet të telefonisë mobile në Kosovë.


Ndryshe, kompania IPKO ofron shërbime telekomunikimi te telefonisë mobile, internetit dhe të telefonisë fikse si dhe te televizionit kabllor. Të gjitha këto shërbime janë të licencuara nga autoritete përkatëse. /Telegrafi/