LAJMI I FUNDIT:

Institucionet “ndalen”, autostrada për Shkup jo!

Institucionet “ndalen”, autostrada për Shkup jo!

Përkundër problemeve të cilat janë në krijimin e Qeverisë së re dhe institucioneve të tjera, Autostrada “Arbën Xhaferi, e cila lidhë Kosovën me Maqedoninë nuk do të ndalet. Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe të Kompanisë “Bechtel & Enka” kanë thënë se janë duke punuar sipas planit dinamik të miratuar më herët.

Lah Nitaj, këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), ka thënë për Telegrafin se pavarësisht zhvillimeve politike në vend, autostrada për Shkup nuk do të ndalet.  “Punimet janë duke vazhduar në autostradë, kompania e ka planin dinamik që është hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës më herët. Kompania e cila është duke i kryer punimet nuk është ankuar për ndonjë pengesë”, tha Nitaj.


Kurse, zëdhënësja e konsorciumit amerikano-turk “Bechtel & Enka”, Ela Ruçi ka konfirmuar për Portalin Telegrafi, se janë duke vazhduar punimet në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidhë Kosovën me Maqedoninë.

Sipas saj, përveç punëve të paparapara janë duke u bërë edhe testime të ndryshme laboratorike.  “Po punohet, po gërmohet, po mbushet, po bëhen testimet laboratorike, e shumë punë të tjera sipas planeve të punës”, ka treguar ajo.

Ruçi ka treguar se aktualisht është duke u punuar edhe në nyjën lidhëse të kësaj rrugë me autostradën Vermicë – Merdare. “Fokusi i konsorcioumi ‘Bechtel & Enka‘ është në nyjën lidhëse të Rrugës 7 me Rrugën R6 në dy drejtime”, tha ajo.

Ndërkaq në Ministrinë e Financave (MF), kanë treguar së kanë paraparë një shumë të konsiderueshme të mjeteve edhe me buxhetin e vitit 2014 për realizimin projektit të Autostradës  “Arbën Xhaferi” Prishtinë – Hani i Elezit.

Për këtë projekt, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Financave, për tre vite janë paparë 250 milionë euro. “Me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, mjetet e ndara për Rrugën 6, respektivisht Autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për vitin 2014 janë 49 milionë euro, kurse vlerësimet për vitet 2015 dhe 2016 për secilin vit janë në shumë prej 100 milionë euro”, është thënë në përgjigjet e Ministrisë së Financave për Telegrafin.

Ndryshe, konsorciumi “Bechtel & Enka” kishte fituar tenderin pwr këtë autostradë në janar të këtij viti duke ofruar çmimin prej 599,944,263 euro ndërsa konzororciumi italiano-turk “Cooperativa Muratori and Cementisti, C.M.C. di Ravenna & Dogus (CD)”, është renditur i dyti me ofertën financiare prej 756.060.580 euro.

Oferta e parë e konzorciumit fitues ka qenë 500 milionë euro nëse autostrada ndërtohet pa tunel, ndërsa nëse ndërtohet tuneli, “Bechtel & Enka” ka kërkuar 600 milionë euro. /Telegrafi/