LAJMI I FUNDIT:

INSTAT: Rritja ekonomike 6%

INSTAT: Rritja ekonomike 6%

Shqipëria nuk është në krizë, të paktën kështu raporton Instituti i Statistikave, sipas të cilit rritja ekonomike për tre-mujorin e parë të këtij viti ka shënuar 6 për qind.

Megjithëse e gjithë bota është përfshirë nga kriza disa nga sektorët me kontributin kryesor në ekonominë e vendit si bujqësia, ndërtimit dhe shërbimet kanë pësuar rritje sipas INSTAT-it.

"Ekonomia në tremujorin e parë të vitit 2009 u rrit me 6.0 për qind kundrejt tremujorit të parë të vitit 2008. Në këtë tremujor degët që kanë dhënë kontribut në rritje janë postë- telekomunikacioni, shërbimet, ndërtimi, etj respektivisht me 22.0 për qind, 15.3 dhe 8.0 për qind. Rënien më të lartë në këtë tremujor e ka shënuar dega e industrisë me -13.2.",- thuhet në raportin e publikuar dje nga INSTAT.

Vetë ndërtuesit kanë deklaruar se ky sektor ndodhet në krizë, ku në të gjithë vendin numërohen mbi katër mijë apartamente pa shitur, por në shifrat e institutit sektori paraqitet me të dhëna pozitive.


Sipas institutit, bujqësia ka shënuar rritje me 3.5 për qind në tre muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2008-ës. Ndërsa rritjen më të lartë e ka shënuar telekomunikacioni dhe rënien më të lartë industria.

Fondi Monetar Ndërkombëtar në një raport të kohëve të fundit parashikon që rritje ekonomike për Shqipërinë gjatë vitit 2009 do të jetë rreth 0.4 për qind, ose rreth 15 herë më pak se rritje vjetore për 3-mujorin e parë. Sipas studimeve, vendi ynë mund t’i rikthehet rritjes vjetore ekonomike prej 6 për qindësh vetëm në vitin 2014. /shekulli/