LAJMI I FUNDIT:

Inspeksioni pastron trotuaret nga mallrat pa leje në Mitrovicë

Inspeksioni pastron trotuaret nga mallrat pa leje në Mitrovicë

Inspektorë të shumtë në qytetin e Mitrovicës, të udhëhequr nga drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Naim Hajra, si dhe me asistencë të policisë, janë duke zhvilluar ditëve të fundit aksion për pastrimin e trotuareve nga mallrat e ekspozuara nga pronarët e papërgjegjshëm të disa lokaleve.

Drejtori Hajra bëri të ditur për Kosovapress se gjatë aksionit ka pasur probleme të theksuara, për shkak të mospajtimit dhe mosbindjeve të pronarëve të lokaleve.

Mirëpo, shtoi ai, as rezistenca e panevojshme e pronarëve të lokaleve, nuk do t’i zmbrapsë inspektorët për të kryer me sukses punën e tyre.


Sipas tij, të gjitha mallrat të cilat kanë qenë të vendosura pa leje në hapësirat publike, janë konfiskuar. “Gjatë këtij aksioni është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e mallrave, pemë dhe perime, vlera e të cilave vetëm gjatë ditës së martë arrin shumën rreth 2 mijë euro, të cilat ishin të vendosura pa leje në hapësirat publike, përkatësisht trotuare”, ka thënë Hajra.

Ai ka paralajmëruar se aksione të këtilla do të vazhdojnë deri në eliminimin e tërësishëm të kësaj dukurie, e cila po e vështirëson qarkullimin e lirë të qytetarëve.

Sipas Hajres ndaj subjekteve të papërgjegjshme, të cilat nuk e respektojnë rendin dhe ligjin, do të iniciohet procedurë gjyqësore. /Telegrafi/