LAJMI I FUNDIT:

Importimi i pakontrolluar rrezikon qumështin vendor

Importimi i pakontrolluar rrezikon qumështin vendor

Fermerët që merren me prodhimin e qumështit dhe produkteve të tij, janë duke u rrezikuar seriozisht nga qumështi i importuar, pavarësisht se ata kanë shumë më shumë kapacitete sesa që prodhojnë aktualisht, fermerët mbulojën vetëm 45 për qind të nevojave vendore me qumësht të prodhuar.

Marrja e masave mbrojtëse nga institucionet do t’i mbronte prodhuesit vendor të qumështit si dhe do t’i rriste kapacitetet prodhuese të qumështit.


Kryetari i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës, Ramadan Memaj ka thënë se fermerët vendorë nevojat konsumuese me qumësht i mbulojën në masën 45 për qind.

Sipas tij, pengesa të mëdha prodhuesit vendor të qumështit kanë nga qumështi që importohet.

“Konkurrenca nga importi është shumë e madhe dhe shumë e pa drejtë ,për shkak se importet e pa kontrolluara, jo vetëm në kuptim të cilësisë por edhe të sasisë pa limit bëjnë që prodhuesit vendor të kenë vështirësi shumë të mëdha. Edhe pse Parlamenti i Kosovës ka aprovuar ligjin Anti Damping, asnjëherë nuk është aplikuar tek produktet e qumështit”, tha Memaj.

Ai ka treguar se 25 lloje të qumështit importohen në Kosovës.

“Është koha e fundit që ky trend i lejimit të importeve pa kontroll të përfundoj. Prandaj, kërkojmë marrjen e masave: Ndalimi i produkteve mashtruese dhe të falsifikuara, aplikimi i masave anti damping dhe kunderbalancuese kundër produkteve damping dhe të subvencionuara. Kuotizim në import ndaj produkteve të qumështit në kohën kur në Kosovë ka teprica të qumështit. Ndërmarrja e menjëhershme e këtyre masave do të siguronte parakushtet për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit më të madh në ekonomin e Kosovës”, ka thënë Ramadan Memaj, kryetar i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës.

Ai ka thënë se nëse merren masa mbrojtëse fermerët kanë kapacitete më të mëdha prodhuese. “Për momentin ne i prodhojmë rreth 170,000 litra që është rreth 50,000 më pak se në 2014”, tha Memaj.

Në Qumështoren VITA kanë thënë se kanë kapacitete më të mëdha të prodhimit të qumështit, sikur institucionet në Kosovë do të merreshin masa mbrojtëse për qumështarët.

“Kapacitete prodhuese të Qumështores VITA janë 21.000 litra në orë, sikur importi të ishte i drejtë mundësitë janë të mëdha sepse momentalisht prodhohet me 45% të kapaciteteve ekzistuese”, kanë treguar në qumështoren VITA.

Sipas tyre marrja e masave mbrojtëse është nevojë urgjente për t’i mbrojtur fermerët vendor nga importi.

“Fermeri ka nevojë urgjente për mbrojtje nga importi sepse mosplasimi i qumështit në kontinuitet e dëmton sektorin e prodhimit primar dhe njëkohësisht i zbeh synimet për rritje të investimeve në prodhimin primar dhe shtimin e kapacitetit prodhues të qumështit, edhe pse Ministria e Bujqësisë aplikon skemën e subvencioneve për qumësht dhe lopë qumështore”, është thënë në përgjigjet nga kjo qumështore.

Mos aplikimi i masave mbrojtëse dhe antidamping nga ana e institucioneve të Kosovës, e bënë konkurrencën e pa drejtë.

“Mos-aplikimi i masave mbrojtëse dhe antidamping, lejimi i importit të produkteve të qumështit me bazë nga yndyra bimore, pothuajse kanë fundosur çdo shpresë për perspektiven e sektorit të prodhimit dhe përpunuesit të qumështit”, kanë thënë nga Qumështorja VITA.

E, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Lamir Thaçi ka thënë se bëjnë kontrollin e të gjitha ngarkesave të produkteve ushqimore me origjinë shtazore duke përfshirë edhe qumështi i importuar.

“Gjatë këtij viti nuk kemi pasur ndonjë problem, të gjitha ngarkesat kanë qen të kompletuara me dokumentacion sipas ligjeve dhe rregullave ne fuqi. Të gjitha mostrat kanë rezultuar brenda limiteve të parapara për siguri të produkteve andaj nuk kemi pasur ndonjë ndalesë apo refuzim për ketë lloj të produktit”, ka thënë Thaçi.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se gjatë këtij viti është importuar qumësht në vlerë prej 17 milionë euro.

Qumështi i importuar sipas tij, është i llojeve të ndryshme. “Deri më tani gjatë këtij vitit janë importuar 27 milionë litra qumësht të llojeve të ndryshme. Vlera e qumështit të importit arrin në 17 milionë euro derisa kësaj vlere duhet t’i shtohen edhe pagesa e taksave”, ka treguar zëdhënësi Stavileci.