LAJMI I FUNDIT:

Ikja nga rapsodia!

Ikja nga rapsodia!
Ilustrim

Mujziu, kurrë nuk e harroi ditën kur u largua për të fundit herë nga oda e fqinjit. Iu kujtua ajo ditë e dasmës të cilën nuk e priti deri në fund. Iu kujtuan edhe mysafirët që vinin me radhë dhe që asnjëherë nuk e vunë re ulur, pa një këmbë, ashtu siç nuk i panë as kërrabat e tij afër dorës. Sa mysafir që kishte hyrë në odë, e që kishte zënë vend sipas rregullit të zijoshëve, Mujziun e kishin shtyrë një hap tutje në drejtim të derës, pasi që ky konsiderohej i afërm dhe jabanxhinjve duhej liruar vendin.  Nuk priti të mbushet oda me jabanxhi deri në fund. Ishte shumë afër derës kur arritën edhe rapsodët. E donte shumë muzikën. Vendosi të pres edhe pak.  Dëshironte me shpirte të dëgjonte, bile, së paku këngën e parë. Rapsodët, pasi pinë nga një kafe dhe pasi ishte koha që para darkës të ia thonë një kënge, zakonisht me përmbajtje të gëzueshme, krejt papritmas, nisën të këndojnë “Këngën e Danit”, të gjatë, plot dhembje e pikëllim, fillim e mbarim. Mujziu e dinte fjalë për fjalë rapsodinë. Dukej sikur i tha vetës; A po ecë, a jo! Kupa u mbush!

“Po ia këndojmë këngën e Danit,


Shumë zullum kem pas në kohën e krajlit”! – jehoi zëri i rapsodëve.

Ishte ulur shumë afër anës së pasme të derës, që hapej e mbyllej orë e çast. Në atë pozitë ku po qëndronte, krejt pahiri e papritur fare,  dikush mund t’ia përplaste derën në fytyrë. As i shkoi mendja t’i thoshte dikujt diçka.

Kërrabat zakonisht i mbante me dorë, aty afër. Asnjëherë nuk i mbështeste për muri, sepse po t’i prekte dikush padashur, ato binin për tokë me rrapëllimë.

Ndihmo zot, tha pa zë!

Vetvetiu kishte tërhequr kërrabat me një dorë dhe ishte ngritur, për të ikur përfundimisht, jo vetëm nga kjo dasmë, por edhe nga çdo tubim tjetër.

Atë ditë nuk kërkoi ndihmë nga askush, dhe askush nuk i ndihmoi. Megjithëse, akoma ishte më i ri  e më i fuqishëm,  por me pak përvojë të ecjes me kërraba, lëvizjen me një këmbë e përjetonte rëndë. Pa bërë hapin e parë brenda në odë, u rrëzua si të binte nga qielli. Përplasja e Mujziut përtokë u dëgjua larg, por jo edhe në veshët  e atyre që kishin mbushur odën. Dasmorët, kishin curruar veshtë për të dëgjuar këngën, megjithëse pak kush kuptonte ndonjë fjalë e lere më përmbajtjen.

Rrapëllima që shkaktoi Mujziu kur u përplas për tokë me tërë trupin, u tretë në zërin e rapsodëve, që sapo kishin filluar të nxehen. Mblodhi vetën fort! Mblodhi fuqitë e dikurshme rinore dhe shtrëngoi kërrabat  me duar, duke u ngritur në këmbë për së dyti herë.. Kapërceu pragun e derës i shkujdesur, pa kokërr frike që mund të përplasej serish.  Eci ngadalë nëpër oborr dhe u largua drejt shtëpisë. Nuk iku vetëm nga oda e gëzimi i përbashkët me të tjerë, por u largua përfundimisht edhe nga një pjesë e jetës.

Sa shumë e donte këngën folklorike! Kishte mësuar përmendesh shumë rapsodi. Shumë herë kishte përsiatur në heshtje për përmbajtjen e tyre, për përshkrimet e pashembullta, krejt reale, me emra e mbiemra konkret të vendeve e të personazheve.  Kishte menduar seriozisht pse autorët e këtyre rapsodive kanë mbetur anonim?!

Nuk u ligështua për asnjë çast. Nuk i shtrëngoi aq fort kërrabat, sa shumë i shtrëngoi muskujt e krahëve. Edhe kur doli nga dera, nuk ia vuri mendjen askush. Sa hapa që bëri drejt shtëpisë, krismat e kërrabave të tij i tingëllonin në vesh si tik-taku i orës që shënon çdo sekondë të kaluar.  Mund t’i numëronte edhe vet hapat nga kërcitja e kërrabave që shkaktohej nga pesha e trupit mbështetur mbi dy kërraba, si mbi dy shtylla druri që lëvizin me diktat.

Kërrabat e punuara nga druri i shelgut të tharë, sa herë ndërronte hapin, kërcisnin sikur do të thyheshin në çdo çast. Nëpër errësirë, kur nuk shihej asgjë, dëgjoheshin kërcitjet e ndrydhura të kërrabave të tij, që tregonin se ai po kthehej në shtëpi.

Atë ditë që iku nga dasma e fqinjit, vetëm qeni e priti me gëzim në derë të oborrit.

Të gjithë anëtarët e familjes ishin në dasmë. U gëzua pa masë, pse në ato çaste, as  kur u rrëzua, e as kur udhëtoi drejt shtëpisë,  nuk e pa askush nga familja e tij. Shumë ngushtohej kur rrëzohej në praninë e familjes. Ashtu vetëm, vetën e ndiente shumë më të fuqishëm, shumë më të vendosur  për të rrezikuar edhe çdo përplasje tjetër përtokë. Eci atë ditë, duke dhënë dorëheqje nga çdo tubim gëzimi e morti. Bile, atë ditë  ishte lutur pa zë, që mos ta shoh askush, së paku derisa të kthehej në oborrin e tij.

Edhe zemra e dëgjoi mirë. Akoma pa hy në oborr, e përshkoi një ndjenjë gëzimi që ia doli të kthehej në shtëpi, pa ndihmën e askujt.

I shkoi ndër mend gjithçka, por jo edhe për të ikur nga Zeza.

Para se të hynte në shtëpi, në errësirë të plotë, u shtri gjerë e gjatë mbi bar, pranë trungut të kumbullës në oborr, ku kryente punë të ndryshme që i përshtateshin ulur apo pa lëvizë me kërraba. Ishte natë e freskët. Zëri i rapsodëve nga oda e fqinjit arrinte mirë deri aty.
I erdhën në vesh vargjet tjera:

“O i shoq i Danit me pa çka banë?

O “porezenikëve”,  çka iu ka thanë?

O i ka paret, s’po donë me j’au dhanë!

Hajt babëlok, hajt, thirri me zë të shterur plaku! Si të mos ikin njerëzit nga këto marrëzi të trishta , foli me zë aty në terr, në oborrin e tij?!

Tashmë iu kishin përzier dashuria për jetën me mallin për fëmijët, dhe më nuk i dallonte dot.

Në atë qetësi të natës, në atë ajër të freskët, mund të dallonte çdo fjalë që dilte nga goja  e rapsodëve të njohur që po vazhdonin këngën në odën e fqinjit prej nga kishte ik para pak çastesh.

“Tash një javë një nuse e kam marrë!

O i pa soj, miku ish kanë!

O gja në derë nuk më ka lanë”!

Më nuk dëshironte të dëgjonte asgjë. Vendosi lehtë trupin mbi kërrabat e tija dhe me tre katër hapa të dyfishtë hyri brenda në shtëpi. Thuajse kishte fituar siguri më të madhe nga përplasja në odë. U lëshua lirshëm në shtratin e tij të ndërtuar me çatma druri, e mbushur deng me sanë të livadheve, plot aromë lule mokthi*.

Zëri i rapsodëve mbeti jashtë…!

Këtë ditë e shënoi si një datë të zezë në jetën e tij.

E vërshuan kujtime të largëta. Mali që po rritej lirshëm përreth shtëpisë, po ai mal, rrënjët e të cilit i kishte vendos me duart e tij, tashmë i dukej kërcënues. Iu kujtua koha kur vet, me dorën e tij kishte mbjell farën e atyre lisave një për një. Nuk harroi t’i thoshte  vetes se bungishtën e fshatit e kanë mbjellë me dorë Mujziu dhe Maku.  Po kujt i shkon mendja që dikur dikush ka mbjell lena, more njeri, fliste vet me veti! Donte ta ngushëllonte vetën, por zëri nuk i dilte dot. Donte t’i thoshte vetës; hajt, hajt, o njeri, se sot nuk dëgjon askush përrallat tuaja. Nuk ke kujt i thua asgjë. Nuk ka më dëshmitarë për të bëmat tuaja o plak! Hesht plako, hesht i thoshte vetës me zë që nuk i dilte dot. Lenat i kemi marrë në Mirushë unë e Maku dhe i kemi mbjellë. Bungishta e tashme për disa vjet u bë mal i dendur, e tash iu ka afruar shtëpisë deri në derë.

Po t’i tregoni sot dikujt, si Maku mbante parmendën, ndërsa Mujziu lëshonte me dorë një nga një kokrrat e lenave të bungut nëpër hulli, mu sikur farat e misrit, tash duket si një përrallë e pabesueshme. Për të mbjell lëna, nuk nevojitet lëvrim i thellë e i shpeshtë, siç mendon dikush. Mjafton që lenat të mbulohen me pak dhe, dhe ato nxjerrin kokën fidan në pranverë, pastaj për t’u rritur e bërë mal, siç shihet sot.  Sa shumë herë kemi pre dru për zjarr nga ato lëna që e i kemi hedh me Makun, kujtonte zemërplasur Mujziu.

Zijoshët nuk këndojnë këngë për ata që mbjellin lëna, o njeri!

Zijoshët tallën me punëtorë edhe kur hanë bukë.

Kur keni dëgjuar këngë për punëtorin në Zezë?

Maku ka vdekur moti. Na nuk mbollëm lëna për të na thurë këngë dikush, por për të pjekë bukën.  Tash Zeza ka mbet me dy banorë pleq.  Edhe këta hanë bukë, por nuk u bie ndër mend për lënat që mbollën dikur Maku e Mujziu.

Kush jeton aq gjatë për të pritur ato kokrra lënash, që të rritën e të bëhen lisa për dru zjarri, thoshin asokohe me ironi zijoshët, derisa shikonin Mujziun e Makun tek mbillnin lënat sikur kokrrat e misrit. Ata e donim natyrën më shpirt dhe ajo ua kthente në të njëjtën masë.

Mujziu shumë herë e kujtonte edhe Hasretin, këpucarë nga fshati Thanëz,  i cili duke punuar shegert këpucari, mësoi zanatin që i shërbeu tanë jetën, jo veç për veti e për zijoshë, por edhe për nevojtarë më të largët. Besa, ai pat hapur edhe një punëtori këpucësh në fshat. Fitonte mirë. Arriti të kursej edhe pak para për të blerë makinë mekanike për qepjen e këpucëve. Numëronte në heshtje edhe zanatlinjtë tjerë të fshatrave të afërme që punonin çdo punë që ua shihte syri. Zanatlinjtë e moçëm kanë vdekur moti, ndërsa zejet nuk i përtëriu askush. Nipërit e zanatlinjve të dikurshëm të kësaj ane, tash punojnë nëpër uzina gjermane, zvicerane, angleze a franceze.

Pse vjen dita kur Zeza të mbetet cung i zi, nuk më ka shkuar mendja asnjëherë, i thotë veti plaku zemërplasur. Sot do mund të kishim së paku një këpucar e një leshlënurës, por brezi i ri ikën të gjithë një pas një. Dikur, këndej pari  në Zezë, kthenin njerëz edhe nga larg për shumë shërbime që bëheshin me nder e respekt për secilin që kishte nevojë, ndërsa sot nuk kthehen as zijoshët që kanë bërë strofujt  në të katër anët e botës. (sic.)

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Zbulohen detaje dhe pamje të vjedhjes nga grupi kriminal serb “Pink Panther” në një argjendari në Greqi – bie në sy një detaj

Zbulohen detaje dhe pamje të vjedhjes nga grupi kriminal serb “Pink Panther” në një argjendari në Greqi – bie në sy një detaj

Botë
Dua Lipa duket e lumtur në krahët e të dashurit të saj, ndërsa fotografohen bashkë në një darkë në New York City

Dua Lipa duket e lumtur në krahët e të dashurit të saj, ndërsa fotografohen bashkë në një darkë në New York City

Magazina
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Kalo në kategori