LAJMI I FUNDIT:

Ikin edhe tre, AKP totalisht pa mbikëqyrje

Ikin edhe tre, AKP totalisht pa mbikëqyrje

Papërgjegjësia e institucioneve të larta, Qeverisë dhe Kuvendit, shihet sidomos dhe veçanërisht në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), institucionin ndër më të rëndësishmit për nga fushëveprimtaria e gjerë dhe ndër më të ndieshmit për nga pakënaqësia që prodhon kjo Agjenci dhe për nga kritikat që kanë të gjithë ndaj saj.

Nga sot kjo Agjenci mbetet totalisht pa mbikëqyrje nga Kuvendi dhe nga Qeveria e vendit. Bordi i Drejtorëve në AKP, organ ky vendimmarrës që zgjedhet nga Kuvendi i Kosovës nga sot është inekzistent, pasi që do të mungojnë edhe anëtarët e fundit që i kishte. Deri më tani në Bordin e Drejtorëve ishin 3 anëtarë me mandat ligjor, nga 8 sa duhet t’i ketë Bordi. Por sot u skadoi mandati edhe 3 anëtarëve të mbetur duke e lënë AKP-në totalisht pa mbikëqyrje.

Këtë e konfirmojnë edhe në AKP. “Tre anëtarëve të Bordit u përfundon mandati me datë 20 shkurt 2015”, thotë për Infokus zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi.


Kjo Agjenci është pa Bord të kompletuar qe rreth dy vite. Kryetari i fundit i Bordit ka qenë Blerim Rexha, i cili pas vetëm pak muajve dha dorëheqje nga kjo pozitë, bashkë edhe me një anëtar tjetër vendor dhe një anëtar ndërkombëtar. Që nga atëherë Bordi ishte pa kryesues, ndërsa këtë pozitë e ushtroi zëvendës kryesuesi Skender Komoni, kurse Bordi ishte me përbërje gjysmake, me gjithsej 5 anëtarë.

Kaloshi thotë se Bordi sa i kishte 5 anëtarë ishte funksional, pasi që kishte kuorum për të mbajtur mbledhje dhe për të marrë vendime. Mirëpo në muajin gusht 2014 u skadoi mandati edhe dy drejtorëve ndërkombëtar të Bordit dhe ky organ mbeti vetëm me tre anëtarë, i mungonin 5 anëtarë, që e pamundësoi mbajtjen e mbledhjeve dhe marrjen e vendimeve në Bord, pasi që nuk kishte kuorum për tu mbledhur. Data 20 shkurt është dita kur Bordi i Drejtorëve i AKP-së do të mbetet pa asnjë anëtarë dhe AKP do të mbetet pa Bord.

Në AKP, zëdhënësi Ylli Kaloshi thotë se anëtarët e Bordit, sipas ligjit të AKP-së, i zgjedh Kuvendi i Kosovës. “AKP i ka njoftuar institucionet e larta për mungesën e anëtarëve të Bordit dhe për mandatin e anëtarëve të mbetur. Presim që sa më shpejt që është e mundur të caktohen drejtorët e Bordit, në mënyrë që të funksionalizohet ky organ vendimmarrës për Agjencinë”, thotë ai. /Infokusi.com/Telegrafi/