LAJMI I FUNDIT:

Hyseni: Roli i shtuar i kancelares Merkel në dialog, lajm i mirë për Kosovën (Video)

Hyseni: Roli i shtuar i kancelares Merkel në dialog, lajm i mirë për Kosovën (Video)

Nuk ka propozime të fshehta në Samitin e Berlinit. Kështu tha Presidenti i vendit, ndërsa përfaqësues të opozitës e njohësit e zhvillimeve politike nuk presin diçka konkrete nga ky takim. Ata kërkojnë që Kosova të përfaqësohet në një zë dhe se arritja e marrëveshjes duhet të bëhet me konsensus të plot politik.

Me iniciativën e Gjermanisë dhe Francës, do të bëhen bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor më 29 prill, në mesin e të cilëve janë edhe presidenti i Kosovës. Presidenti Hashim Thaci e kryeministri Ramush Haradinaj do të jenë të pranishëm bashkë me homologët e tyre nga Serbia, Vuqiç e Bërnabiq.


Nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet në këtë takim nga nikoqirët, kancelaria Angela Merkel e presidenti francez, Emmanuel Macron. Kështu të paktën thotë presidenti Thaçi.

“Bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi. Presim që, në fund, ky takim të rezultojë me një deklaratë retorike të përgjithshme, paraprakisht të dakorduar mes pjesëmarrësve, e cila ndër të tjera do të rikonfirmojë së paku perspektiven evropiane të rajonit tonë, thellimin e reformave sidomos në sundimin e ligjit, si dhe do të theksojë domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Thaçi.

Për ndonjë skenar të fshehtë, kryeministri Haradinaj ka thënë se nuk kanë informata të tilla.

Haradinaj tha se presidenti serb Vuçiq nuk duhet të jap ultimatume e nuk duhet të jap kushtëzime, por të kthehet në tavolinën e bisedimeve.

Opozita e njohësit e zhvillimeve politike, nuk presin shumë nga ky takim. Por, insistojnë që të shkojnë me gjuhë të përbashkët dhe që për dialog, të arrihet konsensus.

Ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni tha se nuk mund të pritet një marrëveshje me Serbinë pa trysnin e ndërkombëtarëve. Por, as Kosova nuk duhet të dialogoj finalen pa një konsensus të gjerë.

“Është lajm i mirë që Gjermania dhe kancelarja Merkel mund të marrin një rol të shtuar në dialogun me Serbinë…Në këtë dialog duhet të kemi një zë të unifikuar karshi Serbisë. Do të ishte gabim strategjik në periudhë afatgjate nëse dikush pretendon të përfitoj politikisht në këtë proces”, deklaroi për RTV Dukagjinin,  Skënder Hyseni.

Faton Abdullahu, njohës i zhvillimeve politike në vend, numëron arsyet pse nuk mund të pritet shumë nga samiti i Berlinit.

“Brenda vet faktorit kosovar ka dallime të mëdha sa i përket dialogut. Pra, shkohet me Ekipin e Dialogut dhe shkohet me propozimin e Presidentit për korrigjim të kufijve”, deklaroi Faton Abdullahu.

Përkundër që pas zgjidhjes së problemit mes Greqisë e Maqedonisë, problemi që merr vëmendjen më të madhe në rajon është ai i Kosovës dhe Serbisë. As liderët e shtetit serb nuk presin diçka të madhe nga samiti i 29 prillit. /RTV Dukagjini/Telegrafi/