LAJMI I FUNDIT:

Hungaria në krizë, por nuk e pranon FMN-në

Hungaria në krizë, por nuk e pranon FMN-në

Hungaria është zhytur thellë në borxhe, por nuk pranon t'i lejojë Fondit Monetar Ndërkombëtar të ketë asnjë ndikim në politikën e saj ekonomike.

Në sfondin e polemikave aktuale me FMN-në dhe BE-në, sekretari i shtetit Mihaly Varga ka deklaruar se qeveria e tij dëshiron t’i japë fund politikës së kursimeve. FMN-ja sipas tij nuk ka qenë deri tani e aftë të propozojë një terapi efektive për rimëkëmbjen e buxhetit.

Pak kohë më parë Hungaria vendosi një taksë për bankat, vendim i cili shkaktoi shqetësim në tregjet financiare ndërkombëtare.

Edhe Banka Qendrore Evropiane shprehu shqetësim. Bisedimet për ndihma të tjera në kredi në shumë prej 20 miliardë eurosh, janë ndërprerë pasi qeveria në Budapest nuk pranon kërkesat e FMN-së dhe BE-së.


Krizën më të rëndë financiare në vendet anëtare të BE-së po e përjeton Greqia, e cila ende nuk ka mundur të rimëkëmbë veten përkundër ndihmës që i është ofruar. /Telegrafi/