LAJMI I FUNDIT:

HTC lanson edhe One M8 for Windows

HTC lanson edhe One M8 for Windows

Për një kohë të gjatë tashmë janë dëgjuar raportime të ndryshme për versionin në Windows Phone të telefonit të avancuar të HTC-së, One M8, ndërsa tani ky model është zyrtarizuar nga kompania tajvaneze e cila këtë variant të telefonit të saj do ta quajë HTC One (M8) for Windows.

HTC One M8 for Windows vjen me karakteristika të ngjashme sikurse versioni në Android I HTC One M8, ndërsa telefoni i ri i HTC fillimisht do të lëshohet në Verizon Wireless në SHBA.

HTC One M8 for Windows ofron ekranin Full HD me diagonalen prej 5 inç, me rezolucionin prej 1920 x 1080 pikselëve, ndërsa pajisja e re e HTC mbështetet edhe nga procesori quad core 2.3GHz Qualcomm Snapdragon 801 dhe 2GB RAM.

Hapësira e brendshme prej 32GB mund të zgjerohet në 128GB përmes kartelës microSD, dhe në këtë version vjen edhe HTC BoomSound, GPS, si dhe lidhjet WiFi, Bluetooth, 4G LTE.


HTC One M8 for Windows ofron edhe kamerën e përparme me 5 MP, si dhe dy kamerat e pasme dual HTC Ultrapixel. Telefoni i ri i HTC-së do të sjell edhe versionin më të ri të sistemit operativ të Microsoft, WindowsPhone 8.1, që përfshin edhe Microsoft Cortana. (Telegrafi)