LAJMI I FUNDIT:

Hixhama e thatë dhe masazhuese

Hixhama e thatë dhe masazhuese

Hixhama e thatë – është një trajtim i veçantë mjekësor, i cili ka nevojë ende për shpjegime dhe hulumtime shkencore, pasi deri tani hulumtimet për këtë terapi janë të pakta

Shkruan: MSc. Qëndresë Paçarizi


Hixhama e thatë realizohet me anë të vendosjes së kupës në lëkurë, me të cilin krijohet presioni negativ thithës duke bërë të mundshme hollimin dhe rishpërndarjen e substancave të dëmshme të tretshme dhe mund të bëhet larg nga receptorët e dhembjes dhe strukturat e ndjeshme ndaj dhembjes.

Kupat, të cilat shfrytëzohen për t’u kryer një proces i tillë, përbëhen nga një varg materialesh, të cilat mund të jenë: qelqi, plastika, argjili, silikoni, bambuja etj.

Me këtë lloj terapie që nga kohërat më të lashta janë trajtuar sëmundje me partogjenezë të ndryshme, mandej ky trajtim i sëmundjeve vazhdon edhe në ditët e sotme. Në vitet 1992-2010, hulumtues australianë dhe kinezë kanë publikuar 135 studime mbi terapinë e thatë të kupave. Ata arritën në përfundimin se terapia e thatë e kupave mund të jetë efektive nëse kombinohet me trajtime si akupunktura dhe medikamente të tjera për shërimin e një numri të madh sëmundjesh dhe lehtësimin e dhembjeve të shkaktuara nga faktorë të ndryshëm në organizëm. Ndër problemet mund të jenë paraliza e fytyrës, stresi, aknet në fytyrë dhe probleme të shumta që kanë të bëjnë me lëkurën.

Hixhama e thatë mund të aplikohet në zona të ndryshme të trupit, varësisht nga problemi shëndetësor i pacientit, ndaj përcaktohet zona se ku do të aplikohet, gjithashtu edhe intervali kohor.

Nëse dëshirojmë ta aplikojmë këtë lloj terapie, atëherë në përgjithësi diferenca ndërmjet seancave duhet të jetë 15 ditë, periudhë e cila i lejon terapisë shfaqjen e efektivitetit më të mirë në organizëm.

Për të ardhur deri te kupëzimi përdoren substanca që ndizen, si alkooli, mëlmesat, letra… etj. Kuptohet, kujdes i veçantë duhet të tregohet që gjatë hedhjes së kupës lëkura të mos digjet, ndaj pasi të ndizet substanca dhe zjarri të fiket, atëherë me shumë kujdes hidhet kupa mbi lëkurë me kokë poshtë dhe kur ajri brenda kupës ftohet, aty krijohet vakumi apo presioni negativ. Një gjendje e tillë shkakton edemë, hematomë dhe skuqje të lëkurës duke zgjeruar enët e gjakut. Kupëzimi nuk duhet të zgjasë më shumë se 10-15 minuta.

Në zonën ku bëhet kupëzimi shkaktohet një ngacmim i drejtpërdrejtë dhe reflektor i mbaresave nervore të lëkurës dhe të enëve të gjakut, çka stimulon qarkullimin e gjakut dhe nxit rrjedhjen e lëngjeve trupore nga shtimi i ngacmimit të mbaresave nervore të sistemit nervor periferik. Ky proces ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të përgjithshëm të gjakut, por edhe të limfës ashtu si edhe fuqizimin e muskulaturës së enëve të gjakut.

Si pasojë e shtypjes dhe rritjes së qarkullimit të gjakut në lëkurë, procesi pasohet me skuqje të lëkurës, edemë, ngritje e temperaturës lokale, e cila ndikon në hapjen e poreve të lëkurës, përmirësimin e rrjedhjes së djersës dhe të yndyrës nga gjëndrat, nxit funksionin e indeve të sëmura, shpërndarjen e gjakut të grumbulluar në zona të caktuara të trupit dhe thithjen inflamatore, çka ndikon në largimin e dhembjeve në zonat ku aplikohet hixhama e thatë. Nga këto ndryshime përmirësohet frymëmarrja si dhe gjendja e përgjithshme e organizmit, që shoqërohet me kthimin e oreksit, me normalizimin e gjumit dhe me riaftësimin për punë.

Efektet e përgjithshme të hixhames së thatë

British Cupping Society thotë se terapia e thatë e kupave mund të trajtojë një sërë problemesh shëndetësore, si: çrregullimet e gjakut, ankthin dhe stresin, alergjitë, aknet, gjendjet depresive, ndihmon muskujt e sforcuar, ndihmon në mënjanimin e lodhjes, largon ngarkesën psikike, ndihmon në problemet gjinekologjike, trajton probleme të ndryshme të lëkurës, lehtëson dhembjet e spondilozës, lehtëson dhembjet reumatike, ndihmon në problemet e mushkërive (tre mijë vjet më parë kjo metodë është përdorur për shërimin e tuberkulozit pulmonar), ndihmon me dhembjet kronike të qafës dhe shpinës në një periudhë afatshkurtër, redukton dhembjet dhe inflamacione të ndryshme etj.

Kundërefektet e hixhames së thatë

Terapia e thatë e kupave konsiderohet të jetë relativisht e sigurt, sidomos nëse aplikohet nga profesionistë shëndetësorë të kësaj lëmie. Efektet anësore potenciale mund të përfshijnë: ndjesi mosrehatie, djegie të lëkurës, kruarje të lehtë të lëkurës, mavijosje, e cila largohet brenda 10-15 ditësh. Sipas British Cupping Society, terapinë e thatë të kupave nuk mund ta aplikojnë gratë shtatzëna, gratë lehona, ato të cilat janë me menstruacione dhe ata njerëz që kanë metastaza kanceri.

Hixhama masazhuese apo lëvizëse

Edhe hixhama masazhuese gjithashtu është një lloj hixhame e cila është përdorur që nga kohërat e vjetra për trajtimin e problemeve të shumta shëndetësore, ndërsa për këtë lloj terapie janë të njohur më shumë kinezët. Procesi i terapisë masazhuese realizohet duke e lyer lëkurën me ndonjë lloj vaji, që lehtëson lëvizshmërinë e kupës mbi lëkurë dhe në shumicën e rasteve realizohet pa doreza, pasi nuk ka të bëjë me lëngjet trupore të pacientit, të cilat mund të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me terapistin.

Kupëzimi realizohet duke ndezur një copë letre apo një pjesë të vatës (pambukut) me alkool, e cila futet në kupën e qelqit dhe hidhet me kokë poshtë mbi lëkurën në të cilën do të realizohet procesi. Kjo mënyrë aplikimi bëhet nëse terapinë e kryejmë me kupa qelqi dhe mënyra tjetër është kur kupëzimin mbi lëkurë e krijojnë pompa e posaçme dhe kupat e posaçme, të cilat krijojnë vakum apo kupëzim duke i shtypur me gishtërinj, e më pas bëhet lëvizshmëria e kupës në lëkurë në formë masazhuese, duke krijuar një skuqje, hematoma dhe ngritje lokale të temperaturës mbi vendin ku aplikohet masazhi. Procesi i tillë në përgjithësi zgjat 5-10 minuta dhe në përgjithësi nuk mund të realizohet më shpesh se çdo 3 javë.

Hixhama: Historia e terapisë së kupave
Lexo po ashtu Hixhama: Historia e terapisë së kupave

Efektet e përgjithshme të hixhames masazhuese (lëvizëse)

Hixhama masazhuese konsiderohet gjithashtu e sigurt dhe pa kunderefekte, ndërsa përfitimet e saj janë të shumta:

▪ lehtëson spazmën e muskujve;
▪ ruan balancën e sistemit neuro-endokrin;
▪ stimulon qarkullimin e gjakut;
▪ përmirëson funksionin e oksigjenit;
▪ trajton probleme të ndryshme që ndërlidhen me lëkurën;
▪ ndihmon në sforcimin e muskulaturës;
▪ relakson dhe çlodh muskujt;
▪ largon stresin;
▪ përmirëson oreksin;
▪ stabilizon gjumin;
▪ mënjanon dhembjet në ato pjesë ku aplikohet masazhi;
▪ ndihmon në luftimin e gjendjeve depresive;
▪ largon lodhjen, plogështinë e përgjithshme trupore;
▪ përmirëson qarkullimin e gjakut dhe gjendjen e përgjithshme trupore.

Kundërefektet e terapisë masazhuese

Terapia masazhuese e kupave konsiderohet gjithashtu pa kundërefekte, kuptohet nëse realizohet nga persona kompetentë dhe sipas kushteve të saj.

Si kundërefekt mund të përmendim dhembjen e lehtë dhe skuqjen e lëkurës në zonat ku është aplikuar masazhi, jo rehati pak ditë pas trajtimit, ndjesi lodhjeje dhe përgjumjeje, të cilat kalojnë brenda një periudhe kohore shumë të shkurtër. /Telegrafi/