Hixhama së bashku me akupunkturën përbëjnë bazën e terapisë holestike (Holestike, që ka të bëjë me praktika të shëndetshme dhe të dobishme) ose alternative, terapi e cila ndryshe nga ajo konvencionale nuk përqendrohet vetëm në trupin fizik

Shkruan: MSc. Qëndresë Paçarizi

Kjo terapi e shikon qenien njerëzore si kombinim të pesë trupave:

– trupit fizik, i cili përfshin strukturat e muskujve dhe kockave, përveç sistemeve të ndryshme funksionale dhe organeve, si zemra, mushkëritë dhe sistemi tretës;

– trupit biokimik, i cili ka të bëjë me të gjitha përbërjet kimike brenda organizmit, duke përfshirë të ushqyerit, enzimat dhe hormonet që sintetizohen dhe gjithashtu ambientin e tij, qoftë kur ndikohet nga ndotja e bartur dhe ajri, pluhuri, trupat e huaj ose faktorët e tjerë;

– trupit intelektual, që ka të bëjë me mendjen e njeriut. Mendja është qendra e mendimeve, forca shtytëse e veprimit dhe sjelljes. Ajo është qendra e intelektit, forca e zgjedhjes njerëzore. Trupi intelektual gjithashtu përfshin nënvetëdijen, nganjëherë e quajtur intuitë ose intelekt njerëzor;

– trupit emocional, i cili ka të bëjë me gjendjen psikologjike të njeriut, përgjigjet ndaj stresit, ndjenjat dhe intereaksionet me qeniet e tjera njerëzore, për një lidhje të ngushtë si me prindërit, bashkëshorten dhe fëmijët ose me shokët, fqinjët dhe kolegët ose me bashkëjetesën e njeriut me shoqërinë, shkallën e kooperimit, besimet humanitare dhe konceptin e vëllazërisë;

– trupit shpirtëror, shpirtit. Kjo është pjesa që ne zakonisht e neglizhojmë në rutinën ditore. Ky është trupi që na lidh me Krijuesin tonë të Plotfuqishëm dhe që e fiton energjinë e tij shtytëse drejtpërdrejt nga kjo lodhje e shenjtë.

Është shënuar në librat e haditheve se përveç përdorimit të turbanit dhe misvakut, hixhama ishte një praktikë e çdo Pejgamberi. Duke pasur parasysh se Kur’ani e thotë: qartë se në çdo popull është dërguar një udhëzues dhe se të paktën 124 000 Pejgamberë janë dërguar në këtë botë, hixhama si trajtim aplikohet në të gjithë botën si rezultat i kësaj historie të gjatë përdorimi të vazhdueshëm. Në të vërtetë, tekstet historike dhe zbulimet arkeologjike në të gjithë botën dëshmojnë se pajisjet e hixhames janë gjendur në pllaka të lashta guri.

Dëshmia më e hershme historike e përdorimit të hixhames është nga egjiptianët e lashtë. Një nga tekstet më të vjetra të mjekësisë egjiptiane, i shkruar afërsisht në vitin 1550 para erës sonë, e përshkruan “hixhamen” si metodë që përdoret për ‘largimin e patogjenëve nga trupi’. Është e qartë se nxjerrja e gjakut konsiderohej si një ilaç për pothuajse çdo lloj sëmundjeje si dhe një mjet i rëndësishëm për të ruajtur shëndetin dhe jetën.

Hipokrati dhe Galeni ishin gjithashtu përkrahës të mëdhenj të hixhames. Në kohën e Hipokratit, hixhama ishte topologjike dhe nuk u përdor për sa i përket teorisë së 4 lëngjeve trupore. Nxjerrja e gjakut nga pikat e caktuara të trupit u përdor për trajtimin e sëmundjeve specifike.

Galeni shpjegon se efekti kryesor për nxjerrjen e gjakut është eliminimi i mbetjeve ose i gjakut të keq nga njëra pjesë e trupit në tjetrën. Qasja e tij u bazua në dy koncepte kyçe të Unanit, që mbizotëronin në atë kohë. Së pari, që gjaku nuk qarkullonte mirë në trup dhe se ai eventualisht grumbullohet derisa “hiqet”. Së dyti, koncepti i balancës së katër lëngjeve trupore (gjaku, gëlbaza, sfera e zezë dhe sfera e verdhë) ishin burim i shëndetit ose i sëmundjes, kurse hixhama përdorej për të sjellë ekuilibër ndërmjet këtyre lëngjeve trupore. Duke analizuar enët e gjakut të trupit, Galeni i prente pacientët e tij në zona të ndryshme; varësisht nga zona ku donin të trajtoheshin.

Në rajonin e Lindjes së Mesme kuptojmë se praktika e hixhames ishte e pranishme para ardhjes së Pejgamberit përfundimtar (paqja qoftë mbi të), i cili e inkurajoi dhe e përdori atë vetë në shumë raste.

Ibn Sina, mjek i njohur musliman, ka thënë: “Hixhama nuk është e preferuar në fillim apo në fund të muajit. Është e preferuar në mes të muajit, kur substancat (e trupit ose gjendjes fizike) grumbullohen dhe trazohen”.

Talmudi përfshinte rregullat për ditët kur mund të praktikonin hixhamen, ndërsa shkrimet e hershme të krishtera gjithashtu përshkruanin cilat ditë ishin më të mirat për terapinë e hixhames.

Sipas librit “Lingshu” (Boshti shpirtëror) dhe librit shoqërues “Su Wen” (Çështje të thjeshta), të shkruar në Lindje, hixhama dhe terapia e lagësht me kupa kanë qenë gjithmonë pjesë integrale të praktikave mjekësore dhe mbeten të tilla edhe sot e kësaj dite.

Teksti antik mjekësor kinez, i cili konsiderohet gjerësisht si teksti më i vjetër mjekësor në ekzistencë, “Nei Jing”, thotë se “nëse ka stagnim, së pari duhet të zgjidhet përmes hixhames përpara aplikimit të akupunkturës ose moxibustionit”. Një tjetër libër mjekësor kinez i kohëve të lashta, me titull Su Wen, jep udhëzime të hollësishme në lidhje me shpimin që bëhet për heqjen e gjakut, por e ndalon kryerjen e një procedure të tillë në periudha të caktuara.

Në këtë libër thuhet:

“Kur moti është i ngrohtë dhe kur dielli shndrit në qiell, gjaku në trupin e njeriut qarkullon shpejt dhe energjia/forca e jetës gjendet në sipërfaqe. Si rrjedhojë, gjaku mund të hiqet lehtësisht, duke i mundësuar kështu energjisë/forcës së jetës që të qarkullojë lirshëm në trup…”

Disa studiues mendojnë se në fillimet e saj akupunktura është kryer me objekte të mprehta, duke kaluar më vonë te përdorimi i gjerë i gjilpërave.

Një fakt i tillë dëshmohet edhe nga vizatimet e “gjilpërave” të lashta, të cilat u ngjanin më shumë veglave që shkaktonin gjakderdhje sesa gjilpërave të holla që përdoren sot në akupunkturë.

Libri “Lingshu” (Boshti shpirtëror) dhe vëllimi i tij shoqërues “Su Wen” (Çështje të thjeshta), që u shkruan rreth vitit 100 p.e.s., hodhën themelet e mendimit mjekësor kinez si dhe të terapisë së akupunkturës.

Fillimisht, akupunktura kryhej me 9 gjilpëra, ku përfshiheshin: bisturia trekëndore, gjilpërat e sheshta në formë shpate si dhe gjilpërat e mëdha. Në lidhje me gjilpërën e katërt, e cila ka një trup në formë cilindri dhe një majë bisturie, në libër citohet:

“Kjo gjilpërë mund të përdoret për të çliruar ethet, për të nxjerrë gjakun dhe për të shëruar sëmundjet kronike.”

Gjilpëra e shtatë cilësohet si një objekt i hollë (e ngjashme me gjilpërat e sotme të akupunkturës). Thuhet se ajo përdoret “për të frenuar ethet dhe reumatizmin e dhimbshëm në pikat lidhëse.”

Tashmë në praktikën moderne është reduktuar përdorimi i bisturisë si një mjet për trajtimin e sëmundjeve kronike (përveç rasteve të trajtimit të shpërthimeve akute), kurse gjilpëra e hollë përdoret gjerësisht, duke mos qenë më e kufizuar vetëm te trajtimi i etheve të malaries apo te dhembjet e muskujve dhe të kyçeve.

Mjekësia Tradicionale Kineze si dhe mjekët e akupunkturës vazhdojnë ta përdorin akoma terapinë e gjakheqjes, ndonëse ajo gjen më shumë përdorim në Kinë sesa në Perëndim. Përdorimi më i paktë në Perëndim ndodh për shkak të shqetësimeve që kanë të bëjnë me infeksionin si dhe sikletit të përgjithshëm të njerëzve për të parë gjakun në një klinikë akupunkture.

Të dhënat tregojnë se vendasit e Amerikës Veriore kanë përdorur brirët e buallit për terapinë e kupave të lagështa. Brirët boshatiseshin dhe në majë u hapej një vrimë e vogël, nga ku personi që bënte kupa, e thithte ajrin për ta nxjerrë jashtë. Kështu, brenda bririt krijohej një boshllëk, nëpërmjet të cilit mundësohej tërheqja e gjakut nga prerjet e bëra më parë me anë të një brisku.

Ka të dhëna gjithashtu se brirët e buallit janë përdorur për të kryer hixhamen në periudhën e Perandorisë Babilonase/Asiriane, që pati një shtrirje territoriale nga Iraku deri në Mesdhe.

Metoda e heqjes së gjakut u përhap shumë gjatë Mesjetës dhe çuditërisht u kthye në një praktikë të zakontë për berberët, të cilët ngulnin një “shtizë gjakheqjeje” jashtë dyqanit të tyre, si shenjë që tregonte se ata e ofronin një shërbim të tillë.

Praktika e heqjes së gjakut u përhap edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rezultat i ndikimit kolonial nga Evropa. Madje, George Washington, Presidenti i parë, vdiq pasi iu hoqën afërsisht 4 litra gjak, në ditën kur u trajtua për shkak të një infeksioni.

Gjatë asaj kohe, parimet tradicionale të hixhames u nëpërkëmbën së tepërmi sepse kjo procedurë kryhej në mënyrë të gabuar nga berberët, të cilët nuk kishin dije mjekësore, gjë që shkaktonte një numër të madh efektesh negative, madje edhe shumë vdekje të kota.

Në Evropën e shekullit të 19-të, procesi i heqjes së gjakut bëhej me anë të shushunjave. Thuhet se në atë kohë Franca importoi afërsisht 40 milionë shushunja, për t’i përdorur për këtë qëllim.

Në Finlandë gjakheqja mjekësore është praktikuar të paktën qysh në shekullin e 15-të dhe vazhdon të praktikohet akoma në mënyrë tradicionale nëpër sauna.

Kupat e bëra me brirët e lopës përdoreshin rëndom. Këto kishin një mekanizëm valvule, që krijonte presion në brendësi të kupës, gjë që mundësonte procesin e thithjes. Terapia e kupave të lagështa gjen akoma përdorim të zakonshëm në Finlandë, si një praktikë e mjekësisë alternative.

Megjithatë, nga mesi i viteve 1800 e deri në fund të tyre, praktika e heqjes së gjakut u kritikua ashpër nga qarqet mjekësore. Kjo gjë bëri që ajo ta humbiste pozitën e saj të mëparshme, si një metodë e përhapur gjerësisht. Meqenëse nuk kryhej në mënyrën e duhur, ajo u bë shkak për një numër të madh vdekjesh. Në këtë mënyrë, kjo metodë u zhvlerësua gjithnjë e më shumë nga mjekësia moderne. Për më tepër, modeli i ri shkencor i mjekësisë që u vendos, i hodhi poshtë të gjitha terapitë tradicionale që ekzistonin deri në atë kohë, në mënyrë që të fitonte epërsi në qarqet mjekësore.

Gjatë kësaj kohe u shtruan për diskutim edhe problematika serioze, që kishin lidhje me praktikën e heqjes së gjakut. Në vitin 1828, mjeku francez Pierre Charles Alexandre Louis e kritikoi haptazi këtë praktikë. Në kërkimin e tij, që u bazua te pacientët me pneumoni, rezultoi se 44% e atyre që e kishin praktikuar heqjen e gjakut brenda 4 ditëve të para të sëmundjes, kishin vdekur. Kjo shifër ishte e lartë krahasuar me 25% të atyre që e kishin praktikuar metodën e heqjes së gjakut në një periudhë më të vonë të sëmundjes. Louis doli në përfundimin se praktika e heqjes së gjakut nuk shërbente për trajtimin e pneumonisë. Megjithatë, praktika e heqjes së gjakut vazhdoi të zbatohej edhe gjatë pjesës së parë të shekullit të 20-të. Madje, zbatimi i saj u rekomandua edhe në vitin 1923, në një libër me titull “Parimet dhe praktika e mjekësisë”.

Në atë periudhë, mjekët përdornin katër metoda kryesore të heqjes së gjakut.

Metoda e parë ishte përdorimi i shushunjave.

E dyta ishte heqja e gjakut të arterieve sipërfaqësore.

E treta ishte flebotomia (e njohur gjithashtu edhe si metoda e “zbllokimit të venës”), ku pritej një venë e jashtme për të nxjerrë gjakun.

Metoda e katërt ishte çarja, e cila përfshinte përdorimin e mjeteve të caktuara për të bërë prerje të vogla në lëkurë, nga ku hiqej gjaku nëpërmjet kupave.

Meqë në shekullin e 20-të u lëvruan dije të reja mjekësore dhe u vunë në zbatim praktika shkencore, metoda e heqjes së gjakut u zhduk brenda pak dekadash në botën perëndimore. Ajo vazhdoi të ishte akoma pjesë përbërëse e terapisë mjekësore kineze (dhe japoneze), ndonëse mjekët e shkolluar jashtë Kinës apo Japonisë nuk e përdornin atë.

Heqja e gjakut vazhdoi të përdorej si metodë edhe në botën islame, duke përfshirë vendet e Lindjes së Mesme dhe ato me shumicë popullsie myslimane, të tilla si: Indonezia, Malajzia, etj.

Në këto 20 apo 30 vitet e fundit, kjo metodë është ringjallur së tepërmi edhe ndër komunitetet muslimane që jetojnë në pjesë të tjera të botës, nëpërmjet kurseve të ofruara si për mjekët ashtu edhe për publikun.

Terapia e kupave u praktikua edhe në shumë vende të botës, si Evropë, Rusi, Kinë, Azi Qendrore, Azi Jugore, SHBA etj., në përgjithësi në vendet me popullsi muslimane. Sot terapia e kupave është bërë një teknikë mjekësore e shërimit në nivel botëror, në shumë qendra spitalore tashmë janë hapur klinika me qëllim të trajtimit të problemeve të ndryshme shëndetësore dhe të studimit më të thellë të kësaj teknike. /Telegrafi/