Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur sot në magjistralen Gjakovë – Klinë, ku janë përfshirë një automjet dhe një kamionetë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë në Gjakovë, Vlera Krasniqi, e cila bëri të ditur se viktima është një 47-vjeçar, i cili fillimisht ishte në mesin e të lënduarve në këtë aksident.


Sipas Policisë, aksidenti ka ndodhur më 26 maj 2026, rreth orës 14:00, në rrugën magjistrale Gjakovë – Klinë.

“Në këtë aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamion, ku si pasojë tre persona kanë marrë trajtim mjekësor”, ka deklaruar Krasniqi.

Ajo ka shtuar se rreth orës 18:30 është konfirmuar vdekja e njërit prej të lënduarve.

“Një mashkull i moshës 47-vjeçare ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra në aksident”, tha ajo.

Policia ka bërë të ditur se Njësia Rajonale e Trafikut ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij aksidenti tragjik.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar./Telegrafi.