Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, ka deklaruar se Kosovës dhe Serbisë u nevojitet normalizimi i marrëdhënieve për të avancuar në rrugën drejt integrimit evropian.

Këto komente Sorensen i bëri pas një takimi me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ku në fokus të diskutimeve ishte procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe perspektiva evropiane e rajonit.


Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Sorensen tha se dialogu do të vazhdojë të mbetet proces i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe hodhi poshtë mundësinë e bilateralizimit të tij.

“Fola për dialogun mbi normalizimin midis Kosovës dhe Serbisë. Nënvizova se nuk do të ketë bilateralizim të dialogut. Ai mbetet një proces i lehtësuar nga BE midis Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ai.

Tutje, emisari evropian theksoi se normalizimi është i domosdoshëm për të dyja palët në funksion të avancimit drejt Bashkimit Evropian.

“Të dyja palët kanë nevojë për normalizim për të përparuar në rrugën e tyre drejt BE-së”, shtoi Sorensen.