Presidenti kinez dekoron Vuçiqin për mbështetjen ndaj interesave thelbësore të Pekinit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë Medaljen e Miqësisë së Kinës, dekorata më e lartë shtetërore që Kina ua ndan shtetasve të huaj.
Sipas raportimeve, Vuçiq është lideri i vetëm evropian që ka pranuar këtë çmim, i cili deri më tani u është dhënë vetëm 13 personave në total.
Në arsyetimin e ndarjes së medaljes thuhet se presidenti serb është vlerësuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj “interesave thelbësore të Kinës”.
Ceremonia e ndarjes së dekoratës u mbajt në Pekin më 25 maj 2026, ku Vuçiq u prit nga presidenti kinez, Xi Jinping.
Kina dhe Serbia kanë forcuar ndjeshëm marrëdhëniet politike dhe ekonomike në vitet e fundit, me bashkëpunim të zgjeruar në investime, infrastrukturë dhe diplomaci ndërkombëtare.
Bashkëpunimi është zgjeruar nga fusha ekonomike dhe infrastrukturore edhe në atë ushtarake, kështu që Serbia, si i vetmi vend evropian, vitet e fundit po furnizohet me armatim nga Kina.
Vitin e kaluar, pjesëtarët e njësive speciale të ushtrive kineze dhe serbe zhvilluan në Kinë stërvitjen e tyre të parë të përbashkët ushtarake.
Serbia është gjithashtu pjesë e nismës ndërkombëtare “Brezi dhe Rruga”, të cilën Kina e lansoi në vitin 2013 me synimin për zhvillimin e rrugëve të reja tregtare dhe tregjeve për eksportet kineze.
Sytë e Beogradit nga Pekini
“Serbia me admirim e sheh modelin zhvillimor kinez”, shkroi Vuçiq në Instagram më 20 maj pas takimit me ambasadorin kinez Li Ming.
“Për Serbinë është me rëndësi të veçantë ndërtimi i partneriteteve të forta me shtete mike që respektojnë pavarësinë tonë dhe të drejtën për rrugën tonë”, tha ai.
Beogradi dhe Pekini pajtohen për çështjet kyç politike për të dy vendet.
Autoritetet në Beograd mbështesin qëndrimin kinez se Tajvani është territor i Kinës, ndërsa Tajvani e konsideron veten shtet sovran.
Vuçiq, gjatë vizitës në Kinë në tetor 2023, tha se është krenar që Serbia nuk i është bashkuar asnjë deklarate kundër këtij vendi.
Marrëdhëniet me Kinën janë forcuar që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe (SNS) në Serbi para 12 vjetësh.
Në përpjekje për t’u afruar me Kinën, Vuçiq ka folur edhe në gjuhën kineze, kur në dhjetor 2019, përmes një video-mesazhi, njoftoi në gjuhën kineze se do ta vizitonte vendin në prill të vitit pasardhës.
Presidenti i Serbisë ka qenë për herë të fundit në Kinë në shtator 2025, kur mori pjesë në paradën ushtarake me rastin e Ditës së Fitores./Telegrafi.







































