Nga kampion i Bundesligës dhe ecuria në Ligën e Kampionëve te rënia në Bundesliga 2: Rrëzimi i Wolfsburgut pas 29 vitesh në elitë

Wolfsburgu e ka përjetuar një nga rëniet më të mëdha në futbollin gjerman: nga një klub që në dekadat e fundit ka fituar tituj, ka mposhtur gjigantë dhe ka flirtuar me majat e Evropës, tani zbret në Bundesliga 2 pas 29 sezonesh radhazi në elitë (që nga ngjitja e parë më 1997).
Për “Ujqërit”, që kurrë nuk kishin rënë nga kategoria, ky është një tronditje historike – sidomos duke ditur se para kësaj shifre më shumë se dy dekada i kanë vetëm Bayern (61), Dortmund (50) dhe Leverkusen (47).
Klubi mbetet edhe një përjashtim i veçantë në Gjermani, për dallim nga rregulli “50+1”, Wolfsburgu është i lidhur ngushtë me Volkswagen që nga themelimi në vitin 1945, i krijuar nga punëtorët e kompanisë. Për vite, kjo strukturë i dha stabilitet dhe mundësi financiare për të konkurruar me “të mëdhenjtë” – jo vetëm të bashkëjetojë me ta, por edhe t’i mposhtë.

Epoka e artë: Titulli i 2009 dhe kupat e 2015
Kulmi absolut erdhi në sezonin 2008/09, kur Wolfsburgu fitoi për herë të parë dhe të vetme Bundesligën. Nën drejtimin e Felix Magath, ekipi luajti futboll spektakolar, i udhëhequr nga Edin Dzeko, Grafite dhe Zvjezdan Misimović, duke shënuar 80 gola në ligë – gati 2.5 gola për ndeshje.
Një tjetër sezon i paharrueshëm ishte 2014/15, me Dieter Hecking trajner. Wolfsburgu doli i dyti në Bundesligë, fitoi Kupën e Gjermanisë duke e mposhtur Dortmundin 3-1 në finale, pastaj ia rrëmbeu edhe Superkupën ndaj Bayernit me penallti.
Në ato vite, në “Volkswagen Arena” parakalonin emra si De Bruyne, Draxler, Perisic, Dost, Ricardo Rodríguez, Naldo, Luiz Gustavo, Schürrle, duke e bërë Wolfsburgun një projekt serioz edhe në skenën evropiane (çerekfinale të Ligës së Evropës në 2009/10 dhe 2014/15).

Pothuajse gjysmëfinalist i Ligës së Kampionëve: Drama me Real Madridin
Në sezonin 2015/16, në pjesëmarrjen e dytë në Ligën e Kampionëve, Wolfsburgu ishte pranë një mrekullie. Në çerekfinale e mposhti Real Madridin 2-0 në ndeshjen e parë (Ricardo Rodríguez nga penalltia dhe Maximilian Arnold), duke e pasur gjysmëfinalen “në duar”. Por në “Santiago Bernabeu” gjithçka u përmbys: Real fitoi 3-0 falë një het-triku të Cristiano Ronaldos.
Ajo mbrëmje u bë simbol i asaj që ishte Wolfsburgu në atë periudhë, një klub pa “historinë” e Realit, por me guxim dhe cilësi të mjaftueshme për ta vënë në telashe një superfuqi të Evropës.
- YouTube www.youtube.com
Rënia graduale: Trajnerë, luhatje dhe flirtim me fundin e tabelës
Pas 2021, kur me Oliver Glasner dhe Wout Weghorst Wolfsburgu u rikthye sërish në Ligën e Kampionëve, klubi nisi të rrëshqasë ngadalë drejt mesit dhe më pas pjesës së poshtme të tabelës.
Renditjet 12 (2021/22), 16 (2023/24), 11 (2024/25) sinjalizuan se skuadra po humbte identitetin dhe qëndrueshmërinë.
Stoli i ekipit pa një “paradë” trajnerësh: Mark van Bommel, Florian Kohfeldt, Niko Kovac, Ralph Hasenhüttl, Daniel Bauer, Pablo Simonis… Deri në mars, kur me skuadrën parafundit dhe katër pikë larg shpëtimit, Wolfsburgu e riktheu Dieter Hecking – njeriun e Kupës së 2015 – për ta shpëtuar sezonin.
Hecking e pranoi se situata ishte krejt tjetër nga ajo e dhjetë viteve më parë: “Nuk mund ta krahasosh atëherë me tani. Situata nuk është e mirë, përndryshe nuk do të isha këtu”.
Edhe Edin Dzeko, kampion i 2009, e kishte ndjerë se diçka po shkonte keq. “Është situatë shumë e vështirë dhe e trishtueshme. Wolfsburgu nuk e meriton këtë… futbolli ecën shumë shpejt”.

Play-off-i fatal: 0-0 në shtëpi, pastaj goditja në vazhdime
Hecking arriti ta shmangë rënien direkte, pasi fitorja ndaj St. Pauli në javën e fundit e çoi Wolfsburgun në play-off për mbijetesë ndaj Paderbornit, skuadrës së tretë të Bundesliga 2.
Ndeshja e parë në “Volkswagen Arena” përfundoi 0-0, duke e lënë gjithçka të hapur. Në kthim, Wolfsburgu e nisi mirë, duke shënuar që në minutën e 3-të me Pejcinovic, por gjithçka u komplikua shpejt. Përjashtimi i Maehle në minutën e 14-të i dha krahë Paderbornit, që barazoi në minutën e 38-të me Filip Bilbija.
Me rezultatin 1-1, ndeshja shkoi në shtesë, ku goditja përfundimtare erdhi në minutën e 100-të: Laurin Curda shënoi për 2-1, duke e dërguar Wolfsburgun në Bundesliga 2 dhe duke e rikthyer Paderbornin në elitë pas gjashtë sezonesh.
Në pamjet e mbrëmjes, kapiteni Christian Eriksen u pa i dëshpëruar pas konfirmimit të rënies – simbol i një skuadre me emra të mëdhenj, por pa përgjigje kur u desh më së shumti.

Ulje e buxhetit, rënie e vlerës dhe premtimi për rikthim
Rënia nga kategoria pritet ta godasë fort klubin edhe financiarisht. Sipas të dhënave të cituara, Wolfsburgu kishte skuadrën e tetë më të vlefshme në Bundesligë (rreth 234.6 milionë euro, sipas Transfermarkt), por kjo vlerë pritet të ulet ndjeshëm me zbritjen në kategorinë e dytë.
Po ashtu, sipas Bild, buxheti vjetor mund të reduktohet nga 80 milionë në 55 milionë euro.
Në një deklaratë zyrtare, klubi e pranoi hapur dështimin: “Rënia nga Bundesliga është një moment shumë i vështirë. Këtë sezon kemi dështuar në pothuajse çdo aspekt”.
Wolfsburgu falënderoi tifozët për besnikërinë dhe premtoi analizë të sinqertë e vendime të nevojshme për rikthim.
Mesazhi final i klubit ishte i qartë, për dekada, Wolfsburgu ka përfaqësuar unitetin mes fabrikës (Volkswagen), qytetit dhe klubit – dhe pikërisht kjo treshe, sipas tyre, duhet të jetë çelësi për ringritje.
Club Statement pic.twitter.com/6kSyPpKHkC
— VfL Wolfsburg EN/US 🇬🇧 🇺🇸 (@VfLWolfsburg_EN) May 26, 2026
“Do të nxjerrim përfundimet e nevojshme dhe do të bëjmë gjithçka për ta rikthyer besimin”, thuhet në fund. /Telegrafi/








































