LAJMI I FUNDIT:

Hit në Çeki – shitja e qumështit në automat

Hit në Çeki – shitja e qumështit në automat

Në Çeki brenda ditës shiten disa mijëra litra qumësht nga automatet – që janë vendosur në disa qytete të këtij vendi.

Automati më i vogël shet 300 litra qumësht në ditë, ndërsa ai më i madhi, madje, 1.000 litra, ka thënë për mediat çeke Tomas Korzinek nga firma “Agri Toko”, i cila ua ka dorëzuar fermerëve rreth 30 automatë të tillë.

Sipas tij, këta automatë mund të vendosen kudo – ndërsa deri më tash ata janë vendosur para disa qendrave tregtare, e madje edhe në një stacion të trenit.

Blerësi i interesuar mund të blejë një litër qumësht për 50 centë, ndërsa nëse nuk ka shishe me vete, ai mund ta blejë një të tillë nga automati për disa centë.


Automatët e thjeshtë kushtojnë 19.000 euro, ndërsa interesimi për t’i blerë ata, sipas mediave çeke, është goxha i madh.

Nëse ky projekt tregohet i suksesshëm, kompania “Agri Toko” planifikon të instalojë automatë të tillë edhe për shitjen e pemëve dhe vezëve. /Telegrafi/