Historiani Muhamet Mala, duke iu referuar dokumenteve, tha se Manastiri i Deçanit është ndërtuar në shekullin XIV dhe fillimisht qe projektuar si katolike dhe jo çfarë është sot.


“Çështja e trashëgimisë kulturore e fetare mund të thuhet se ka qenë një mollë sherri mes serbëve dhe shqiptarëve, sepse serbët kanë manipuluar në mënyrë të rëndë çështjen e trashëgimisë kulturore, nga shkaku se që nga shekulli VII shqiptarët kanë kaluar në një religjion tjetër, në atë islam”, tha prof Mala, në RTK, teksa shtoi se kjo ka ngelur si një shteg i hapur për ta prezantuar si një trashëgimi të tyre, ndonëse, sqaroi ai, historia ka një kontinuitet më të thellë sa i përket çështjes fetare, ngaqë nuk fillon me Mesjetën.

“Shqiptarët kanë qenë 1700 vjet katolikë para se të konvertohen në islam, nuk duhet hequr dorë nga identiteti ynë. Nuk mund t’ia dhurojmë dikujt tjetër identitetin tonë 1700-vjeçar paraislam. Këtë duhet ta dijë Evropa”, tha profesor Malaj, teksa shtroi pyetjen se si do të ishte që “Evropa të hiqte dorë nga identiteti greko-romak, që është bazament i qytetërimit dhe të heq dorë për shkak të krishterimit”.

Profesor Malaj thekson se insistimi që bën Manastiri i Deçanit për pronat është me karakter politik.

“Sa i përket sigurisë, apo aspektit ekonomik, Manastiri është i sigurt, por çështja është thellësisht politike”, deklaroi profesor Malaj, derisa shtoi se ne rëndom po merremi me pasojat në vend se të merremi me çështjen.

Ai më tutje foli për UNESCO-n, e cila objektet i liston në bazë të trashëgimisë shtetërore jo në bazë të identiteteve.

Ndërkaq lidhur me kishën e ndërtuar në kampusin e Universitetit të Prishtinës, në kohën e sundimit të Millosheviqit, në Kosovë, profesor Mala tha se kjo është pjesë moderne e asaj që folëm deri me tani në kontekstin historik.

Ai duke vënën një paralele në mes të Manastirit të Deçanit, në kërkesën për kthimin e pronave, atëherë Universitetit të Prishtinës i takon ta kthejë pronën në të cilën është ndërtuar kisha ortodokse serbe.

Prandaj, shtoi ai, është një trajtim jo i drejtë, jo i barabartë nga ana e ndërkombëtarëve.

Profesor Mala, tutje, shtoi se Kisha Serbe ushtron rol ekspansionist, duke u marrë me problemet që nuk i takojnë, teksa përmendi rastin e Banjskës në veri të Kosovës.

Ai kritikoi edhe qarqet evropiane që po tolerojnë Serbinë të sillet në këtë mënyrë.

“Evropa na thotë që të mos merremi me histori e t’i kthehemi realitetit, por ne po e shohim se si historia po reflekton te realiteti”, deklaroi profesor Mala, derisa shtoi se Kisha Ortodokse Serbe zbaton në praktikë politikat shtetërore të Serbisë, përkundër parimeve humaniste të Kishës Katolike në Evropë.

Ai më tej shoi se kjo do të jetë problematike në të ardhmen mes serbëve dhe shqiptarëve, nëse çështja nuk do të zgjidhet drejtë. Profesor Mala, tutje, theksoi se vendimi i Kushtetueses do të ishte mirë të bëhej përpjekje të diskutohet në nivelet diplomatike . /RTK/