LAJMI I FUNDIT:

Historia e terrorizmit (2): Hovi i keq i shekulli XIX dhe shekullit XX

Historia e terrorizmit (2): Hovi i keq i shekulli XIX dhe shekullit XX

Pse terrorizmi ndërkombëtar mori hov në fillim e në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX? Si dështuan tentimet për atentat ndaj Napoleonit dhe Bizmarkut? Si u vra kryetari francez Karno, kryeministri spanjoll Kanovas, perandoresha Elizabeta e Austrisë dhe mbreti Umberto i Italisë? Cilat ishin sulmet terroriste të armenëve dhe të VMRO-së maqedonase? Si u vranë dy kryeministrat japonezë në Tokio? Cili ishte grupi më i rrezikshëm anarkist në Evropë? Si u vranë presidentët amerikanë, Garfilld dhe Mekklinli? Cilat ishin grupet kryesore terroriste hebreje dhe myslimane pas Luftës së Dytë Botërore? Cila ishte ideologjia e “Armatës së kuqe” gjermane dhe e “Brigadave të kuqe” italiane?

Historia e terrorizmit (1): Cilat janë grupet e para terroriste në botë?
Lexo po ashtu Historia e terrorizmit (1): Cilat janë grupet e para terroriste në botë?

Në fillim të shekullit XIX, deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore, sulmet terroriste u përhapën në tërë botën. Ato janë shtrirë në Perandorinë Osmane, sidomos në fazën përfundimtare të shpërbërjes së saj. Terrorizmi armenian kundër turqve filloi më 1900, por përfundoi me katastrofën e vrasjeve masive të armenianëve në Luftën e Parë Botërore. Kjo traditë terroriste, në mesin e armenianëve, vazhdoi jashtë Turqisë pas masakrës së Luftës së Parë Botërore dhe është drejtuar kundër individëve ushtarakë turq. Ishte edhe një valë e terrorizmit armen në fund të viteve 1970 dhe 1980, kur u vranë ambasadorët turq në Austri dhe në Francë, transmeton Telegrafi.


MË SHUMË MAQEDONAS JANË VRARË NGA VMRO-JA SESA NGA ARMIQTË E SHTETËSISË MAQEDONASE!

Një grup tjetër terrorist ishte VMRO-ja, Organizata Revolucionare Maqedonase, e cila pothuaj për tri dekada ishte e angazhuar jo vetëm në terrorizëm, por edhe në aktivitetin politik dhe në përgatitjet për rebelim masiv. Jetëgjatësia e terrorizmit të pandërprerë maqedonas mund të shpjegohet me përkrahjen që ajo fitoi (për dallim nga armenët) nga qeveritë që i mbronin ata, sidomos bullgarët. Çmimi që VMRO duhet të paguante ishte i lartë, sepse ajo për të gjitha qëllimet dhe destinimet u shndërrua në mjet të qeverisë bullgare dhe është përdorur kryesisht kundër Jugosllavisë, si dhe kundër armiqve të brendshëm. Varësia e VMRO-së nga Sofja shpiu në ndarje të brendshme dhe në luftë vdekjeprurëse – më shumë maqedonas janë vrarë nga VMRO-ja sesa nga armiqtë e shtetësisë maqedonase. Në fund, Maqedonia nuk e fitoi pavarësinë, përveç pjesërisht – dhe atë vetëm tek vonë – pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Terrorizmi u shfaq edhe në Indi dhe Japoni. Dy kryeministra janë vrarë në Tokio e të mos përmendim shumë ministra tjerë të qeverisë – kah fundi i shekullit XIX dhe një tjetër më 1932. Madje, ka qenë edhe një tentim për vrasjen e perandorit. Në Indi, vrasësit politikë u shpeshtuan gjatë dekadës para Luftës së Parë Botërore. Por, nënbreti, lordi Majo, është vrarë më herët, më 1872.

Terrorizmi më goditës para Luftës së Parë Botërore ishin anarkistët, veprat e të cilëve shqetësonin opinionet publike, shefat policorë, psikologët dhe shkrimtarët, përfshirë këtu edhe Henri Xhejmsin (Henry James) dhe Xhozef Konradin (Joseph Conrad), për shumë vjet. Në Francë anarkistët Ravashol (Ravachol), August Vejont (August Vaillant) dhe Emil Henri (Emile Henri) krijuan një lëvizje enorme, që jepte përshtypjen e një komploti gjigant, i cili, në fakt, kurrë nuk ka ekzistuar.

Ravashol ishte një bandit, i cili do të vidhte dhe do të vriste edhe sikur anarkizmi të mos kishte ekzistuar kurrë, Vejant ishte bohem dhe Emil Henri ishte një i ri tërheqës dhe ekscitues. Që të tre nuk kishin shumë çka të përbashkët. Por, sa i përket opinionit publik, anarkistët, socialistët dhe radikalët, që të gjithë ishin zogj të vegjël. Qeveritë dhe shefat e policisë e dinin këtë më mirë, por nuk e shihnin ndonjë arsye që ta korrektonin këtë përshtypje të gabuar.

“ERA E ATENTATEVE” NUK KISHTE PASOJA POLITIKE PËR EVROPËN

Paniku nuk ishte tërësisht i pajustifikuar, pasi që kishte tentime për atentate të mëdha të burrështetasve kryesorë në vitet 1880 dhe në fillim të shekullit XX. Presidentët amerikanë Garfilld (Garfield) dhe Mekklinli (McKinley) ishin në mesin e të vrarëve nga terroristët. Kishte edhe tentime të shumta për ta vrarë Bizmarkun (Bismarck) dhe perandorin Vilhem I (Wilhelm I) i Gjermanisë.

Presidenti francez Karno (Carnot) është vrarë më 1894, kryeministri spanjoll Antonjo Kanovas (Antonio Canovas) më 1894, perandoresha Elizabeta (Elisabeth) e Austrisë më 1989 dhe mbreti Umberto (Umbertto) i Italisë më 1900. Nëse dikush ia shton kësaj numrin mjaft të madh të figurave më të vogla dhe, natyrisht, udhëheqësit dhe politikanët rusë, do të befasohemi se publiku në masë ishte i fascinuar dhe i tmerruar nga karakteri misterioz i këtyre vrasësve dhe motivet e tyre. Por, verifikimi më i afërt i fenomenit dëshmon se, ndonëse disa nga këta sulmues ishin anarkistë, të gjithë ata vepronin në mënyrën e vet, pa njohurinë dhe përkrahjen e grupeve të cilave ata i takonin. Terrorizmi vlerësohej si një fenomen i ri dhe është harruar me dashje se vrasja politike kishte histori të gjatë (në Francë, kishte tentime të panumërta për ta vrarë Napoleonin dhe Napoleonin III, në kohën para shfaqjes së anarkizmit). Sidoqoftë, sipas aspektit psikologjik, kjo “erë e atentateve”, siç cilësohej atëherë, nuk kishte pasoja politike.

Në vitin 1905, vala e sulmeve dhe e vrasjeve u zvogëlua dhe ndonëse ishin disa rastisje të izoluara në Paris dhe Londër (p.sh. banda “Bonot” dhe “Piter piktori”), këto ishin grupe të vogla kriminale dhe semikriminale. “Erës” po i vjen fundi.

Gjatë fundit të Luftës së Parë Botërore disa akte terroriste zunë vend; një përjashtim ishte vrasja e kancelarit austriak Graf Sterg (Graf Stuergkh) nga udhëheqësit socialistë, një formë dramatike e protestës kundër luftës dhe në tërësi kundër një caku jo të duhur. Në përgjithësi, terrori individual u duk i pakuptimtë në kohën kur miliona njerëz janë vrarë në fushëbeteja. Në këto rrethana vrasja e një politikani, sado i spikatur, vështirë se do të tërhiqte vëmendje të madhe.

TERRORIZMI PAS LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

Në fund të Luftës së Dytë Botërore aktet terroriste u zhvendosën nga Evropa në Lindjen e Mesme dhe në Azi. Nuk kishte terrorizëm neonazist apo neofashist pas vitit 1945, ashtu siç frikoheshin shumica. Me rënien e forcave të Boshtit Qendror, entuziazmi fanatik është tretur. Në Evropën Lindore dhe në Ballkan, përfshirë edhe rajonet ku terrorizmi ishte tipik, prania e Armatës së Kuqe dhe, më vonë, dora e fortë e policisë lokale sekrete, ishte e mjaftueshme për të vepruar si siguruese. Madje edhe në Spanjë, një nga vendndodhjet klasike të terrorizmit, as anarksitët apo seperatistët baskë, nuk guxonin ta sfidonin diktatorshipin ushtarak. Anarkizmi spanjoll nuk ishte më forcë vitale dhe baskët duhej të prisnin për një liri relative, pas vdekjes së Frankos (Franco), për të vazhduar aktivitetet e tyre.

Në shoqëritë kryesisht agrare, kjo mori formën e luftës guerile, me Kinën dhe Indokinën si shembuj klasikë. Në shoqëritë urbane, si Palestina dhe Qipro, aktiviteti, domosdoshmërisht, zuri vend kryesisht në qytete. Në Algjeri lufta kundër Francës vazhdoi në qytete dhe në fshatra dhe elementet e terrorizmit dhe të luftës guerile u shfaqën krah për krah.

Terrorizmi në Palestinë, i përhapur nga “Irgun”, u shfaq fillimisht në fillim të Luftës së Dytë Botërore, por pastaj “Irgun” kërkoi armëpushim dhe disa nga anëtarët e saj iu bashkuan forcave britanike. Sidoqoftë, edhe para përfundimit të luftës, grupet përtëritën sulmet e tyre kundër pushtetit të mandatuar. Një degë më radikale, banda “Stern” (“Luftëtarët për lirinë e Izraelit”), kanë sulmuar vazhdimisht dhe lideri i tyre është kapur dhe ekzekutuar nga policia britanike në Tel-Aviv më 1942. Politika e bandës “Stern” ishte mjaft konfuze; në fazën fillestare të luftës ata kërkonin kooperim nga italianët, madje edhe nga gjermanët dhe më vonë ata janë tërhequr nga komunistët sovjetikë. Manifestet e tyre kundërimperialiste duket sikur të ishin të shkruara në Moskë. Por, motivimi i tyre majtist nuk ishte i rrënjosur thellë.

TERRORIZMI ME ELEMENTET RADIKALE MYSLIMANE

Bandat “Irgun” dhe “Stern” u shpërbënë pas krijimit të shtetit izraelit dhe anëtarët udhëheqës të bandës “Stern” janë arrestuar dhe vrarë nga Konti Bernad (Bernaditte), ndërmjetësi suedez, më 1948. Lideri i “Irgunit”, Menakem Begin (Menachem Beginn) dhe disa nga liderët tjerë, si Jitzak Shamir (Yitzhak Shamir), në vitet në vijim u bënë mistra të Izraelit. Janë këta vetëm dy shembuj të shumë rasteve tjera të guerilëve apo liderëve terroristë që kishin karrierë të dytë, politike, pasi që ditët e tyre të luftës marrin fund.

Lufta algjeriane për pavarësi filloi më 1954 në rajonet malore të vendit e pastaj është bartur në qytete dhe zgjati shtatë vjet. Pjesa terroriste e kampanjës nuk ishte shumë e suksesshme – francezët shkatërruan suazën e rebelëve, në kryeqytet dhe kampanja nuk u zhvillua mirë në fshatra. Por, rebelët kishin përparësi në pranimin e strehimit në shtetet fqinje. 20.000 luftëtarë janë mbledhur jashtë kontrollit të Francës, e cila gradualisht humbi durimin për ta mbajtur shtetin nën kotrollin e saj.

Sikur në Izrael, kampanjat terroriste kanë vazhduar me dekadat e paqes, por eventualisht elementet radikale sërish paraqitën veten. Kjo shpiu në luftën e dytë algjeriane më 1990 dhe në Izrael, në vrasjen e kryeministrit Rabin më 1995.

Në përgjithësi, politika e Lindjes së Mesme ngeli e dhunshme, e shënuar nga vrasjet e liderëve të mëdhenj – në mesin e të cilëve edhe mbreti Abdullah i Jordanit më 1951 dhe Avar Sadati në Egjipt më 1981 dhe të shumë ministrave qeveritarë të Sirisë, të Libanit dhe të Iranit. Pas paraqitjes së elementeve të radikalëve myslimanë, terrorizmi u bë edhe më i tërbuar. Vrasjet politike, të panevojshme për t’u cekur, u shfaqën në shumë pjesë të Azisë dhe të Afrikës. Vrasja e Gandit,më 1948, dhe më vonë e Indira Gandit dhe e Raxhivit, djalit të saj që e trashëgojë atë si kryeministër, janë shembujt më goditës. Por, mbi të gjitha, ishin shtetet myslimane në Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Mesme, ku terrorizmi sundonte sistematikisht dhe pandërprerë në vitet 1950, edhe para se terrorizmi kundërizraelit të bëhej politikë kryesore dhe publike në vitet 1960. Terrorizmi i tretë botërore ishte, podhuaj pa prejashtim, i inspiruar nga nacionalizmi apo religjioni politik.

TERRORIZMI MAJTIST NË GJERMANI DHE ITALI

Valë e re e terrorizmit, me inspirim majtist, u shfaq në Evropë në fund të viteve 1960, kryesisht menjëherë pas revoltës studentore më 1968. “Armata e kuqe” gjermane (grupi “Bader Meinhof”), ishte aktiv për shtatë vjet dhe është vazhduar nga lëvizja “2 qershori” dhe “Celulat e kuqe”. Sipas ideologjisë së “Armatës së Kuqe”, grupi që ishte pararojë e Botës së Tretë, botës së eksploatuar dhe të shtypur, terrorizmi ishte strategjia e vetme e mundshme e lëvizjeve të dobëta revolucionare. Por, Bota e Tretë në të cilën ata thirreshin ishte pjellë e imagjinatës së tyre dhe po të ekzistonte, nuk do të kërkonte që disa dhjeta të rinj ta quajnë veten “armatë”, duke jetuar në ëndrra fëmijërore.

Grupi “Bader Meinhof” ishte për nga origjina nga klasa e mesme, të cilën e cilësonin si njollë. Ata tentonin të kompensojnë mungesën e sfondit proletarian me përdorimin e shpesht të fjalive me katër shkronja. Është një arsye të besohet se disa nga anëtarët udhëheqës, në një shkallë, ishin mentalisht jostabil: Bader ishte mjaft i varur nga drogat dhe Meinhof vuante nga sëmundja nervore që nga fëmijëria. Vetëvrasjet e tyre të mëvonshme gjithashtu na shpiejnë në këtë konkludim. Kishte më shumë femra se meshkuj në postet e këtij grupi dhe femrat ishin më fanatike.

Gjatë viteve “Armata e Kuqe” sulmoi disa banka, djegi një apo dy mapo industriale dhe vrau disa bankierë, industrialistë dhe gjykatës. Por, asnjë nga viktimat nuk ishte shumë i njohur, as nuk kanë mundur të cilësohen si armiq kryesorë të “Bader Meinhofit”, të lëvizjeve revolucionare apo të Botës së Tretë. Emrat e tyre duket se janë zgjedhur nga numëratori telefonik. Njëra viktimë, dr. Drenkmen (Drenkmann), kryetar i gjykatës së Berlinit, ishte socialdemokrat, i cili nuk e kishte asnjë kontakt me “Armatën e Kuqe” apo përkrahësit e saj.

Fillimisht, “Armata e Kuqe” kishte qindra simpatizues, disa nga të cilët janë vrarë për të dhënë ndihmë aktive. Por, gradualisht ata humbën përkrahjen, pasi që është parë se terroristët jetonin në një botë të fantazisë dhe se konceptimi i sëmurë i tyre nuk kishte çfarëdo ndikimi, përveç ndoshta të nxihjes së imazhit të së majtës.

“BRIGADAT E KUQE” ITALIANE…

Nëse “Bader Meinhof” ishte irealisht e motivuar nga ideologjia, gjenerata e dytë dhe e tretë e të majtës gjermane nuk ishte e prirë drejt të menduarit. Ata janë angazhuar në terrorizëm sepse paraardhësit e tyre kishin vepruar kështu. Po të kishin një orientim specifik politik, ata nuk ishin të gatshëm që ta shprehin atë. Disa akte terroriste zënë vend gjatë viteve 1980 dhe 1990, por në përgjithësi këto grupe u bënë jorelevante dhe madje edhe mediat, të cilat fillimisht i përkushtuan vëmendje të tepruar aktiviteteve të tyre, e humbën interesimin.

Terrorizmi majtist italian është zhvilluar në një shkallë më të gjerë; ajo udhëhiqej nga “Brigadat e Kuqe” që u formuan në vitet 1970. Inspirimi në Itali erdhi pak nga e Majta e Re, e cila nuk ishte asnjëherë e fortë në shtet e më shumë nga grupet radikale brenda Ligës së Rinisë Komuniste dhe, në një masë, nga grupet e studentëve të krahut të majtë të kristian-demokratëve, të cilët ishtin orientuar në një proces të shpejtë të radikalizimit. Ashtu siç mendonin “Brigadat e Kuqe”, Italia nuk ishte një shtet demokratik, por një diktatorship borgjez; gjuha e armëve është e vetmja gjuhë e kuptueshme për klasën udhëheqëse. Partia Komuniste, besonin këta radikalë të rinj, ishte parti reformiste që ka humbur besimin në revolucion dhe në entuziazmin radikal. Lëvizja po ashtu është ndihmuar nga ndjenjat e përgjithshme të pakënaqësisë me mungesën e përparimit në frontin shtëpiak; strukturat sociale janë bllokuar që nga përfundimi i luftës dhe një parti ishte në pushtet gjatë tërë periudhës. Sikurse në Gjermani, anëtarësia kryesisht përbëhej nga klasa e mesme, me një përzierje të fortë të elegancës radikale – sikur që ishte edhe involvimi i Xhankomo Feltrinelli (Giangiacomo Feltrinelli), botuesi kryesor, i cili shkatërroj veten në rrethanat që edhe sot mbeten të pa çarta. Kishte edhe militant nga klasa punëtore, por jo shumë. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Zelensky tregon se kush janë ftuar në samitin e paqes në Zvicër

Zelensky tregon se kush janë ftuar në samitin e paqes në Zvicër

Botë
Ndërpriten mijëra fluturime - Rusia akuzohet se po ndërhyn në sistemet e navigimit të aeroplanëve në Evropë

Ndërpriten mijëra fluturime - Rusia akuzohet se po ndërhyn në sistemet e navigimit të aeroplanëve në Evropë

Botë
Macron tregon se në çfarë rrethana do të dërgonte trupa në Ukrainë

Macron tregon se në çfarë rrethana do të dërgonte trupa në Ukrainë

Evropa
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
I ndodhë sërish Aleksandar Vulinit, filmohet në Kuvendin e Serbisë duke “folur dhe grindur me veten”

I ndodhë sërish Aleksandar Vulinit, filmohet në Kuvendin e Serbisë duke “folur dhe grindur me veten”

Serbia
Pamje nga ajri që tregojnë se çfarë ka mbetur nga qyteti ukrainas Chasiv Yar

Pamje nga ajri që tregojnë se çfarë ka mbetur nga qyteti ukrainas Chasiv Yar

Evropa
Kalo në kategori