LAJMI I FUNDIT:

Hekurudha Shqipëri-Kosovë, projekt me kosto të lartë për taksapaguesit

Hekurudha Shqipëri-Kosovë, projekt me kosto të lartë për taksapaguesit

Të premten dy qeveritë shqiptare, ajo e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare mes 13 marrëveshjeve te arritura, firmosen edhe një memorandum bashkëpunimi për transportin hekurudhor.

Ndërtimi i një hekurudhe që lidh dy vendet tona sipas kryeministrit Rama shkon paralelisht me projektin që porti i Durrësit të jetë një port i përbashkët për Shqipërinë e Kosovën.


“Sot hedhim një hap të rëndësishëm për eksplorimin e mundësive për ndërtimin e linjës hekurudhore mes dy vendeve në kuadrin e zhvillimit të korridoreve rajonale, hekurudhore, si dhe bashkëpunimin e ndërsjellë teknik dhe profesional”, ka thënë Rama.

Ideja e ndërtimit të një hekurudhe që lidh Shqipërinë me Kosovën nuk është e re.

Në vitin 2009 pasi u kthye nga Prishtina në mbledhjen e qeverisë Sali Berisha lajmëroi nisjen e punës për këtë projekt.

“Por lidhja hekurudhore me Kosovën ka rëndësi të jashtëzakonshme, Ne do shohim se nga do të dalë fizibiliteti, nga Miloti drejt Prizrenit apo Vau i Dejës drejt Gjakovës. Por ky studim duhet të fillojë menjëherë. Pas studimit, fillon projekti. Le ta kemi gati se në rast se nuk fillohet në këtë mandat, ky të jetë projekti i parë që fillohet në mandatin 2013-2017”, kishte thënë Berisha.

Siç shkruan visionplus, nëse të gjithë kryeministrat premtojnë hekurudhën Shqipëri-Kosovë, pak ose aspak flitet se çfarë përfitimi ekonomik kanë dy vendet tona nga një investim, i cili do t’u kushtojë shumë para taksapaguesve shqiptarë.

Edhe sot ka shumë debate për Rrugën e Kombit, e cila sipas një studimi të bërë nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave disa vjet më parë, nuk ndihmoi rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Pasi sipas këtij studimi “eksporti i përgjithshëm tregtar nga Kosova në Shqipëri nuk ka ndonjë rritje të theksuar për shkak të autostradës, por ajo po shërben si rrugë alternative.

Kjo tregon se për këto vepra, përpara se të bëhen premtime, duhet të shihet leverdia e tyre ekonomike që të mos përfundojnë të parealizueshme ose me kosto shumë të larta për taksapaguesit.