LAJMI I FUNDIT:

Harresa institucionale për masakrën e Tivarit

Totalitarizmi që përfshiu Evropën në shekullin e kaluar ka lenë gjurmë të thellë e të paharrueshme në kujtesën e njerëzimit. Nazizmi e Fashizmi në njërën anë, Komunizmi në anën tjetër po kërcënonin seriozisht Demokracinë, madje edhe vet ekzistencën e shumë popujve. Sigurisht Ballkani nuk ishte jashtë këtij kapitulli të errët. Komunizmi si formë represive e qeverisjes kishte prekur edhe trojet shqiptare, dhe ishin pikërisht shqiptarët që pësuan më së shumti, padyshim që pasojat ishin të mëdha e të dhimbshme.

Projektet serbe për të fshirë shqiptarët nga faqja e dheut ishin orkestruar edhe gjatë sundimit Osmanë në Ballkan, këto plane shfarosëse dhe shpërngulëse serbe ekzistojnë që nga “Naçertanie” e vitit 1844 e deri në vitet e 90-ta. Nuk mbeti e tëra në letër, në periudha të ndryshme serbët implementuan aq sa mundën projektet famëkeqe në fjalë.


Masakra e Tivarit, Dubrovnikut, Trogirit dhe për gjatë rrugës për në frontin e Adriatikut që nga: Shkupi, Prizreni deri në Istri që ndodhën në pranverën e vitit 1945 me përmasa gjenocidale ishin një ndër ngjarjet më të tmerrshme që përjetoj populli shqiptarë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Mobilizimi i shqiptarëve të moshës prej 16 – 65 vjet, në kohën kur Lufta e Dytë Botërore ishte në përfundim e sipër, kishte për qëllim izolimin dhe asgjësimin e forcës aktive shqiptare në një kohë dhe në një vend më të përshtatshëm, jashtë trojeve të tyre. Atë që bënë komunistët serbo-malazez në Tivar e Dubrovnik krahasohet për nga brutaliteti me atë që bënë nazistet me Hebrenjtë në kampet Aushfic e Dahau. Dallimi thelbësor është se populli izraelit mban në kujtesë tmerrin që ka përjetuar, ndërsa ne rrezikojmë që me kalimin e kohës përjetimet në Tivar të shndërrohen në perrallë tragjike. Kështu tragjedia i kapërcen kufijtë e tragjikes kur harrohet e nuk bëhet asgjë për mbajtjen në kujtesë për gjeneratat e reja.

Më 1 prill bëhen 65 vite nga masakra e Tivarit, po aq kohë kjo katrahurë është varrosur. Nëse ky barbarizëm nuk del në pah do të realizonte në përpikëri strategjinë serbe, e cila nënkuptonte vrasjet masive dhe kamuflimin e plotë të tyre. Politikanët shqiptarë të asaj kohe ndihmuan në mënyrë direkte apo indirekte në realizimin e këtij skenari gjenocidal, sot politikanët heshtin, kësisoj ndihmojnë në harresën historike. Me dashje apo pa dashje do bëhen pjesë e historisë, sigurisht historisë së errët. Duhet ta dimë se historia i ka ligjet e saj të pashkruara dhe nuk i ka dhënë ndonjë njeriu apo institucioni të drejtë që të sillet si të dojë me gjakun e bijve të vetë, përkatësish të martirëve të kombit, të cilëve edhe pas 65 vjetëve varret nuk i dimë. Institucionet e Kosovës, përkatësisht qeveria e Kosovës duhet të veproj urgjentisht e seriozisht në mënyrë që kjo ngjarje tragjike historike një herë e përgjithmonë të zhvarroset.

Prandaj, ata që kontribuuan në realizimin e këtyre masakrave dhe heshtën këtë tmerr.
I dënojnë nënat edhe fëmijët,
I dënon amaneti i të parëve;
Do t’i dënojë gjaku i të vrarëve që e humbën në këto masakra rininë,
Dënim më të madh do tu japë kombi dhe historia.

Vepër autentike me vlerë të çmueshme historike

Vepra publistike – shkencore e autorit Azem Hajdini’ Xani, paraqet ngjarjet më të dhembshme e më tragjike, golgotën e kalvarin e vuajtjeve të ushtarëve të rinjë shqiptarë të Kosovës dhe trojeve tjera etnike shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore, të titulluar, “Letër e hapur institucioneve të Kosovës, për ndriçimin dhe sensibilizimin e Masakrës së Tivarit, të Dubrovnikut, të Trogirit, vrasjen dhe masakrimin e ushtareve shqiptarë gjatë rrugës për në frontin e Adriatikut, që nga: Shkupi, Prizreni deri në Istri, në pranverën e vitit 1945.

Vepra në fjalë paraqet besnikërisht e në mënyrë autentike rrugëtimin e marshimin e kobshëm të karvanit të ferrit, që bartë me vete vdekjen, duke filluar që nga: Dibra, Kërçova, Gostivari, Tetova, Shkupi, Kumanova, Bujanovci, Presheva, Prizreni, Kukësi e Shkodra deri në: Tivar, Dubrovnik, Trogir e Istri, në varrin kolektiv, që kishin përgatitur serbo – malazezët e maqedonasit (përkatësisht ushtria dhe politika Jugosllave e Titos), shovinistë e antishqiptarë të përbetuar e të prirë nga urrejtja patologjike për të zhdukur qenien fizike e biologjike të popullit shqiptarë. Vepra historike zakonisht mbështetet në fakte e argumente të regjistruara nga të dhënat arkivore.

Mirëpo siç thotë Prof. Mehmet Halimi, “nuk ka fakte e argumente më të forta, më të besueshme, më autentike e më reale, sesa kur fakt e argument është vetëm njeriu, përjetues i drejtpërdrejt i krijimit të historisë”. Prandaj vetë fakti se kemi të bëjmë me një autor të veprës në fjalë i cili është përjetues i drejtpërdrejt në ketë ngjarje tragjike, vepra fiton vlerë të lartë historike. Autori i kësaj letre të hapur, duke qenë njëri ndër pjesëmarrësit e këtij marshi të kobshëm, i cili këto ngjarje të trishtueshme i pa me sy, i dëgjoi me vesh dhe i përjetoj thellë në zemër e me shpirt, duke hequr të zinjtë e ullirit bashkë me vëllezërit e vet. Ndaj syrit të tij të ndjeshëm nuk i shpëtoi asgjë pa parë e shënuar në mënyrë autentike, si përjetues dhe mbijetues i këtyre ngjarjeve tragjike. Azem Xani edhe në momentet më dramatike, kur ndodhej nën kufoma i larë me gjak dhe veten e shihte të vdekur, mendonte: a do të shpëtojë ndonjëri i gjallë për t’iu treguar shqiptarëve në Kosovë për kobin e zi që përjetuan djemtë e tyre në Tivar.

Tivari varri më i madh i shqiptarëve (1945)

Tivari është një ndër varret më të mëdha në Ballkan, në historinë e Luftës se Dytë Botërore, ku më 1 prill 1945, nga forcat ushtarake jugosllave të Brigadës së X malazaze, në komandën e Gosha Markoviqit, njësi tjera ushtarake, paramilitare, civile, mantillbardhë, punëtorë, qytetarë të Tivarit dhe lokaliteteve përreth, më armë zjarri dhe armë tjera të ftohta “thika, sëpata, kmesa, kosa, shkopinj, tërfurq hekuri e mjete tjera”, për më pak se 60 minuta masakruan në mënyrë më mizore 4310 ushtarë shqiptarë që ishin duarthatë, aq më keq viktimat ishin bashkëluftëtarë të Aleancës antifashiste.

Trupat e ushtareve shqiptarë të vdekur dhe të gjallë deri sa ishin në jetë (të plagosur), u dogjën e u hodhën në det, varreza masive, moçale, humnera e shumë prej tyre, nëpër male, moçale dhe humnera ngelen ushqim për qenë, kobra të zi dhe bisha të egra. Dubrovniku, ku më 17 prill 1945, në kazermë ushtarake, në BABIN KUK, të Dubrovnikut, ishin vendosur 1400 – 1700 ushtar shqiptarë “për të pushuar” dhe kinse për t’i bërë përgatitjet e fundit për në frontin e Istres dhe të Neretvës, pasi iu kishin mbyll dyert e dritaret nga jashtë, shërbimi sekret (OZNA) Jugosllave sipas skenarit me materie kimike helmoi dhe si pasojë, u ngulfatën dhe gjeten vdekjen 1340 ushtar shqiptarë. Në momentin kur ushtarët shqiptarë përpëliteshin me vdekje nga helmimi duke u dalë shkumë nga goja dhe më sy të pëlcitur, njësitë të pajisura me maska kishin bllokuar kazermën dhe nuk i lejonin ushtaret shqiptarë të cilët ende ishin në jetë, që të dalin jashtë derisa të vdesin të gjithë, më arsyetim banal se ata nuk ishin helmuar, por po e inskenojnë helmimin për të ikur nga lufta.

Sipas një dëshmitari me kombësi kroate, i cili dëshironte të mbetej anonim, “kufomat e shqiptarëve, por edhe të atyre që ende ishin në jetë janë hedhur në varreza masive afër varrezave të ustashve në pjesën Gospo të Miloserxha. Edhe pse ushtaret shqiptarë kërkonin t’i vrisnin, para se t’i hedhin në varrezë masive, ata më pare i palonin si drutë në stivë, pastaj i vrisnin. Me të drejtë autori i kësaj Letre të hapur, konstaton se edhe pse kampet famëkeqe të përqendrimit nazifashist, janë likuiduar në mënyrë më mizore më miliona njerëz, veçmas hebrenj, megjithatë ekziston një dallim, në mes këtyre kampeve dhe likuidimit të ushtareve shqiptarë në Tivar, Dubrovnik dhe gjatë rrugës për në frontin e Adriatikut.

a). Pësuan kundërshtarët e nazifashizmit. Ndërsa në Tivar, Dubrovnik dhe gjatë rrugës për në frontin e Adriatikut, ushtria Jugosllave: vranë, masakruan, helmuan mëse 7935 ushtar shqiptarë, duarthatë, trupat e tyre të vdekur dhe deri sa ishin në jetë (të plagosur), u dogjën, u hodhën në det, varreza masive, moçale, humnera, e vende të tjera. Ndërsa numër jo i vogël ngelen nëpër male, moçale e humnera, si ushqim për qenë, kobra të zi dhe bisha të egra.

b). Masakrat në kampet e përqendrimit nazifashist janë dënuar publikisht si vepra kundër njerëzimit, publikisht është informuar opinioni i gjerë, botërorë, është bërë reparacioni dhe janë dënuar kryesit e këtyre veprave gjenocidale nga Gjyqi Ndërkombëtar. Numër i konsiderueshëm janë rivarrosur. Ndërsa, Masakra e Tivarit e Dubrovnikut dhe vrasja e ushtareve shqiptarë gjatë rrugës për në frontin e Adriatikut, me se 50 vjet ka qenë temë TABU, persekutoheshin, jo vetë ata që merrnin guxim të flisnin për këto ngjarje, por edhe prindërit, fëmijët dhe të afërmit e tyre.

c). Ushtarët shqiptarë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të varrosur për se gjalli në masakrat në fjalë, duke i konsideruar si armiq, të popullit dhe të shtetit, me vendime të gjykatave të rretheve përkatëse në shumë raste iu ishte konfiskuar tërë pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme.

d). Ata pak ushtarë shqiptarë të cilët patën fatin t’i shpëtonin këtyre masakrave dhe pas shumë mundimeve dhe sakrificave, duke u fshehur nëpër male e moçale të Malit të Zi dhe të Shqipërisë, janë kthyer në shtëpi, me pastaj u dënuan si armiq të popullit dhe shtetit si dezertorë me nga 12 muaj deri në 8 vjet burg të rendë.

e). Edhe pas 65 vjetëve, rast i veçantë në Evropë dhe Ballkan, që nuk është bërë asgjë për hulumtimin e varrezave apo për kthimin e eshtrave të këtyre martireve të kombit në atdhe.

f). Nuk është bërë asgjë për ngjitjen e ndonjë memoriali, të paktën të ndonjë lapidari, të bërjes së ndonjë filmi, të ndonjë dokumentari, të ndonjë skene teatrale apo diçka tjetër. Këto masakra nuk janë të pranishme as në programet e shkollave fillore e të mesme, e mos të flasim për shkollat e larta e fakultete e as të shënuara në kalendarin e ngjarjeve historike të kombit shqiptarë.

Nuk ka dilemë se për shqiptarët masakrat në fjalë kanë kuptimin të ngjashëm me atë që ka: Ashvici, Mathauzeni, Dahau, Jesenovi e kampe tjera të përqendrimit nazifashist për Hebrenj apo për popuj tjerë që e përjetuan Holokaustin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bajram Gola, oficer i lartë i Ministrisë së MP të ish RSFJ: për masakrën e Tivarit dhe depërtimin e ushtarëve shqiptarë në frontin e Adriatikut, gjatë rrugës Prizren – Kukës, Shkodër – Istri, konstaton: tragjedia e përshkruar nga Azem Hajdini – Xani, është një dokument i vërtetë, për arsye se tërë atë golgotë e ka përjetuar vet dhe me habit fakti se si i evokoi me një pedanteri aq të gjithanshme, që vështirë do ta kishe bërë edhe një reporter me kamerë në dorë. Rrëfimet e Azem Hajdinit’Xanit, kanë një vlerë historike, që dëshmojnë me bindje kategorike se deri ku shkon kundërshqiptarizimi i serbëve, malazezëve dhe maqedonasve. Krimi në Tivar nuk është hera e parë, e as incident i rastit, ku pësuan vetë Shqiptarët. Se ushtarët shqiptarë paraprakisht ishin të anatemuar për t’i asgjësuar fizikisht jashtë trojeve të tyre dëshmojnë përveç të dhënave të cekura edhe të dhënat:

a) zëvendëskomandanti i Brigadës VI Dalmatine, mes tjerash ka thënë: “Ju shqiptarët keni qenë të dënuar me vdekje që nga momenti kur ju kishin mobilizuar për t’iu dërguar në trojet tona. Kur bëmë pranim-dorëzimin në Shkodër të ushtarëve të rinj, pamë se ata vinin nga: Kosova, Tetova, Gostivari, Kumanova, Dibra, Shkupi, Prizreni, Ferizaj, Presheva e qytete tjera. Pranova edhe dokumentacionin, listën me emra dhe mbiemra, me vendlindje dhe datëlindje për çdo të mobilizuar shqiptarë, në një zarf të mbyllur nga eprorët serbë e malazezë. Në kuvertën ku ndodheshin lista e të mobilizuarve ndodhej edhe një letër e veçantë nga OZN-ja, që vepronte atje. Në atë letër rekomandohej, se të gjithë këta janë bashkëpunëtor të okupatorit. Ne i kemi mobilizuar me forcë dhe dajak, prandaj këta duhet sa më parë të futen në vijat e para të fronteve dhe të shfrytëzohen në maksimum në luftë kundër armikut. Kush ngel i gjallë prapavija ushtarake e juaj duhet që t’i pastrojë dhe assesi të mos lejoj që ndonjë nga këta të kthehet i gjallë në Kosovë dhe Maqedoni”.

b) shkresa diskrete, që sipas Bajram Golës, ish oficer i lartë i Armatës Jugosllave ka qarkulluar dorë më dorë të komandantët ushtarak serbo-malazez e maqedonas dhe më gjerë, se duhet të shfarosen 400 mijë shqiptarë, për shkak se kinse shqiptarët iu shmangën shfarosjes gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se nataliteti i tyre i madh kërcënon Jugosllavinë.

Vënia pikë masakrës së Tivarit, varrit më të madh të shqiptarëve në histori, të tragjedisë së Trogirit, të Dubrovnikut dhe vrasjeve dhe të mizorive që përjetuan ushtarët shqiptarë gjatë rrugës për në frontin e Adriatikut, që nga Prizreni deri në Istri, me të dhëna reale se asnjë ushtar, asnjë epror dhe asnjë inskenues dhe zbatues i këtyre masakrave nuk u mor në pyetje, por u graduan me grada të larta për punën e bërë. Institucionet, historianët dhe inteligjenca në Kosovë, dhe në Shqipëri heshtën dhe nuk shënuan asnjë fjalë, e të mos flasim për ndonjë veprim për sensibilizim, përkatësisht për ndriçimin e këtyre masakrave, për autorin e kësaj letre të hapur, përjetuesin e këtyre masakrave dhe për popullin shqiptarë ishte barra më e rëndë shpirtërore, me të cilën nuk mund të pajtohej kurrën e kurrës.

Andaj siç konstaton dr.Muhamet Pirraku, në librin ”Kalvari i shqiptarësisë të Kosovës 1945, Prishtinë 1983”, Azem Hajdini’Xani, është njeri ndër ata pak shqiptarë që mori guxim të inicionte ndriçimin e masakrës së Tivarit, u shkroi institucioneve politike nga komuna ku punonte si nënpunës e deri në KQ të PKJ-së më 9 nëntor 1966 këtë parashtresë do ta plotësonte më 19 nëntor e 9 dhjetor 1966 dhe më 15 dhjetor 1980. Nga parashtresa e Azem Hajdinit-Xanit, që është njëri ndër burimet më autentike për masakrën e Tivarit, është pasqyruar dhe sjellja barbare e ushtrisë malazeze kundër të plagosurve, kufomave dhe përjetuesve tjerë të masakrës së Tivarit. Për masakrën e Tivarit unë kam mësuar edhe kur isha i mitur nga gjyshi im Ramadan Ejupi, ai më rrëfente gjithë përjetimet, gjyshi im i kishte shpëtuar masakrës se Tivarit, por jo edhe luftës së fundit në Kosovë. Mbetemi me shpresë, se kjo letër do të hasë në mirëkuptim, nga qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet shkencore në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

(Shkrimi është botuar në gazetën “Epoka e Re”, më 31.03.2010, në përvjetorin e 65 të masakrës së Tivarit)

Në trend

Më shumë
Arratiset Enver Sekiraqa, policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Arratiset Enver Sekiraqa, policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Drejtësi
Kryeprokurori special flet për rastin e Enver Sekiraqes

Kryeprokurori special flet për rastin e Enver Sekiraqes

Drejtësi
Blero përlotet pasi dëgjon zërin e Afronës në studio, e pranon publikisht: Më kanë tradhtuar

Blero përlotet pasi dëgjon zërin e Afronës në studio, e pranon publikisht: Më kanë tradhtuar

Magazina
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Real Madridi shpreh interesim për top yllin e Liverpoolit – nuk bëhet fjalë për Alexander-Arnold

Real Madridi shpreh interesim për top yllin e Liverpoolit – nuk bëhet fjalë për Alexander-Arnold

La Liga
Kalo në kategori