LAJMI I FUNDIT:

Haremi i kohës së Zogut kthehet në identitet

Haremi i kohës së Zogut kthehet në identitet

Është një ndër objektet më me vlera të qytetit muze të Beratit. Pasi ka shërbyer si banesa e familjes së Pashait të Beratit në vitet 1800 dhe me tej si një vend hareje e dëfrimi, në kohen e mbretërisë së Zogut, objekti i kategorisë së parë, dikur lëne në mëshire të fatit, tashmë po del në dritë.

Që prej disa ditësh banoret e këtij qyteti kane pare se “ haremllëku” siç njihet prej të gjithëve po rilind, por tashmë jo për tu kthyer në një shtëpi muzike e argëtimi, por për të pasur identitetin si një qendër e rëndësishme mesjetare.

Objekti që i përket periudhës mesjetare, i ndërtuar me gurë të gdhendur dhe harqe mbi kolona të hijshme, ishte lëne krejt pas dore. Si te mos mjaftonte fakti, që gjate viteve të monizmit kjo ndërtese pësoi një shkatërrim të pjesshëm edhe gjate 15 viteve te fundit ishte lëne krejt në harresë.

Shtëpia e Pashait ndodhet në zonën më të rëndësishme të qytetit dhe është një nga objektet e kategorisë së parë, për sa i përket vlerave artikitektonike dhe historike që mbart.


Specialistet e monumenteve të kulturës në ketë qytet kanë nisur ditët e fundit punën në pjesën e jashtme të objektit. Dikur i rrethuar nga plehrat, dherat dhe shkurret objekti me vlera, tashmë po shndërrohet në një qendër të rëndësishme të kulturës dhe historisë.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Petrika Stasa pohoi për “ Koha Jone”, se me një fond prej 4 milionë lekë po punohet nga specialistët për pjesën e jashtme të objektit. Kështu, puna ka nisur që prej disa ditësh dhe ka mundësuar heqjen e 400 metra kube dherash, pastrimin e te gjithë zonës, rrethimin e sipërfaqes me kangjella, kompletimin e kolonave me sfera guri dhe vendosjen e ndriçuesve.

Sipas Stases, kjo është faza e pare e investimit, pasi parashikohet një faze tjetër për ndërhyrjen në objekt. Po sipas drejtorit i gjithë fondi prej 30 milion lekësh të reja nga buxheti i shtetit, akorduar kësaj drejtorie, tashmë është duke u përdorur në drejtim të restaurimeve të disa prej objekteve si shtëpi muzeale, Teqenë e Abaz Aliut ne Kulmak dhe kisha e Shën Mehillit. Deri me tani kane përfunduar së restauruari 6 objekte dhe të tjerat janë në proces./koha jonë/