LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Në Washington, për marrëveshje finale me Serbinë

Haradinaj: Në Washington, për marrëveshje finale me Serbinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se në takimin e 2 shtatorit në Uashington, Kosova duhet të shkojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-kryeministri i Kosovës, Haradinaj, thotë se duhet të shfrytëzohet vëmendja që po ia jep SHBA-ja zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Haradinaj gjithashtu tregon për pretendimet e tij për t’u bërë president i vendit si dhe flet për mundësinë e zgjerimit të koalicionit aktual qeverisës.


Sipas tij, me ardhjen e PDK-së në qeverisje, ndërpritet varësia nga Lista Serbe.

“Kam qenë insistues që të kërkohet kthimi i Uashingtonit në temë në çështjen e dialogut. Ne e kemi parë një ndihmesë në të kaluarën nga BE-ja dhe e kemi mirëpritur këtë ndihmesë të BE-së, por edhe të vendeve veç e veç, si të Gjermanisë, Francës, kancelares (gjermane, Angela) Merkel dhe presidentit (francez, Emmanuel) Macron.

“BE-ja na i zbehu shpresat”

“Mirëpo, po ashtu ne e kuptuam që BE-ja e delegoi çështjen e dialogut në nivel të BE-së, në këtë rast te zoti (përfaqësuesi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep) Borrell dhe zoti (i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav) Lajçak.

Të dy janë jonjohës, vijnë nga vende jonjohëse (të pavarësisë së Kosovës). Me këtë, BE-ja në një mënyrë na e zbehu shpresën për suksesin e pritur, pra për nevojën e një rezultati final në procesin e stërzgjatur të dialogut. Duke parë këtë gjendje, ne e kemi kuptuar drejt se shpresa tash na ka mbetur vetëm në Uashington. Ne çdoherë kemi pasur besim në Uashington, por kemi shpresuar që edhe BE-ja do të investojë më shumë në këtë proces, duke u kyçur direkt kryeqytetet kryesore si Berlini, me ndonjë zyrtar të lartë të tij ose edhe Franca dhe të tjerët.

Duke qenë se nuk ndodhi ashtu, pra unë kam kërkuar nga kryeministri (Avdullah Hoti), që të bëjë hapa prapa në këtë agjendën e deleguar të dialogut te zoti Borrell dhe zoti Lajçak dhe të kërkojë Uashingtonin. Pra, ishte një lajm jashtëzakonisht i mirëpritur nga unë rikthimi i Uashingtonit, takimi i 2 shtatorit. Mirëpo, ne e kemi një shqetësim për përgatitjet që duhet t’i bëjmë. Pra temat, identifikimin e temave, identifikimin e materies për të cilën mund të themi po, por pastaj edhe formati i takimeve.

Nuk është rastësi që AAK-ja dëshiron të garantohet se është e sigurt – po e quaj ashtu – për çdo sekuencë të bisedave sepse duam të dimë a e kemi nxjerrë më të mirën për Kosovën.

Pse duhet çdo herë t’i besojmë dikujt tjetër nëse mundemi edhe vetë të ndihmojmë. Ishte rasti i takimit me (presidentin e Serbisë, Aleksandar) Vuçiq. Jam habitur nga vendimi – edhe pse ai është në diskrecion të kryeministrit – i kryeministrit, që të lë jashtë takimit, ministrin e Drejtësisë, Selim Selimin, i cili ka dhënë betimin në parlament si ministër, i cili në të kaluarën ka qenë i ngarkuar në dialog – pra, ka vetëdije, ka memorie institucionale –dhe e ka marrë një person që sapo ka filluar punë, shefen e stafit të vetë. Pra, do të jenë disa arsye që duhet t’i trajtojmë me kujdes”.

Haradinaj më tej tha se në Uashington po shkojnë për njohje reciproke.

“Nëse shtrohet pyetja: ‘Po për çka po shkojmë në Uashington?’ Po shkojmë për marrëveshje, për njohje reciproke në kufi ekzistues. Nëse rrethanat e sjellin këtë marrëveshje, po shkojmë për këtë marrëveshje, por nëse ka përparim, marrim edhe përparimin cilido qoftë ai”.

 “Partitë politike të bisedojnë për postin e presidentit”

“Tani ne e shohim se situata në Kosovë edhe mund të vështirësohet, pra në aspektin e politikës pas propozimit të aktakuzave për presidentin (e Kosovës, Hashim) Thaçi, për kryetarin (e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, pra mund të vijmë para një krize institucionale nëse akuzohet presidenti.

Gjetja e një zgjidhjeje për këtë do të nënkuptonte pastaj një negocim disapalësh, në këtë rast të neve që jemi partnerë të koalicionit, me të cilët kemi një marrëveshje, për shembull me LDK-në, me Nismën e AKR-në, e komunitete për të qeverisur.

“Me ardhjen e PDK-së në qeverisje, ndërpritet varësia nga Lista Serbe”

Mirëpo, tash do të kërkohet hapja e kësaj marrëveshje edhe për çështjen e presidentit. Në rastin konkret, do të kërkohet edhe një partner i ri. Ky partner i ri me shumë gjasa mund të jetë PDK-ja, edhe që e mirëpresim gjetjen e një marrëveshjeje të përbashkët.

Mirëpo, këtu ndodh një ndryshim. E vërteta është se me ardhjen e PDK-së në qeverisje, ndërpritet ajo varshmëria ose varësia e kësaj qeverie edhe nga Lista Serbe, mirëpo edhe ne humbim një rol vendimtar që kishim, ta quaj ashtu, në dëgjimin e zërit tonë për vendimet për interesin nacional.

“LDK-së nuk i takon edhe kryeministri edhe presidenti”

Po edhe me LDK-në, në raste të caktuara me kryeministrin Hoti, i kemi disa situata të çuditshme kur ai ka marrë disa vendime pa konsulta paraprake. Pra, kjo na shqetëson.

Pastaj, e dëgjojmë nënkryetarin e parë ose të dytin të LDK-së zotin (Lutfi) Haziri kur flet hapur e publikisht se duhet ta japim Leposaviqin e 18 fshatra. Duke qenë kështu, për ne nuk është më interes t’i japim legjitimitet një qeverie dhe institucioneve të vendit vetëm pse kemi pak pushtet dhe nuk kemi vendimmarrje, e ne pastaj të bëhemi pjesëmarrës të vendimeve të këtyre forcave politike – me respekt për shumicën prej tyre – por, që kanë dhënë prova paqëndrueshmërie në tema të interesit nacional.

Do të ishte një barrë që nuk mund ta mbajë në shpinë apo në ndërdije. Kemi edhe përvoja të këqija edhe me demarkacionin me Malin e Zi, me çështjen e Asociacionit të komunave, ku u gjet jokushtetues nga gjykata jonë.

Pozita e presidentit apo zgjedhjet?

Aleanca është para dy zgjidhjeve, të dyja shumë të vështira. E para është që të vazhdojë të jetë pjesë e pushtetit dhe e vendimmarrjes, por ta kushtëzojë me marrjen e një pozicioni vendimmarrës të presidentit edhe ajo është logjika pse Këshilli Drejtues i AAK-së më ka dhënë autorizim të negociojë edhe për çështjen e presidentit, me qëllim që ne të mos përjashtohemi nga tavolina e marrjes së vendimeve.

Pra, ne nuk rrisim pushtet me marrjen e presidentit, por ne vetëm ruajmë mundësinë e të qenurit në tavolinë aty ku merren vendimet.

Në rast se ne nuk e marrim presidentin tani, meqenëse jemi parti më e vogël, PDK-ja dhe LDK-ja, në emër të një shumice në parlament, mund të na mbivotojë në çdo situatë e në tema të interesit nacional. Në këtë rast, tani situata është ndjeshme jo me LDK-në, sepse LDK-ja nuk mund t’i ketë dy përgjegjësitë e para edhe kryetarin e qeverisë dhe presidentin. Edhe LDK, në fakt nuk ka shprehur ambicie.

Ish- kryeministri (Isa) Mustafa nuk ka shprehur ambicie për postin e presidentit. Ai nuk është i interesuar të hapë paketën, pra që ta shkarkojë këtë qeveri, të nominojë një mandatar, të pres ato dy javët e famshme që t’i dërgojë letra Vetëvendosjes, që të bie në procedura të caktuara.

E që i bie se ne, unë jam në pozitë me të vështirë me PDK-në, sepse presidenti dikur ishte në PDK. Mirëpo, unë mendoj edhe për PDK-në, shpresoj se do ta kem mirëkuptimin edhe nga ata, sepse në këto situata të ndjeshme, nëse Aleanca duhet të jetë partner, duhet t’i jepet mundësia të ketë vendimmarrje. Përndryshe, vetëm sa për ta mbajtur në jetë një qeveri për pak pushtet, për Aleancën ne e dimë rrugën që të shkojmë në shtëpi, se e kemi ditur edhe në të kaluarën, ja do të shkojmë në zgjedhje.