LAJMI I FUNDIT:

Gruaja që fshihet pas romanit “I huaji”

Gruaja që fshihet pas romanit “I huaji”

Bri filxhanit të çajit, në “Café de Flore”, në tavolinën ku Albert Kamy (Albert Camus) rrinte mbrëmjeve me miq, Simon vendosi me ngadalë një letër. E vështroi në sy, duke i shtrënguar ngadalë dorën dhe mori trikon në karrigen e tij dhe iku. Parisi ishte plotë erë atë mbrëmje, kur Kamy futi dorën në xhepin e pardesysë dhe nxori letrën. “Nuk do të harroj asnjëherë”. Të njëjtat fjalë i lexoi dhe në pasqyrën e apartamentit ku jetonin bashkë, në fletët e librit që ajo po lexonte dhe në xhepin e këmishës mbi shtrat…

Kamy u takua me aktoren bohemiane Simone Hie në vitin 1932. Ai e ndjeu trupin e saj dhe pse në dorë mbante një unazë nga miku i tij Max Pol Founchet me të cilën ajo ishte fejuar.


Takimin e parë bashkë e patën në teatër… për të vijuar më pas kafeneve dhe parqeve të Parisit. Në vitin 1934 ata lidhën martesë e cila do të përfundonte shumë shpejt, për shkak të varësisë së Simones nga droga. Kamy nuk e harroi asnjëherë atë. Pas ndarjes ai u kujdes për vite me radhë duke i paguar mjekimin. Për biografin e Albertit, Oliver Todd, Simonë është personifikuar tek personazhi Maria në romanin “I huaji”. Në asnjë vepër të letërsisë botërore dashuria nuk i ngjan aq shumë absurdit sa tek ky libër.

Për Toddin “I huaji” është një himn për Simonën, dhe vendin e tij të lindjes Algjerin.

Albert Kamy është një ndër shkrimtarët më të njohur të shekullit të XX, fitues i çmimit Nobel në letërsi në vitin 1957 me motivacionin “Për krijimtarinë e tij të rëndësishme letrare, përshkruar nga një sinqeritet i kthjellët, që ndriccon problemet e ndërgjegjes njerëzore”.

Kamy ishte shkrimtari i dytë i ri në moshë që fiton çmimin e madh të letërsisë pas Rudyard Kiplingut, dhe njëkohësisht laureati që e gëzoi më pak këtë çmim, pasi vdiq në një aksident automobilistik vetëm dy vjet më pas.

Dhe pse njihet si një ithtar i ekzistencializmit, filozofia që ai ndoqi në jetë duket se nuk e provon shumë këtë. Në një intervistë të vitit 1945 ai shprehet: “Jo, unë nuk jam një ekzistencialist. Sartri dhe unë kemi qenë gjithnjë të befasuar nga ky emërtim që na bëhet…”.

Ajo që përshkon letërsinë e Kamysë është absurdi. Ai kundërshton teorinë e nihilizmit dhe i jep frymëmarrje në librat e tij lirisë individuale.

Albert Kamy lindi më 7 nëntor 1913 në Drean (Algjeri) në një familje koloniale. Nëna e tij ishte me origjinë spanjolle dhe ishte gjysMË e shurdhët. Babai i tij Lucien ishte një bujk i varfër i cili u nda nga jeta më 1941 gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fëmijëria e tij qe e trishtë në Algjer, mes varfërisë dhe fytyrës së lodhur të së ëmës. Në vitin 1923 Kamy u pranua në Universitetin e Algjerit, ku u diplomua më pas për filozofi.

Pas sëmundjes së turbekulozit më vitin 1930, ai i dha fund ëndrrës së tij për futbollin, ku prej vitesh kishte qënë portier për ekipin e Universitetit. Për të fituar para, gjatë studimeve ai u mor me punë të ndryshme si mësues privat, roje makinash apo si nëpunës në Institutin Meteorologjik.

Në vitin 1935 u diplomua në filozofi dhe një vit më vonë përfundoi doktoraturën mbi Plotinusin.

Lexues pasionant I “Kapitalit” të Marksit, në atë kohë ai besonte në teorinë shpirtërore të komunizmit. Në vitin 1936 u bashkua me Partinë Komuniste Popullore në Algjer, por jeta e tij në politikë zgjati shumë pak. Në vitin 1934 u martua me Simone Hie, e cila ishte e dhënë pas drogave, gjë e cila do ta shkatërronte lidhjen e tyre shumë shpejt. Pas ndarjes, Kamy do të eksperimentojë me teatrin. Ai themeloi “Teatrin e Punëtorëve”, një teatër lirik.

Në vitin 1940 Kamy u martua me Francine Faure, pianiste dhe matematikane e njohur. Edhe pse e deshi atë, vijonte të besonte se nuk ishte një burrë i prerë për martesë. Në 5 shtator të vitit 1945, Francine lindi dy binjakë – Catherinë dhe Jean.

Kamy është përfolur për lidhje të shumta me femrat, si ajo me aktoren spanjolle Maria Casares.

Gjatë luftës së Dytë Botërore Kamy iu bashkua Rezistencës franceze të quajtur ”Combat” e cila publikonte një gazetë me të njëjtin emër. Në vitin 1943 Kamy bëhet kryeredaktor i kësaj gazete dhe ndodhej në Paris kur aleatët çliruan qytetin. Parisi ishte një tjetër qytet frymëzues për Kamynë.

Në vitin 1947 nis miqësinë me Sartrin. Pas luftës ai u bë frekuentues i rregullt i “Café de Flore” në bulevardin “Saint German” në Paris bashkë me Sartrin dhe letrarë të tjerë. Gjatë kësaj periudhe vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku dha leksione mbi mendimin francez.

Kamy vdiq më 4 janar të vitit 1960 në moshën 46-vjeçare në një aksident me makinë pranë qytetit të vogël të Villeblevit. Në xhepin e pardesysë së tij u dy bileta treni. Ai kishte planifikuar të bënte një udhëtim me gruan dhe dy fëmijët, por në momentin e fundit ndryshon mëndje dhe pranon propozimin e botuesit të tij për të udhëtuar me të. Shoferi I makinës Vega Facel, botuesi dhe miku I tij I ngushtë Mishel Gallimard, vdiqën gjithashtu.

Në gusht të vitit 2011 gazeta “Corriere della Sera” aludoi se shkrimtari mund të ketë qënë viktimë e një sulmi sovjetik, por biografi i tij Oliver Todd nuk e quan të besueshme këtë hipotezë. Të drejtat e botimit të veprave të tij i kaluan gruas.

Çasti vendimtar në jetën letrare të Kamysë ishte viti 1937 kur ai boton librin “E mbrapshta dhe e mbara” me ese nga rinia. Në vitin 1942 ai bëhet i njohur me esenë “Miti I Sizifit”, ku përcillet sfida krenare e njeriut ndaj universit të dhunës së pakuptimtë të cilën Kamyja e quan “absurd”. Po atë vit ai boton romanin e tij të njohur edhe në shqip “I huaji”, një reflektim ndaj vuajtjeve prej absurdit.

Pjesë e krijimtarisë së tij janë dhe dy drama “Kalikula” më 1944, një përshkrim poetik i çmendurisë njerëzore të mishëruar në figurën e perandorit romak Kalikula dhe dramën “Të drejtët”, një himn ndaj sakrificës njerëzore për liri. Një tjetër vepër e tij është “Mendime për gijotinën” ku dënon ashpër dënimin me vdekje. Në romanin “Murtaja”, i cili konsiderohet si një nga romanet më të mira të shekullit XX, rrëfen qëndresën njerëzore ndaj të gjitha formave të tiranisë.

Botimi i esesë “Njeriu i revoltuar” më 195, kundër mendimit diktatorial e veçanërisht kundër terrorit Stalinist, i shkakton Kamysë sulmin e ashpër të intelektualëve të majtë francezë me në krye Sartrin dhe një lloj izolimi të cili ai e vuajti thellë. Në këto vite dëshpërimi ai shkroi veprën e tij pesimiste “Rënia”.

Dorëshkrimi i papërfunduar i tij është romani “Njeriu i parë” që u botua i paplotë pas vdekjes, më vitin 1994. Por, një nga librat të cilët ne duam t’i kthehemi shpesh në letërsinë e tij mbetet “I huaji”. Mijëra lexues kanë mbërritur në Algjer ndër vite për të parë ku ka banuar Mersoi (personazhi i librit) apo për të parë plazhin ku ai u la me Marian apo peizazhin e shkretë të Marengos ku filloi dhe drama absurde e njeriut. Falë penës së Kamysë, Marengoja ka fituar të drejtën të qëndrojë përkrah Trojës. Sepse, për shumë kritikë, “I huaji” është Iliada e shekullit XX. Kamy e shpërnguli fronin e perëndive nga Olimpi dhe e vendosi në një azil, në një fshat të humbur, tetëdhjetë kilometra larg Algjerit, në Marengo. Tërë romani “I huaj” zhvillohet në një kohë pa jetë, në një ajër të thatë, tërë pluhur , nën diell që të bie në kokë. Marengoja nuk ka shpirt nuk ka ndjenjë.

Këtë gjë nuk e kuptoi Mersoi dhe Marengoja u hakmor. Faji i tij i më i madh ishte se qëndroi para trupit të nënës së vdekur, lakuriq, ashtu siç e lindi ajo. Ai shkoi atje si fëmijë dhe u dënua si një kriminel… Kamy ka të drejtë “Nëse absurdi ekziston, ai gjendet në universin e njeriut”. E tërë jeta jonë është në pritje të një telegram fatal. Asgjë nuk varet prej nesh, gjithçka varet se kur do na e nisin telegramin fatal perënditë e Olimpit, të kthyer në azilantë të mjerë në Marengo, tetëdhjetëkilomenta larg Algjerit. /Gazeta Shqip/