LAJMI I FUNDIT:

Gropat e ujësjellësit nuk mbyllen edhe sivjet

Gropat e ujësjellësit nuk mbyllen edhe sivjet

Kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina”, ka filluar zbatimin e fazës së dytë të investimeve që nga shtatë prilli i këtij viti, në ndërrimin e infrastrukturës së vjetruar të ujësjellësit me një shumë prej 17 milionë euro, ku 11 milionë janë donacion dhe gjashtë milionë euro kredi e butë. Ky projekt i cili ka filluar në qytetin e Prishtinës, në pjesën më të madhe të Fushë Kosovës dhe në fshatin Shkabaj pritet të përfundojë në maj të vitit të ardhshëm.

Arjeta Mjeku-Azizi, zëdhënëse e ujësjellësit rajonal “Prishtina”, është shprehur për KosovaPress se 80 për qind e punimeve kanë përfunduar dhe ka mbetur edhe një pjesë e vogël e tyre që të përfundohen, por se sipas saj janë edhe sisa punime të ndërtimit të një objekti të ri në fabrikën e trajtimit të ujit në Badofc.
Ajo tha se gypat të cilët janë duke i ndërruar janë të njëjtë me ata që edhe kanë qenë më herët por se vetëm janë të rinj për shkak se të mëhershmit janë vjetruar.
“Realisht kemi të bëjmë me ndërrimin e një rrjeti primar , sekondar dhe terciar , vendosjen e kyçjeve të reja shtëpiake si dhe vendosjen e ujë matësve të rinj apo ndërrimin e kyçjeve shtëpiake për arsye se kanë qenë të vjetra. Ne e kuptojmë shqetësimin e qytetarëve për gropat e hapura sepse me të vërtetë në një pjesë të këtyre punimeve kanë shkuar punët mjaft mirë, mirëpo ne duhet ta ruajmë edhe infrastrukturën tjetër gjatë punimeve , nuk është vetëm të shkojmë, të punojmë edhe ta kryejmë punën tonë por duhet që gjatë punimeve ta kryejmë punën tonë me sukses, njëkohësisht ta ruajmë edhe infrastrukturën tjetër rrugore, ka thënë Mjeku-Azizi.

Ajo ka shtuar se janë duke u munduar që së paku në ato pjesë ku janë duke punuar ta bëjnë testimin e gypave dhe sa më shpejtë aty ku edhe është bërë prerja e asfaltit të mbulohet me zhavorr dhe me asfalt.


Mjeku-Azizi pohoi për KosovaPress se punën më të madhe e kanë përfunduar, dhe se sipas saj bashkëpunimi më drejtorinë e infrastrukturës në Komunën e Prishtinës është i mirë dhe se janë në kontakt të përhershëm për asfaltimin e atyre rrugëve që kompanisë së ujësjellësit rajonal “Prishtina”, i takojnë.

Ndërsa, e pyetur se a parashihet që asfaltimi i të gjitha rrugëve që janë prerë të bëhet këtë vit, ajo u përgjigj se janë duke u munduar që sa më shpejtë t’i përfundojnë punët por se sipas saj ky projekt do të përfundojë më 15 maj të vitit 2015.

“Do vazhdohet. Në këtë vit do mundohemi që sa më shpejt t’i kryejmë sidomos kjo që është shqetësim më i madh për qytetarët që janë gropat e pambuluara , ku janë punët duke u kryer i kemi vendos gypat, mirëpo pa u bërë testimi i gypave nuk mund të mbulohen me asfalt. Edhe njëherë e them në tërësi ky projekt do të përfundojë më 15 maj të vitit 2015. 420 ditë punët janë duke shkuar me afat, por ajo që po i shqetëson qytetarët është se po mundohemi që ta kryejmë para afatit , dhe kjo i bie se shumë shpejt, gradualisht me ndërrimin e gypave , me vendosjen e gypave të rinj , të shtrohet edhe pjesa përfundimtare me asfalt”, ka thënë Mjeku-Azizi.

Ndryshe, investimet që do të bëhen në infrastrukturën e ujësjellësit, e po ashtu edhe në fabrikën ere të ujit do të kushtojnë 64 milionë euro./Telegrafi/.